Duket se braziliani Rikardo Kaka do të luajë për Çelsin gjatë sezonit të ardhshëm. Këtë gjë e ka bërë të ditur mamaja e mesfushorit të Realit të Madridit, e cila ka shkruajtur në Twitter një mesazh që duket qartë se cili do të jetë destinacioni i ardhshëm i brazilianit. “Të dashurit e mi, vitin e ardhshëm do ta predikojmë fjalën e Zotit në Londër”, ka shkruajtur Simone Leite në faqen e saj në Twitter. Deri më tani, familja e Kakasë ka qenë shumë e lidhur me të dhe e ka ndjekur gjithmonë. Kjo bën të kuptohet që ekziston një mundësi reale për kalimin e tij tek Çelsi. Pronari i bluve të Londrës, Roman Abramoviç, e ka kërkuar prej kohësh në ekipin e tij brazilianin dhe duket se kjo do të jetë mundësia më e mirë për ta marrë atë. Ditët e kaluara është folur edhe për mundësinë e shkëmbimit të Kakasë me Lampard, por kjo është vetëm një hipotezë.