Salihi: Mrekulli nëse mundim Bosnjën!

12 Maj 2011, 12:55Sport TEMA

Sulmuesi kuqezi flet për FIFA-n: Njerëzit në Shqipëri besojnë se do t’ia dalim

Lojtari më i rëndësishëm i Shqipërisë për momentin, Hamdi Salihi, autor i golit të vetëm ndaj Bjelorusisë, që u dha tri pikë kuqezinjve, ka folur për FIFA-n për mundësitë e përfaqësueses sonë për t’u kualifikuar. Ndonëse kundërshtarët janë shumë të fortë, pikët e grumbulluara në 5 ndeshje të zhvilluara të bëjnë të besosh.

“Pas fitores me Bjellorusinë në Tiranë, të gjithë njerëzit në Shqipëri besojnë se mund t’i arrijmë finalet. 3 pikët me Bjellorusinë kanë qenë të mrekullueshme, pasi atë ndeshje duhej patjetër ta fitonim. Ndihem krenar që pikërisht unë shënova golin e fitores.

Fitorja na ka dhënë shumë besim për ndeshjet e ardhshme,” – është shprehur Salihi. Shqipëria mban vendin e 3-të në Grupin D, pas Francës dhe Bjellorusisë (me të njëjtën sasi pikësh), ndërsa gati një muaj më parë ka shënuar rekordin historik, duke u renditur në vendin e 50-të nga FIFA.

“E di mirë që do të jetë shumë e vështirë, pasi në grup janë 3-4 skuadra që pretendojnë kualifikimin. Në bazë të renditjes, vetëm Franca duket e favorizuar për t’u kualifikuar. Nëse ia dalim, e gjithë vendi im do të jetë në festë,” – vijon Salihi. Për të pretenduar mrekullinë, skuadra që drejtohet nga Kuzhe duhet të kalojë me sukses Bosnjën:

“Do të jetë shumë e vështirë. Gjithsesi fakti që kemi mundur Bjellorusinë na jep besim se mund ta kalojmë Bosnjën, që ka futbollistë shumë të mirë.” Salihi ka komentuar edhe thënien e Oto Bariçit, ish-trajnerit kuqezi që e krahasonte shkodranin me Gerd Mylerin: “Kur Shqipërinë e drejtonte Oto Bariç, ai gjithmonë në media më krahasonte me Gerd Mylerin. Pikërisht nga ky krahasim rrjedh edhe nofka ime “bomber”.

Megjithëse mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm, Salihi është modest, duke vlerësuar lojën e gjithë skuadrës, si një trup i vetëm: “Sa herë që luajmë, mundohemi të jemi të bashkuar. Një sulmues nuk mund të bëjë gjithçka vetëm, sado i rëndësishëm të jetë.”

1 komente në “Salihi: Mrekulli nëse mundim Bosnjën!”

  1. Ermal says:

    Hamdi,
    Nese do luani me mend ne koke do quhet realitet fitorja me Bosnjen.
    Mrekulli quhet te rrahesh Brazilin i dashur.

    Suksese!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje