Pushtetarët e zhytur dhe kamerdarja e së drejtës individuale

24 Qershor 2011, 21:18Blog TEMA

Nga Arbër Zaimi

Çështja e ndjekjes penale të kryetarit te LSI-së, Ilir Meta, mund të shihet në dy këndvështrime: së pari në këndvështrimin ngushtësisht sipërfaqësor, juridiko-procedurial, siç po bëjnë dhe avokatët mbrojtës të ish-zëvendësit të Sali Berishës, dhe së dyti në këndvështrimin esencial, atë etiko-politik të drejtësisë, atë që lidh ligjet e institucionet me konceptin e drejtësisë – një koncept që rrjedh prej shprehjes së vullnetit politik e prej vlerave etike të popullit, përmes mekanizmave që kemi mbërritur të formëzojmë, si civilizim.

Nëse në lidhje me aspektin e parë ka një sërë çështjesh tekniko-proceduriale që lënë hapësirë për debat kafenesh apo tribunalesh, në aspektin e dyte çështja mund të diskutohet më serioyisht. Për momentin, deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata e Lartë, debatin për teknikat e për procedurat, për afatet e hetimit e për vlefshmërinë e videos si provë, po ia lëmë “specialistëve të teknikave të shpëtimit”, atyre avokatëve që e nxjerrin bukën e gojës duke shërbyer si komerdare shpëtimi për lloj-lloj pushtetarësh që në moment pakujdesie i kanë rrëfyer publikut ndonjë dimension prej prapaskenës së flligësht, siç ngjau me ish-kryeministrin e socialistëve dhe ish-zëvendëskryeministrin e demokratëve, Metën, të cilit ia nxorën në televizor atë sport që gjithsesi dihej se e praktikonte rëndshëm, ryshfetin.

Por le ta lëmë këtë debat, dhe t’i rikthehemi çështjes së drejtësisë, duke u përpjekur t’i hyjmë diskutimit në thellësi, për t’i rikthyer dimensionin moral e racional, meqë këto të dyja – përputhen.

Në këtë sens, çdo veprim ligjor të institucioneve të këtij vendi, duhet ta analizojmë gjithnjë nën prizmin e aspiratës më primordiale të shoqërisë, pra aspirata që të ketë një drejtësi thelbësore apo e drejta e shoqërisë për të patur drejtësi, e cila natyrisht që ruan prioritetin në rast se krahasohet me modalitete e me procedura. Edhe pse si pasojë e një bombardimi të vazhdueshëm ideologjik në 20 vitet e fundit, diskursi ligjor në Shqipëri është fokusuar ngushtësisht tek interesat e të drejtat e individit, duke bërë çmos që të evitohet subjektiviteti i gjykuesit, nuk bën të harrojmë që edhe interesat e shoqerisë në tërësi, apo interesat e grupeve meritojnë të shpallen e të mbrohen në mënyrë efikase, duke garantuar respektimin e vlerave e normave të ndërthurura në këtë pak stof social që ka mbetur pa u shthurur prej hegjemonëve të tranzicionit, qofshin këta qeveritarë, pronarë, pedagogë, analistë etj.

Siç është e pritshme, të gjithë pushtetarët tanë në raport me organet e drejtësisë, veçanërisht me ato të ndjekjes penale, siç janë prokuroria e gjykatat, kur vjen puna për hetime “me spec” tentojnë të shfrytëzojnë çdo hapësirë proceduriale për t’i shpëtuar – jo thjesht dënimit – por qoftë dhe vetëm ushtrimit të ndjekjes penale ndaj tyre, apo hetimit. Në fakt politikanët, si çdo individ racional, kërkojnë të përdorin çdo mekanizëm që u vihet në dispozicion për t’i shpëtuar andrallave të mundshme. Kështu, askush nuk ka pse ta gjejë të habitshëm faktin pse deri më tani politikanë si Mediu, Basha, e së fundmi Meta, kanë përfituar apo janë përpjekur të përfitojnë nga “harresat” apo “gabimet proceduriale” te Prokurorisë, Policisë Gjyqësore ose Gjykatës së Lartë, për të siguruar mos-hetimin, mos-gjykimin apo mos-dënimin e tyre. Çdo avokat që ka eksperiencë në mbrojtje kriminelësh – që e njeh mirë praktikën e punës – në radhë të parë do ta këshillonte klientin e tij që të kundërshtonte veprimet proceduriale të Prokurorisë e organeve të tjera, me shpresë që të evitohet tërësisht gjykimi në thelb, e çështja të pushohet për arsye formale, dhe vetëm në rast se një strategji e tillë s’do të arrinte sukses, do të përgatiste mbrojtjen në lidhje me thelbin e çështjes: që është të qenët ose jo fajtor në lidhje me akuzën që është bërë.

