Del Piero-Juventus, historia vazhdon

5 Maj 2011, 20:28Sport TEMA

Alesandro Del Piero do të vazhdojë që të veshë edhe sezonin e ardhshëm fanellën e Juventusit. Lajmi është zyrtarizuar gjatë ditës së sotme nga klubi bardhezi. “Juventusi njofton se ka rinovuar kontratën e Alesandro Del Pieros. Kontrata e re, e nënshkruar nga presidenti Anjeli dhe lojtari, është  e vlefshme deri më 30 qershor 2012. Takimi për kontratën është mbajtur në stadiumin e ri”, thuhet në komunikatën e klubit të Juventusit. Në fillim të ditës, Del Piero kishte shkruar në faqen zyrtare të tij në rrjetin social Facebook, se “kjo është një ditë e veçantë”. Dhe në fakt, ashtu ka qenë, pasi ai do të veshë edhe për një vit fanellën e Juventusit. Një histori që ka nisur në vitin e largët 1993 dhe që duket se nuk do të ketë fund, pasi edhe pasi të lërë futbollin e luajtur, e ardhmja e Del Pieros pritet që të jetë sërish tek Juventusi, kësaj radhe si drejtues.

Del Piero: Jam i lumtur, tani dua të fitoj

“Ndjenjat janë të bukura, ashtu si në vitin 1993”. Kështu është shprehur Alesandro Del Piero pas rinovimit të kontratës me Juventusin, i cili tregon emocionet e veta: “Jam i lumtur që ndodhem këtu, pasi siç e kam thënë edhe më parë, doja që të luaja edhe një vit. Nuk ishte e vështirë që të gjenim një akord, nuk kishte shumë gjëra për të diskutuar. Bëmë atë që duhet të bënim sot(dje), në një ditë të veçantë”. Kontrata e Del Pieros është rinovuar në një ditë të veçantë për bardhezinjtë, pasi në 5 majin e nëntë viteve më parë, Juventusi arrinte që t’i rrëmbente Interit titullin kampion në javën e fundit të kampionatit. “Sigurisht që është një kënaqësi, por rinovimi i kontratës në këtë datë, e cila ka një domethënie për ne, është një koeçidencë”, ka thënë Del Piero. Ky i fundit është shprehur shumë i lumtur që kontratën e ka nënshkruar në stadiumin e ri, në të cilin mezi po pret që të luajë gjatë sezonit të ardhshëm. Ndërkohë, Del Piero vazhdon që të ndihet i dashuruar me futbollin. Ai shprehet se nuk mund ta imagjinojë dot jetën e tij pa futbollin.

Anjeli: Do të fitojë kampionatin në stadiumin e ri

“Rinovimi i kontratës së Del Pieros për mua ka një domethënie të veçantë. Njihemi që kur ka ardhur tek Juventusi, kemi pasur një rrugë rritjeje të përbashkët. Ende e kujtoj atë tripletë të tij në ndeshjen me Parmën. Ka treguar çdo ditë gjatë gjithë këtyre 18 viteve se është një juventin i vërtetë dhe këtë gjë do ta transmetojë edhe në stadiumin e ri”, ka thënë presidenti i bardhezinjve, Andrea Anjeli, pas nënshkrimit të kontratës me Del Pieron, që do ta mbajë këtë të fundit edhe një vit tjetër tek bardhezinjtë. Anjeli ka shpjeguar se tratativat për rinovimin e kontratës së Del Pieros, pavarësisht zërave të shumta, kanë qenë të thjeshta. “Jemi takuar në janar dhe i kam thënë që të më tregojë si ndihet në fund të sezonit. Jemi pothuajse në fund të sezonit dhe Alesandro më ka thënë: Po, e ndjej që mund të vazhdoj ende të luaj, përfaqësoj Juventusin dhe dua që të dal nga stadiumi i ri me një titull kampion. Del Piero do të mbartë në fushë kapacitetin e tij teknik, grintën dhe dëshirën e tij për të fituar”, është shprehur presidenti bardhezi, i cili ka vazhduar: “Është ndoshta kontrata e fundit e tij që nënshkruan me ne dhe për këtë Del Piero është i përqëndruar që të fitojë çdo ndeshje”. Sipas Anjelit, momenti i hedhjes së firmës nga Del Piero ka qenë diçka fizike, pasi emocionet më të mëdha i ka ndjerë në momentin kur numri 10 i bardhezinjve i ka thënë: “Po, dëshiroj që të jem ende kapiteni i Juventusit”. Në fund të fjalës së tij, Anjeli ka thënë se të gjithë presin që sezoni i ardhshëm të jetë ai i shkundjes dhe i fitimit të ndonjë titulli.

 

Lini një Përgjigje