Inter-Tevez, shumë pranë

11 Maj 2011, 11:39Sport TEMA

Sulmuesi argjentinas i Mançester Sitit, Karlos Tevez, është shumë pranë kalimit të tij tek Interi. Kjo gjë është bërë e ditur nga vetë trajneri i Sitit, Roberto Mançini. Ky i fundit ka konfirmuar se Tevez i ka kërkuar klubit që në dhjetor që të largohet në Itali. Kjo gjë nuk ndodhi në merkaton e janarit, por me shumë mundësi do të ndodhë gjatë merkatos së verës. Aktualisht, për Tevezin në Itali interesohet edhe Juventusi, por ka dy arsye përse argjentinasi me të gjitha mundësitë do të shkojë tek Interi dhe jo tek bardhezinjtë. E para ka të bëjë me rrogën e tij, e cila është 6 milionë euro në sezon, gjë që Juventusi nuk mund t’ja sigurojë. E dyta ka të bëjë me faktin se Juventusi nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve gjatë sezonit të ardhshëm dhe Tevez nuk mund të kënaqet më pjesëmarrjen në Ligën e Europës, për shkakun se tashmë ka dy sezone radhazi që nuk luan në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube. Për këtë arsye, të gjitha rrugët në Itali Tevezin e çojnë drejt Interit.

Lini një Përgjigje