Mirëpo çështja shtrohet se Ilir Meta nuk është një individ i thjeshtë, por një ligjvënës, që akuzohet për korrupsion gjatë periudhës kur zinte një post tepër të rëndësishëm në pushtetin ekzekutiv, atë të ministrit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë gangster ordiner, por për një përfaqësues të popullit, dhe ky funksion, mbi të gjitha ngërthen një nevojë të pazëvendësueshme në ushtrimin e tij: ekzistencen e besimit (etik) dhe ndërveprimit (politik) mes deputetit dhe popullit. Nuk e kam fjalën për “popullin e vet”, sepse një deputet edhe pse ka marrë votat e një pjese të popullit, është legjislator i të tërëve. Kështu që nuk ka vend justifikimi “për sa kohë kam votuesit e mi, nuk shqetësohem për etikën”.

Edhe në rastin e Metës, gjasat janë që procesi të ndërpritet pasi prokuroria ka “harruar” sërish të marrë një vendim formal për të kërkuar zgjatjen e hetimeve, dhe ka dalë jashtë afatit. Siç mund të kuptohet, pas heqjes së imunitetit të Ilir Metes, prokurorëve u është dukur “e tepërt” që të kerkojnë vënien në përgjim të tij për të parë nëse verifikohen apo jo akuzat e bëra ndaj tij, e për të kërkuar prova për fajësinë e mundshme, përtej indicieve të qarta që ekzistojnë e që janë bërë publike.

Një drejtësi thelbesore dhe efikase patjetër që do t’i siguronte nga njëra anë të pandehurit Ilir Meta një gjykim të drejtë, duke i siguruar të drejtën për t’u dëgjuar, për t’u njohur me provat kunder tij, etj., por nuk do të linte pa siguruar edhe mbrojtjen e interesit publik: që synon mësimin e të vërtetës mbi çështjen korruptive në fjalë. Nuk mundet të themi se kemi drejtësi funksionale në rast se dyshimet që ngre videoja e Priftit nuk marrin përgjigje prej një hetimi thelbësor, por shuhen për shkaqe paaftësish teknike të prokurorisë e gjykatave, dhe mbiaftësisë teknike të avokatëve mbrojtës për të dribluar me ligjin.

Cila është e vërteta që duhet të mësojë publiku, ajo që u deklarua në fillim nga Meta “se video ishte montazh”, apo ajo që u deklarua më vonë po nga Meta, “se shifra 700 e përmendur nuk ishte shkurtim i shumës së premtuar për ryshfet prej 700,000 euro)? Përderisa vetë i pandehuri Meta nuk shfaq interes në një drejtësi thelbesore, që zbulon të vërtetën dhe rivendos në raportin e besimit që duhet të ekzistojë mes të zgjedhurit dhe zgjedhësve, atëherë këta të fundit kanë të drejtë të mendojnë se drejtësia nuk e ka “shtëpinë” te ligji e te institucioni, pra kanë të drejtë të ruajnë të vërtetat e tyre, që do të vazhdojnë t’i përhapin në mënyrë jo-institucionale, e me të cilat do të përshtaten gjitnjë e më tepër.

Një drejtësi gjysmake prodhon të vërteta gjysmake. Secilit të vërtetën e tij.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje