Flamurtari në UEFA: Ja provat e trukimeve

9 Maj 2011, 14:54Sport TEMA

Kreu i Bashkisë së Vlorës, njëkohësisht president i KS Flamurtari, Shpëtim Gjika, është i vendosur për t’u hakmarrë sipas tij për maskaradën që u bë nga Federata në kurriz të skuadrës së tij.Kreu i klubit vlonjat ka konfirmuar se ka dërguar prej ditësh në UEFA provat për ndeshje të ndryshme të ekipit të tij, veçanërisht atë të Laçit. Nisur nga kjo, ai paralajmëron rivalin e tij kryesor për këtë sezon, Skënderbeun, se s’ka për ta shijuar titullin, pasi në fund do ta pësojë si Elbasani, duke iu hequr pikët në tavolinë.

Si do ta komentonit situatën që po kalon Flamurtari, duke filluar që nga ndeshja me Laçin?
Nuk kam fjalë për ta komentuar këtë gjendje. Kampionati është shndërruar si në Çeçeninë e para disa viteve, ku futbolli luhej me gjuhën e armëve, bombave dhe kërcënimeve. Për sa i përket këtyre të fundit, mjafton të kujtosh mënyrën sesi u mor në pyetje portieri ynë, Shpëtim Moçka, nga ana e Komisionit të Disiplinës, e cila ishte jashtë çdo rregulli dhe natyrisht nuk kishte aspak lidhje me futbollin. Lojtari ynë u kërcënua se do t’i mbyllej karriera futbollistike dhe e gjithë kjo bëhej me qëllim që Komisioni të mos na jepte tri pikët. Ndërsa në Shkodër, edhe pse ekipi shkoi vetëm me synimin për të respektuar garën, nuk u lejua prapë. Për të vetmen arsye, që ta nxirrnin Flamurtarin se ishte ai “fara e keqe”, dhe jo Federata.

Pas asaj ndeshje në Shkodër, keni komunikuar me skuadrën dhe a keni menduar si do të vijojë e ardhmja?
Po, kam folur menjëherë pas përfundimit të ndeshjes me Vllazninë. U thashë çunave të mos mërziteshin, pasi ata e kishin bërë detyrën e tyre duke fituar lojën, që deri në ato momente u luajt pastër. Pastaj, vendimin për ta larguar ekipin nga fusha e dhashë unë, për arsye se nuk lejova që nderi i një ekipi dhe krenaria e një qyteti të vihej në lojë nga një pseudo gjyqtar, që në Vlorë s’ka për të arbitruar kurrë më.

Presidenti i vendit, z. Bamir Topi, në një deklaratë të tij ka thënë se politika duhet të largohet urgjentisht nga sporti, si e gjykoni këtë?
Po, e kam ndjekur deklaratën e Presidentit Topi dhe jam plotësisht dakord me të. Kohët e fundit sporti po përdoret nga njerëz për përfitime elektorale. Unë për vete s’e kam bërë asnjëherë këtë gjë, madje në fillim të kampionatit, po t’i hidhni një sy kontratës së lojtarëve, do ta kuptoni më mirë, ku objektivi kryesor ishte renditja në tre vendet e para. Por, më pas ekipi tregoi që kishte mundësi për më shumë, duke nisur vetë të luftojë për të fituar edhe titullin.

Çfarë masash keni ndërmend të merrni për të mbrojtur ekipin pas këtyre ngjarjeve?
Një fjalë e urtë thotë: “I duruari i Fituari”. Në rastin tonë, kupa është mbushur plot dhe durimi ka sosur, por jo aq sa të jemi të pakujdesshëm.

Çfarë doni të thoni me këtë?
Dua të them se Skënderbeu mund ta pësojë si Elbasani, duke iu hequr pikët, kjo për arsye se si Federata dhe Skënderbeu janë ngatërruar në ekipin e gabuar dhe kanë për ta pësuar shumë keq. Ne si klub, por edhe si bashki, e cila ka në varësi ekipin e Flamurtarit, kemi çuar provat në UEFA, ku si prova janë përdoruar materiale filmike të disa prej ndeshjeve tona, por edhe të Skënderbeut. Madje, kemi dërguar edhe relacionin tonë për ndeshjen e Laçit për t’u shqyrtuar nga hetuesi e UEFA-s. Në rast se ata do t’i japin të drejtë Flamurtarit, atëherë Skënderbeu do të “nxjerrë kafe me raki”.

Po në rast se kjo nuk do të ndodhte, çfarë do të bëni ju?
Do t’i thosha “bravo” ekipit për punën e kryer, pasi në fund të fundit, Flamurtari e ka fituar kampionatin e tij të vërtetë që në fazën e dytë. Ndërsa Skënderbeut do t’i thosha që t’i bëjë mirë llogaritë kur të vijë në Vlorë, pasi me nderin e vlonjatit nuk bëhet shaka. (Panorama Sport)

1 komente në “Flamurtari në UEFA: Ja provat e trukimeve”

  1. SKENDERBEU says:

    SI KORCAR I NDERSHEM THEM TE LUMTE O SHPETIM GJIKA.NJE FITORE E MORE DO MARESH DHE FITOREN E FUTBOLLIT TE DREJTE.DJEMTE E FLAMURTARIT JANE ME TE MIRET SOT NE FUTBOLL.PO KUR DEL NJE AGA DEVOLLI SI RITVAN BODIA QE PATATET E GRISURA QE KISHTE NE KEPUCE DIKUR I MENDON PER TOPA FUTBOLLI SEPSE VODHI ARKEN E SHTETIT CFUTBOLLMUND TE LUHET.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje