Sulmuesi Erjon Bogdani nuk do të polemizojë me trajnerin për ndërrimin, por sqaron se gjithçka kishte të bënte me taktikën e kroatit. Po të kishin shënuar, për Bogdanin në përfundim do të flitej ndryshe dhe jo për gabime.
– Erjon, ndërrimi juaj na u duk i çuditshëm. Çfarë ngjau në të vërtetë?
– Edhe mua më vjen shumë keq, sepse dëgjova disa komente që Bogdani është ndërruar për arsye dëmtimi, por në të vërtetë nuk ishte kështu. Trajneri mendoi se ndërrimi im ishte zgjidhje e mirë taktike.
– Gjithsesi ky vendim i Kuzhes ishte i gabuar?
– Në pjesën e dytë skuadra jonë mund të mundej, por edhe mund të fitonte, por unë s’kam dëshirë të bëj polemika për ndërrimin, sepse trajneri ynë gjithmonë mendon për të mirën e skuadrës. Duhet ta kuptojmë trajnerin në çdo veprimm që bën. Ne me një aksion mund të kishim barazuar dhe sigurisht nuk do të flisnim për gabime taktike.
– Ju mund ta mbanit më përpara skuadrën tonë në sulm…?
– Më vjen keq edhe për veten, sepse në pjesën e parë vrapova shumë, bëra gjithçka për skuadrën ashtu siç bënë të gjithë lojtarët e tjerë.
– Keni biseduar diçka me trajnerin në përfundim të ndeshjes?
– Në fund të takimit e pashë Kuzhen shumë të mërzitur dhe në njëfarë mënyrë e ngushëllova.
– Kjo humbje e Shqipërisë, për nga mënyra sesi erdhi, duket se i faturohet më shumë trajnerit…?
– E thashë edhe më lart, s’dua të polemizoj. Kam luajtur një sezon shumë të mirë me Çezenën, edhe në kombëtaren kam dhënë maksimumin, por ky ishte një vendim i Kuzhes, të cilin ai e mendoi për mirë. Unë në pushim të ndeshjes u dhashë kurajë të gjithë çunave, që të mund të merrnin një barazim, pse jo edhe fitore, por për fat të keq kjo nuk u arrit.
-Ju keni deklaruar se do të tërhiqeni, por kjo kombëtare ka shumë nevojë për ju…?
– Më vjen mirë që më vlerësoni. Edhe unë dua të jap maksimumin dhe të bëj gjithçka për kombëtaren për aq kohë sa luaj. Nëse do të luaj një pjesë te Çezena, po kështu edhe në kombëtare kam dëshirë që të aktivizohen edhe çunat e rinj, që të ambientohen sa më shumë me ekipin.
– Situata në grup po bëhet shumë e vështirë për Shqipërinë…?
– Shiko, ishte një humbje përballë një skuadre shumë të mirë dhe nuk duhet ta bëjmë tragjedi. Ne e dinim që në pjesën e dytë Bosnja do të na sulmonte, por mënyra se si erdhi goli, të bën të ndihesh keq./sportishqiptar/
Kuzhja gaboi taktike ne pjesen e dyte. Duhet pare per nje trainier te ri se po vazhdojme te mbyllim cdo edicion ne vend te parafundit.