Shteti buzë greminës

21 Qershor 2011, 20:34Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Kosova para rrezikut të rrëshqitjes në kolaps financiar dhe të ndarjes faktike territoriale: si e solli punën deri këtu Qeveria e Kosovës?

 

Ekziston një hile karnevaleske e daullexhinjve të kryeministrit Hashim Thaçi, të cilët kritikët e mënyrës së qeverisjes së tanishme i shpallin herë mohues të gjoja sukseseve, herë – edhe më keq – armiq të Kosovës. Nëntoni i këtyre akuzave qesharake është ky: kritikët qenkan shërbëtorë ose të Serbisë ose të qarqeve të errëta perëndimore. Kjo është metodë tashmë e sprovuar nga të gjitha regjimet komuniste. Të gjithë e dimë se si përfunduan këto regjime: në bërllokun e historisë, pasi u ngulfatën nga politikat e tyre të këqija qeverisëse. Qeveria e Thaçit është larg të jetë komuniste, por ky nuk është kompliment. Kjo qeveri është një kombinim i sundimit arbitrar, legjitimitetit të dyshimtë demokratik dhe vendimmarrjes jotransparente. Nuk ka njeri në Kosovë që mendon se është keq të rriten rrogat e shërbyesve civilë, pra të atyre që e mbajnë shtetin mbi supet e tyre të ligshta. Por, për t’i rritur rrogat duhet të piqen kushtet ekonomike. Nuk rriten rrogat derisa qypat dhe vegshat e shtetit janë të zbrazët. Nëse çmimi i rritjes së rrogave është rreziku i kolapsit financiar dhe fundosja e shtetit, atëherë askujt nuk i keni bërë mirë, as mësuesve, as policëve. Tagrin e paguajnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

 

Premtimi i pamoralshëm

Më shumë se njëherë tellallët e kryeministrit në debatet e mërzitshme televizive kanë thënë se vetëm kjo qeveri i rriti rrogat. Thaçi madje kur ligjëron për këtë vendim të tij (përherë në veten e parë: “unë, unë, unë”) tingëllon sikur të hollat për rritjen e rrogave i ka nxjerrë nga xhepi i tij. E vërteta është kjo: këto janë para të popullit të Kosovës, të cilat kryeministri i ka përdorur për të dhënë premtimin solemn se pagat do të rriten. Ky premtim është bërë në prag të zgjedhjeve parlamentare. Qëllimi ka qenë i qartë: të joshen arsimtarët, profesorët, policët, nëpunësit që votën e tyre t’ia japin Partisë Demokratike të Kosovës. Sikur kuleta e shtetit të ishte e mbushur, ky premtim nuk do të ishte moralisht dhe politikisht i dënueshëm, as cinik. Jo pak qeveri, sidomos në Ballkan, veprojnë kështu. Jo pak komuna i shtrojnë rrugët në prag të zgjedhjeve. Por, në Kosovë rritja e rrogave për shërbyes civilë është bërë duke e ditur se nuk ka bazë financiare, prandaj kemi të bëjmë me një premtim të pamoralshëm. “T’i fitojmë zgjedhjet njëherë, pastaj shohim” – ky duket të ketë qenë kalkulimi aventuresk i kastës së tanishme qeveritare. Me këtë mentalitet mund të sundoni, por jo të qeverisni ndershëm. Çmimin e kësaj politike dashakeqëse populli i Kosovës e pagoi tashmë duke humbur mbështetjen nga ana e institucioneve të rëndësishme financiare me seli në Washington. Llogari të tjera mund të vijnë në muajt në vijim.

Një psuedoargument tjetër i daullexhinjve publicistikë, të cilët me dhëmbë të zverdhur i kërcënohen publikut si pijanecë kafehanesh ballkanike, ndërlidhet me autostradën e qorrsokakëve nga Vërmica në Merdare. Thuhet se kjo rrugë e bashkon kombin, se do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë, në afrimin e njerëzve etj. Dakord, por kjo është muzikë për një ardhmëri që s’shihet askund dhe momentalisht nuk ka asnjë bazë reale. Kjo muzikë do të tingëllonte mirë në rrethana të tjera, kur Kosova do të kishte së paku 100 prodhime që do t’i eksportonte në vendet e rajonit dhe më tutje. Atëherë vërtet Kosovës do t’i duhej një rrugë e gjerë që kamionët të mbërrijnë në portin e Durrësit, gjithsesi të ngarkuar me mallra për eksport. Puna është se Kosova nuk eksporton pothuaj asgjë. Pas një ose dy vitesh qytetarët e Kosovës do të shkojnë për nja 30 minuta më shpejt në plazhin e Durrësit dhe, nga ana tjetër, vendet e rajonit (para së gjithash Serbia) do ta kenë edhe më lehtë t’i plasojnë prodhimet në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë. Përfitues të menjëhershëm të projektit aventuresk të autostradës do të jenë ata ministra dhe zyrtarë qeveritarë, arat e të cilëve kanë qëlluar m’u në trasenë e rrugës me emrin “Ibrahim Rugova”, dhe ndonjë firmë nga Serbia ose Shqipëria.

 

Qeverisje me tahmin

Sa i përket Shqipërisë: kush nuk është i verbër e ka parë se Kontrolli i Lartë i Shtetit (ekuivalenti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës) ka konstatuar se gjatë ndërtimit të shtegut të kombit (Durrës-Kalimash-Kukës-Morinë) janë avulluar nja 250 milionë dollarë. Për “shkaqe procedurale” hetimet janë ndërprerë, ministri i atëhershëm dhe pretendenti i tanishëm për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk ka dhënë llogari – ose thënë më butë: nuk ka pasur rastin të shpjegojë para drejtësisë se ku mbetën paratë. Kështu dyshimet s’do të hiqen kurrë, një njollë e (pa)drejtë për Lulzim Bashën. Në Kosovë qeveria ka refuzuar të bëjë publike kontratën për ndërtimin e autostradës me konzorciumin Bechtel-Enka. Vetëm presioni publik e ka shtyrë kryeministrin të tregojë se rruga do të kushtojë rreth 700 milionë euro. Kësaj i thonë qeverisje me tahmin! Nëse ndërtimet kushtojnë një miliardë, atëherë s’përjashtohet mundësia që zyrtarët qeveritarë të arsyetohen se kanë thënë “rreth 700 milionë” – dhe kjo shumë vërtet i afrohet një miliardi. Qëllimi nuk është të qeveriset me duar të pastra dhe që paratë publike të investohen me përgjegjësi, por mundësisht të mashtrohet opinioni me gënjeshtra ose lakim të së vërtetës. Kjo traditë e neveritshme tashmë është instaluar thellë në sistemin qeverisës. Janë kryesisht firmat e njëjta (të afërta me partinë e George Washingtonit, pardon George Clooneyit, pardon Hashim Thaçit), të cilat fitojnë tenderë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Janë firmat e njëjta, të cilat ndërtojnë shkolla dhe objekte të tjera publike. Janë firmat e njëjta, të afërta me pushtetin, që shtrojnë asfalt dhe ndërtojnë ura në hava. Dihet po ashtu se cila komunë e vogël me numër banorësh dhe me territor merr më shumë mbështetje financiare se disa qytete të Kosovës, dihet se cilët kryetarë komunash e hapin derën e kabinetit qeveritar me shkelm dhe cilët kryetarë komunash kthehen nga Prishtina duarbosh. Njëri ndër ta është kryetari i komunës së Gjilanit. Krerët politikë të Anamoravës kanë bërë gabim që nuk e kanë themeluar një parti rajonale për t’i përfaqësuar me mirë interesat në kryeqytet. Kështu do të ndiqnin vetëm shembullin e bajraktarëve të tjerë kosovarë. Drenica e ka partinë e vet, Dukagjini po, edhe Llapi po ashtu. Pse të mos e ketë edhe Anamorava, kur po shihet se secili kujdeset jo për përparimin e shoqërisë pa dallime rajonale, por për asfaltimin e kopshteve dhe torishtave klanore?

Përveç futjes së Kosovës në një qorrsokak financiar kjo qeveri ka nisur edhe të ashtuquajturat bisedime teknike me Serbinë pa konsensus të gjerë shoqëror. Për disa çështje nuk mjafton vetëm legjitimiteti i votës (në rastin e qeverisë Thaçi kemi të bëjmë madje me legjitimitet tejet të cunguar). Bisedimet me Serbinë prekin themelet e shtetit të Kosovës. Nga vendimi sa a do të pranohen vulat doganore të Republikës së Kosovës nuk preket vetëm Thaçi dhe tarafi i tij politik, por gjithë shteti. Nga vendimi se si do të udhëtojnë qytetarët e Kosovës nëpër Serbi preken të gjithë, jo vetëm Thaçi, i cili edhe ashtu s’mund të kalojë nëpër territorin e fqinjit verior. Bisedimet cilësohen si teknike, por diplomatët e Bashkimit Evropian tashmë hapur flasin për “Ahtisaarin plus”, një plan për autonominë e veriut, madje për këtë thuhet se Thaçi prapa kulisave paskësh dhënë edhe pëlqimin parimor. Nuk mund të përjashtohet ky skenar: Serbia do të lëshojë pe për disa çështje (liria e lëvizjes, kthimi i regjistrave civilë, bashkëpunimi në sektorin e telekomunikimit dhe energjetikës) dhe këtë “marrëveshje orale” do ta shes në Bruksel si kompromis të madh. Si shpërblim Serbia do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pastaj mbahen zgjedhjet në Serbi dhe krijohet një qeveri e re: ose vazhdon koalicioni aktual mes demokratëve të Boris Tadiqit dhe socialistëve të Ivica Daçiqit, këtij çunit që po lufton për Shqipërinë e Madhe, ose një koalicion mes Tadiqit, Daçiqit dhe progresistëve të Tomisllav Nikoliqit, njërit prej shefave të dikurshëm të varrezave në Kragujevc.

 

Rrobat e zhytura

Një diplomat perëndimor i afërt me proceset mendon se me gjasë gjatë verës së vitit të ardhshëm do të hapet çështja e autonomisë për veriun. Bashkimi Evropian nuk do ta refuzojë këtë kërkesë të Beogradit. Qeveria e Kosovës do të kundërshtojë autonominë sa për sy e faqe (këtë duhet ta bëjë edhe për shkak të presionit që do të krijohet nga publiku kosovar) dhe Beogradi, në shenjë hakmarrjeje, mund të tërhiqet nga marrëveshja për çështjet teknike. Jo rastësisht negociatori serb Borisllav Stefanoviq ka thënë para disa ditësh se Serbia nuk do të nënshkruajë asgjë sa i përket rregullimit të çështjes së targave, pasaportave, regjistrave civilë etj. Me këto bisedime Kosova vetëm është duke ia krijuar rrethanat Beogradit për shantazh. Kështu mund të ndodhë nëse nuk ndryshon cilësia e qeverisjes në Kosovë. A do të ndryshojë? Me gjasë po, por jo për të mirë, së paku gjykuar nga çfarë kemi parë viteve të fundit. Kështu ndodhë kur qëndrimi në pushtet shndërrohet në qëllim në vetvete dhe nuk shikohet si mundësi për të punuar në të mirën e shoqërisë. Sa i përket bisedimeve daullexhinjtë e kryeministrit do të thonë se Kosova ka qenë e obliguar të hyjë në negociata pas miratimit të një rezolute përkatëse nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shtator 2010. Kjo është e saktë, por as rezoluta e OKB-së, as emisarët e BE-së nuk kanë kërkuar të hyhet në bisedime symbyllur dhe vetëm duke i varur shpresat se “miqtë tanë ndërkombëtarë” do të jenë në anën tonë. Miqtë mund të të nxjerrin pak nga balta, por rrobat mbesin të zhytura. Me fjalë të tjera: zgjidhja në fund do të gjendet, por Kosova do të jetë shtet edhe më jofunksional. Atëherë Hashim Thaçi do të gjendet në pozitë komode: nëse dëshiron mund t’i fitojë zgjedhjet edhe njëherë me metodat tashmë të njohura industriale ose mund të rrezitet në opozitë, duke lënë prapa një shtet para kolapsit financiar dhe me një “Republika Srpska Mitrovica”. Qeverisë së ardhshme s’do t’i mbetej gjë tjetër përveç se të përpiqet të sanojë dëmet e shkaktuara.

 

2 komente në “Shteti buzë greminës”

  1. USA usa says:

    Ku ka shqiptare qe perbejne shumicen, ka probleme

  2. Zana says:

    Pajtohem plotesisht me cdo fjale te ketij shkrimi, fatekeqesisht pjesa me e madhe e opozites sone ja dha mundesin pozites ti beje te gjitha keto deme Kosoves.
    Nuk jam me aske bile as me vetvendosjen s’kam marr pjese kurr askund, por mendoj qe e vetmja shprese per ti ndalur keto deme eshte Albin Kurti, fatkeqesishte eshte pak vone.
    Por po mos te kishte njerez qe e dhan jeten per Kosoven dhe qe i ndjeken idealet e tyre sot nuk do te ishim ketu ku jemi fare, keshtu qe jo idealet po se paku te drejtat qe na takojne ti ndjekim e te luftojme kunder ketyre njerezve qe po e shkaterrojne Kosoven qe aq shume kane hjekur edhe vet per ta bere, por u jane mbyll syte nga lakmia dhe tani mendojne vetem per familjet e tyre te ngushta.
    Ne fund me siguri do ta paguajne te gjithe, por pupulli eshte i pafajshem se ju a ka mbyll syte varferia, ku edhe te drejten e tyre thelbesore e shiten per 50 e besa edhe 10 euro.
    Po punojme cdo dite per interesa te Serbise se se paku familjet tona i kemi mire ‘SE PARI KOSOVA’.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje