Kur dhe kush e çliroi Kosovën?

14 Qershor 2011, 23:05Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

Ishte ditë vapë e qershorit të vitit 1999, kur me një koleg tjetër gazetar kosovar nga Brukseli dhe me një grup gazetarësh të huaj kishim hyrë në qytetin e Pejës, atëherë të shkatërruar që dukej si një qytet pas apokalipsës, ku në rrugë nuk kishte njerëz, ndërsa mbi gërmadhat e shtëpive të rrënuara dhe të djegura shihej aty-këtu ndonjë qenë i ngordhur. Ata pak njerëz që takuam tregonin për tmerrin që kishin përjetuar, ndërkohë që nuk ishin të sigurt nëse i kishte ardhur fundi apo jo ankthit të tyre. Një javë më vonë, në të njëjtin vend në këtë qytet situata kishte ndryshuar dukshëm. Disa të rinj nga Shqipëria kishin sjellë disa fuqi naftë dhe benzinë dhe shisnin për marka ose lekë, por nuk pranonin dinarë të Serbisë. Ushtarët italianë, me syza dielli, bënin foto mbi autoblindat e tyre, ndërsa rrugëve të qytetit shiheshin ushtarë me uniforma të UÇK-së. Disa prej tyre filluan bisedën, por nuk flisnin për luftën. Flisnin rreth asaj se cila ka qenë UÇK-ja e vërtetë, kush ka luftuar në Koshare e kush në Tiranë e Vjenë, kush ka bashkëpunuar me serbë e kush jo. Cila pjesë e UÇK-së „s’ka pasë kohë me luftu kundër shkaut se ka luftu kundër shqiptarëve  tjerë“. Në fund, duke e ditur se kemi raportuar nga selia e NATO-s gjatë fushatës së bombardimeve dhe kemi hyrë me trupat e NATO-s në Kosovë, njëri prej tyre na tha: „Ah, ju jeni ata gazetarët që po mundoheni ta  bindni popullin se kishe NATO-ja na ka çliruar“. Në atë kohë nuk e kuptova sa duhej këtë vërejtje, por sot e kam më të qartë se çfarë kishte dashur të thoshte.

Edhe sot e kësaj dite marrja e meritave për diçka në Kosovë është në modë, për çfarëdo qoftë. Pa dyshim se askush nuk ka dhënë kontribut më të madh për çlirimin e Kosovës sesa ata që ishin në gjendje të shkonin në front që të jepnin jetën e tyre për këtë liri. Por çfarë nevoje kanë ata të orvaten të nënvlerësojnë luftën e NATO-s, pa të cilën pakkush beson se shqiptarët e Kosovës vetë do ta çlironin vendin e tyre. Po sot edhe francezët, belgët dhe holandezët haptas thonë se lirinë e tyre ua kanë borxh amerikanëve dhe anglezëve.  Tash kur kujtoj ato ditë të vitit 1999, hyrjen në Kosovë me trupat e NATO-s pas tre muaj e gjysmë të numërimit të secilit sulm të Aleancës ndaj forcave të Milosheviqit, siç po numërohen sot ato ndaj forcave të Gadafit në Libi, detyrimisht mendoj se Kosova dhe populli i saj kanë pasur një fat në fatkeqësinë e tyre dhe rrota e historisë është sjellë në atë mënyrë. Shumë rrethana kanë ndikuar që pikërisht në Kosovë të ndërhyjë NATO-ja, e njëra prej tyre ka qenë dështimi tragjik i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, ku me heshtjen e NATO-s dhe mosveprimin e misionit të OKB-së ndodhi gjenocidi në Srebrenicë. Fjala e parë që NATO-ja kishte thënë për Kosovën në fillim të vitit 1998 ishte se „nuk do të lejohet përsëritja e Bosnjës në Kosovë“. Kishte shumë ndërlidhje zhvillimesh që bënë që në këtë mënyrë të përmbyllej kjo pjesë e historisë së Kosovës, Ballkanit, Evropës dhe më gjerë.

Po të mos ishte represioni serb, nuk do të kishte as rezistencë paqësore, pa të cilën nuk do të ndodhnin zhgënjimi dhe përulja e papërballueshme e qytetarëve të Kosovës, që solli paraqitjen e UÇK-së, lufta e së cilës solli interesimin më të madh të bashkësisë ndërkombëtare dhe Konferenca e Rambouilletit që nxori një marrëveshje, mospranimi i së cilës nga Serbia dhe pranimi nga delegacioni i Kosovës solli nisjen e bombardimeve të NATO-s, të cilat sollën largimin e forcave të Serbisë nga Kosova, që do të duhej të kuptohej si çlirim i Kosovës. Sot nganjëherë harrohet kjo lidhje e ngjarjeve dhe na dalin legjenda të ndryshme rreth asaj se kush kur dhe cilën pjesë të Kosovës na e paska çliruar.

Tash 12 vjet pas çlirimit të Kosovës si ditë e çlirimit të Prishtinës festohet dita kur në qendër të qytetit kishin hyrë forcat ruse, ditë që ata të cilët e përjetuan thonë se ka qenë dita më e rëndë në jetën e tyre. Tash idealizohet gjithçka dhe krijohet përshtypja se Kosova ishte unike në luftën e saj për çlirim, çka është falsifikim i historisë. Ish-kundërshtarët e kohës së luftës, që as ideali i luftës për liri dhe pavarësi nuk arriti t’i bashkonte, tash janë bashkuar për të ndarë pushtetin, sepse nuk paska ideal më të madh sesa pushteti. Nuk mund t’i harrojmë sot rolin e  Bujar Bukoshit e të Hashim Thaçit, që bënë që Kosova e asaj kohe duke u paraqitur me dy qeveri dhe dy kryeministra u kuptua nga faktori ndërkombëtar si një vend pa pushtet dhe u lejua anarkia. Të mos harrojmë se presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova u kthye nga Italia vetëm pasi e solli ambasadori i atëhershëm amerikan në Shkup, Christophet Hill. Të mos harrojmë se disa komandantë të UÇK-së edhe pas luftës i ndanin zonat, dhe nuk dihej nëse Prishtina i takonte zonës së Llapit apo të Drenicës.  Të mos harrojmë se sa u shumëfishua numri i luftëtarëve pas luftës dhe sa njerëz blinin uniforma, e vinin shenjën e UÇK-së dhe me to plaçkitnin bagëti nëpër fshatra të Kosovës dhe bënin gjithë të zezat, duke njollosur kështu imazhin e atyre që vërtet luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për çlirimin e Kosovës. Me të drejtë disa komandantë të UÇK-së thoshin se po të kishim pasur kaq ushtarë në luftë sa paraqiten se kemi tash pas luftës, ndoshta nuk do të kishim pasur fare nevojë për NATO-n.

Por sot paraqitet edhe një pyetje tjetër, ajo a është Kosova më të vërtetë e lirë dhe e pavarur. Tash 12 vjet më vonë, kemi policinë e Republikës së Serbisë, pa ftesë të Republikës së Kosovës, të jetë e pranishme në territorin e Republikës së Kosovës. Praninë e forcave të huaja ushtarake dhe policore nuk e trajtojmë si kufizim të lirisë, sepse kanë ardhur edhe me ftesë të autoriteteve legjitime të Kosovës si rezultat i kuptimit se vetë nuk jemi në gjendje të udhëheqim shtetin në mënyrë demokratike dhe në respektim të plotë të sundimit të rendit dhe ligjit.

Kosova do të duhej të caktonte zyrtarisht një ditë të çlirimit të saj. Ka aq shumë festa, madje edhe aso qesharake si „Dita e Evropës“ që askund në Evropë pos në Kosovë nuk është ditë e festës shtetërore. Por është mungesë e ndjenjës për të qenë falënderues ndaj NATO-s, UÇK-së e kujtdo tjetër që dikush mund ta konsiderojë si çlirimtar faktin se Kosova nuk ka një festë shtetërore si ditë të çlirimit të saj.

8 komente në “Kur dhe kush e çliroi Kosovën?”

  1. Edi Detroit says:

    Jam plotesisht dakort me shkrimin, pa NATON Kosova nuk do clirohej kurre. Fati i madh qe terhoqi vemendjen e SHBA, se po te ishte per EUROPEN…..

  2. Frederik says:

    “Ish-kundërshtarët e kohës së luftës, që as ideali i luftës për liri dhe pavarësi nuk arriti t’i bashkonte, tash janë bashkuar për të ndarë pushtetin, sepse nuk paska ideal më të madh sesa pushteti”

    Shkrimi eshte shume i goditur.
    Me duhet te them se keta ish kundershtare te luftes nese do te ishin idealiste kunder luftes , sigurisht qe sot nuk do te kerkonin pushtet per shkak te parimit te tyre kunder dhunes dhe se dyti nuk kane pse te marrin per diçka qe nuk e japin.
    Por ma do mendja se problemi eshte me i thelle . Aktivizimi i tyre ne pushtet nese nuk kane baze te gjere te mbeshtetjes popullore ( dhe ketu do te ishte nje pikepyetje per nivelin e popullit) , eshte per qellime te erreta dhe sponsorizuesit qendrojne te fshehur dhe luajne me shume karta.

  3. artur says:

    Armiku me i madh i kosoves dhe i tere kombit shqiptar,eshte pa asnje medyshje,Sali Ram Berisha.Shikojeni zoterinj te nderuar,me vemendje te gjithe historine 20-vjecare te kosoves dhe te shqiperise dhe do te kuptoni se sa here qe kombit tone i eshte dhene shansi per tu radhitur me kombet e prosperuar,dora e pergjakur e dhendrit te serbise i ka zhytur ne kaos.

  4. F. Teneqja , Mynih says:

    Shkrum tepër i dobët dhe qëllimshëm i turbullt .I lexoj me respekt shkrimet e z Palokaj të shkruara qartë e me realizëm por kësaj radhe e ka tepruar .Edhe zogjtë mbi çati , do të thonin gjermanët i dinë këto gjëra që thuhen këtu por e vërteta është ndryshe : ku çmohet e respektohet NATO ja më shumë se në Kosovë ; madje nga të gjithë : edhe nga ata që ishin vënë në gjumë nga nënamashkull me shall dhe prisnin që liria tu pikë si një mollë e pjekur , drejt e në gojë po edhe ata që nuk i dëgjuan këshillat e Presidentit tonë historik dhe morën pushkën krahut .Problemi nuk qëndron te mosrespekti ndaj NATO s por te përbuzja e luftëtarëve të lirisë që shpjegohet me psikologjonë e skllavit : mospasja besim në forcat e veta dhe problemet që i sjell skllavit liria e ardhur papritur .Nuk ka si shpjegohet ndryshe edhe përbuzja që i bëhet atje bie fjala Qosjes vetëm pse ai ka pasur guximin tua qjerr maskat sa millosheviqve edhe rogovistëve edhe saliistëve.

  5. katarakti says:

    Mjegull dhe turbullire e ngritur me qellim nga autori i ketij shkrimi, per te denigruar UCK-ne. Dihet boterisht se po te mos ish NATO, Kosova nuk mund te çlirohej kurre. Por eshte po aq e qarte se pa luften e UCK-se, pa rebelimin e Adem Jasharit me shoke, NATO nuk do te kishte dot asnje mundesi per te nderhyre ne Kosove. Pra ishte UCK-ja qe mundesoi intervenimin e NATO-s qe çliroi Kosoven, dhe kete e kane pohuar me ze te larte te gjithe udheheqesit e UCK-se. Dhe e di e gjithe bota. Por diversioni dhe “miopia” e autorit per te mohuar keto te verteta te njohura boterisht, e ka ndofta bazen ne nostalgjine e tij per Titon dhe ish-Jugosllavine e dashur. Prandaj hedh balte sot ndaj UCK-se. Nje mik me ka thene qe ky person “A.P”. qante gjate kohes se luftes ne Bosnje, kur transmetonte nga Zagrebi per emisionin shqip te BBC-se, aq shume i dhimbej Jugosllavia qe po shkaterrohej. Plehra qe fshihen pas aureoles se Bashkimit Europian dhe NATO-s.

  6. bama says:

    Zoti Palokja . Nuk po na thoke fare se cfare ka bo UCK-ja ? Po tu kujtoka vetem qe ….”….ka vra shqiptaret e tjere qe nuk bashkoheshin me UCK-ne….” ? Kjo tu kujtoka ?

    Zoti palokja , mundet t’i shijosh eurot dhe dollaret se bashku me dinaret , edhe pa e hedh “helmin’ ne popull tand …! Apo nuk t’i japin ndryshe ?

    Si nuk na u shqipt nga shpina kjo lloj fare ???? Kendo , kendo kengen e qoftelargut , kur vete populli shqiptar eshte i cofte dhe qyqe si ty dhe Sala i kendojne mbi koke !

  7. Xha Sulo says:

    Nuk marr persiper per Kosoven por Prizrenin e kam “cliruar” une. Mbas meje nxuarren kokat banoret e strukur nga frika, UCK nga rrethinat hyri ne qytet e serbet u larguan nga qyteti. Nuk ju besohet? Me shkruani dhe ju jap faktet me fotografi e me TV.

  8. PARAK says:

    Sic thuhet, historine e bejne fitimtaret. Ne kete kuptim historine moderne te Kosoves, sot do ta bej UCK. E meriton. Le te leme profesionistet, ne te ardhmen, te lemojne e saktesojne, te shtojne apo heqin arsye e perfundime. Qartazi, Z.A.Paloka nuk ben pjese te fitimtaret. Kjo, nuk e lejon ate, madje, as ta gezoje lirine e Kosoves lere pastaj ti mundesoje nje analize te pa aneshme e ,aq me pak, tu shtrengoje doren fitimtareve. E ftoj Z.Paloka ti hedhe nje sy historise boterore dhe te gjeje qofte edhe nje periudhe, a nje lufte, a nje beteje qe ka sjelle paqe, a liri, a progres qe nuk eshte perfolur e baltosur, me ose pa te drejte. Por, kjo nuk e ka erresuar aspak lavdine e ngjarjes dhe te fitimtareve dhe as e ka zbardhur zgjyren e baltosesit. Ne te vertete, nuk me shqeteson Z.Paloka.Shqetesimin e vertete ma jep redaksia e “TEMA”-s qe brenda faqes se sotme ka dy shkrime denigruese per UCK. Dhe per me teper, pa asnje koment apo teze alternative per kete denigrim. Per respektin dhe admirimin qe kam per kete gazete, dua te shpresoj se eshte nje rastesi dhe jo nje kahje e qellimshme e zgjedhur ne menyre te gabuar kunder Z.Thaci qe duket si aleat virtual i Berishes. Me modesti, gjykoj qe nuk eshte i tille.Por, edhe sikur te jete. Sot, fytyra e Thacit eshte fytyra e UCK,trashegimia e se ciles eshte nga thesaret e rralla aktuale te kombit tone. E, si e tille, duhet te mbrohet me cdo mjet, nga cdo kush e kunder kujtdo: qe nga D.Marti deri te Paloket.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje