Një "ekip" shqiptarësh në Serinë A

15 Qershor 2011, 12:50Sport TEMA

Shtatë futbollistë shqiptarë janë pjesë e skuadrave italiane që do të garojnë në Serie A stinorin e ri, që shënon numër rekord të shqiptarëve në këtë ligë. Por, ky rekord mund të dyfishohet nëse gjatë kësaj vere do të përfundojnë në ekipet italiane edhe nja shtatë apo tetë futbollistë tjerë shqiptarë që kërkohen vazhdimisht. Gjithsesi nëse jo të gjithë, mediat italiane raportojnë se të paktën tre apo katër shqiptarë do të bëhen pjesë e ekipeve të Serie A.

Valon Behrami (Fiorentina), Blerim Xhemajli (Parma), Erjon Bogdani (Cesena) e Pajtim Kasami (Palermo) ishin pjesë e Serie A edhe në edicionin e shkuar. Në edicionin 2011-12, me skuadrat e tyre në Serie A janë ngritur edhe Migjen Basha (Atalanta), Samir Ujkani e Rijat Shala (Novara). Kësaj shtatësheje, ka shumë mundësi t’u bashkohen gjatë verës edhe Lorik Cana (Galatasaray), Përparim Hetemaj e Panajot Kone (Brescia), Mehmet Hetemaj (Albinoleffe), Agon Mehmeti (Malmo) dhe Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka (Basel).

I pari që mund t’i bashkohet këtij “karvani” është mesfushori i Galatasarayt, Lorik Cana. Cana pritet që shumë shpejt të zyrtarizojë transferimin e tij te skuadra e Lazios, që me ngulm kërkon shërbimet e mesfushorit kosovar.

“Serie A është një kampionat interesant, kurse Lazio është një klub që stinorin e ri do të luajë në Ligën e Evropës”, ka thënë Cana në një intervistë për gazetën ditë më parë.

Rrugën e tij, mund ta përcjellin edhe vëllezërit Përparim e Mehmet Hetemaj, që janë pjesë e skuadrave që do të garojnë në Serie B. Përparimi kërkohet nga një numër i madh skuadrash në Serie A pas një edicioni me Brescian të vlerësuar lart nga ekspertët. Ai shënoi dy gola, por nuk arriti ta shpëtojë ekipin nga rënia. Për të interesim kanë treguar Inter, Fiorentina, Genoa e Lazio. Kjo e fundit kërkon edhe bashkëlojtarin e tij, Panajot Kone, derisa Mehmet Hetemaj kërkohet nga Lecce pas dy edicioneve të kaluara në Serie B me Albinoleffen.

“Kam oferta nga ekipet e Serie A dhe sipas të gjitha gjasave në edicionin e ri do të luajë aty. Mendoj se jam mjaft i pjekur për t’u treguar i suksesshëm edhe në Serie A, sikur në Serie B”, pati thënë më herët Mehmet Hetemaj.

Ëndërr të luajë në Serie A e ka edhe sulmuesi kosovar i Malmos, Agon Mehmeti dhe kjo ëndërr mund t’i realizohet shpejt, pasi Palermo është tepër e interesuar për të. Ai ka edhe gjashtë muaj kontratë me ekipin suedez dhe Palermo është e gatshme t’i paguajë Malmos një dëmshpërblim prej 1.5 milionë eurosh.

“Është ëndërr imja të luaj në Itali. Jam i njoftuar për interesimin e Palermos, por duhet biseduar edhe me Malmon”, ka thënë Mehmeti për mediumet suedeze.

I lumtur që do të luajë në Serie A është edhe portieri i Novaras Samir Ujkani. Dhe, kjo lumturi shtohet kur ka parasysh se shumë shpejt edhe bashkëlojtari te Kombëtarja shqiptare, Lorik Cana, mund të përfundojë në elitën italiane.

“Unë jam shumë i kënaqur që po shtohet numri i futbollistëve shqiptarë në njërën nga ligat më të forta evropiane. Futbollistët shqiptarë janë të talentuar dhe jo vetëm në Serie A, por mund të luajnë në secilën ligë të fortë evropiane. Fakti që luajnë shumë shqiptarë në Serie A dëshmon që kemi kualitet”, ka thënë Ujkani të martën për gazetën. “Shpresoj që edhe Lorik Cana të transferohet te Lazio”.

Në të vërtetë, në Serie A ka gjasa të mëdha të përfundojnë edhe dy yjet e rinjtë Baselit dhe të Përfaqësueses së Zvicrës, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Për transferimin e Shaqirin po këmbëngul skuadra e Juventusit, që është e gatshme të paguajë deri në dhjetë milionë euro për kartonin e tij. Pos Juves, Shaqiri po përcillet edhe nga Interi e Milani, kurse për Xhakën interesim ka shfaqur skuadra e Udineses, që është e njohur për afrimin dhe zhvillimin e talenteve.

Pjesë e Serie A janë: Valon Behrami (Fiorentina), Blerim Xhemajli (Parma), Erjon Bogdani (Cesena), Migjen Basha (Atalanta), Samir Ujkani e Rijat Shala (Novara) dhe Pajtim Kasami (Palermo).

Pjesë e Serie A mund të bëhen edhe: Lorik Cana, Përparim Hetemaj, Mehmet Hetemaj, Xherdan Shaqiri, Grant Xhaka, Agon Mehmeti dhe Panajot Kone.

Mehmeti, ndër pesë lojtarët që bën të investohet në të

Uebfaqja “Imscouting.com” ka futur sulmuesin kosovar, Agon Mehmeti, në mesin e pesë futbollistëve nga Skandinavia, ku skuadrat e mëdha evropiane mund të investojnë pa problem. Mehmeti 21-vjeçar luan me skuadrën suedeze Malmo dhe ishte ndër më të merituarit që edicionin e shkuar fitoi titullin e kampionit.

“Mehmeti është njëri ndër futbollistët më të njohur në Suedi. Ai tashmë katër edicione aktivizohet te Malmo dhe në total ka shënuar 21 gola në 75 paraqitje”, thuhet për Mehmetin. “Ai është njëri prej lojtarëve që do të largohet nga Suedia gjatë kësaj vere. Është shumë i shpejtë dhe një sulmues me teknikë të lartë. Është inteligjent dhe ka një gjuajtje të fortë”. Mehmeti ka kontratë me Malmon deri në fund të këtij viti, kurse kohët e fundit ka zgjuar interesimin e ekipit italian Palermo. Në këtë listë të lojtarëve janë përfshirë edhe Guillermo Morris (Malmo), Nosa Igiebor (Lillestrom), Torgeir Broven (Odd Grenland) e Mervan Celik (AIK)./kd/

1 komente në “Një “ekip” shqiptarësh në Serinë A”

  1. shkelzeni Kosovë says:

    Përshëndetje Tema

    Nuk keni të drejtë që të gjithë këta ti quani shqiptar, për faktin se një pjesë nga këta zgjodhën të luajnë nën flamuj vendesh të tjera. Sikur të ishin shqiptar dhe të luanin për kombëtaren atëherë nuk do të shtrohej fare dilema e kualifikimit për evropianin e ardhshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje