Trajneri argjentinas, Marselo Biesla, duket se ka refuzuar ofertën e Interit për t’u bërë trajner i zikaltërve. Siç bëjnë me dije mediat italiane, ish-trajneri i kombëtares së Kilit ka një marrëveshje me Atletiko Bilbaon dhe për këtë arsye ka vendosur që t’i thotë jo Interit. Mediat thonë se edhe presidenti zikaltër, Masimo Morati, është tërhequr nga kërkesa për trajnerin argjentinas, pasi nuk është I bindur për të. Tashmë ëndrra e tij është që të marrë në Milano trajnerin e Portos, Andera Villas Boas. Ky i fundit konsiderohet si pasardhësi i Murinjos dhe tashmë ka marrë epitetin “Special Two”. Megjithatë, marrja e Villas Boas nuk do të jetë e lehtë, duke qenë se ky i fundit ka deklaruar se nuk kërkon që të lëvizë nga Porto. Për më tepër, ai ka një klauzolë me klubin portugez dhe kushdo që do ta marrë atë, duhet të paguajë 15 milionë euro. Për këtë arsye, Interi kërkon që të gjejë një marrëveshje me presidentin e Portos për ta lënë të lirë trajnerin e ri. Të gjitha këto lëvizje bëhen për faktin se duket se tashmë trajneri aktual, braziliani Leonardo, ka vendosur të largohet nga drejtimi i Interit. Leonardo pritet që të marrë postin e drejtorit sportive tek ish-ekipi i tij francez, PSG.