Vllaznia fiton qindra mijëra euro nga shitja e talenteve

13 Qershor 2011, 20:03Sport TEMA
Vllaznia fiton qindra mijëra euro nga shitja e talenteve

Vajushi

Klubi shkodran me strategjinë më të mirë në vend. Pas Sukajt, Likës, Telit apo Balës, radhën e ka sulmuesi Vajushi

Në vitin 2008 u fituan 210 000 euro, dy vjet më pas 200 000, ndërsa këtë verë synohen të paktën 200 mijë të tjera. Këto para gjenerohen nga talentet shkodranë të cilët klubi kuqeblu është me fat që i ka. Ndërsa transferimi i Armando Vajushit është çështje e ditës, ia vlen të kujtohet se vitet e fundit Vllaznia ka arritur të përfitojë disa herë në treg.

 

Ishte gushti i 2008-ës kur tifozët shkodranë patën kënaqësinë të ndiqnin ndeshjen e skuadrës së tyre të zemrës ndaj Napolit të Serisë A në Kupën UEFA, sot Liga e Europës dhe vetëm pak ditë më pas, presidenti Fushaj ra dakord që tre prej lojtarëve më të talentuar të skuadrës, sulmuesi Xhevahir Sukaj, mbrojtësi Admir Teli dhe lojtari i krahut, Gilman Lika, të largoheshin nga Shkodra kundrejt shumës prej 210 mijë eurosh. Bashkë me paratë që u morën nga e drejta televizive dhe nga ecuria në Kupën UEFA, besohet se kuqeblutë i patën fitimet deri pranë 500 000 eurove.

 

Verën e vitit të kaluar ishte radha e Bekim Balës i cili shkoi tek skuadra e Superligës turke, Gençlerbirligi dhe besohet se tek shkodranët u paguan 200 000 euro. Pavarësisht se sulmuesi i ri nuk mundi të depërtonte në radhët e skuadrës turke, sërish Vllaznia e fitoi bastin e saj.

 

Tashmë jemi tek Vajushi dhe shifrat e viteve të kaluara besohet se e shtyjnë presidentin shkodran që të ketë kërkesa të larta.

 

Ai tashmë kërkon 300 000 euro, bashkë me 20 për qind të shitjes së radhës deri në moshën 23 vjeç, ndërsa klubi që ka qenë më pranë sulmuesit, Hajduku i Splitit ka ofruar 200 000 dhe 10 për qind të shitjes së ardhshme.

 

Të shikojmë sesi do të përfundojë, por Vllaznia është në rrugë të mbarë të paktën përsa i përket gjenerimit të financave të saj, aq më shumë me skuadrat e moshave që janë shpallur kampione të Shqipërisë./sportishqiptar/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje