Ndryshimet në kushtetutë, për të cilat në vendin e shqipeve flitet më shpesh se sa për dentistin, nuk janë zgjidhja deus ex machina e çdo problemi të pazgjidhshëm, që lind sa herë kemi besuar tek teknikat për të gënjyer veten me “integrim” “Shqipëria si Europa”, “Zvicra me plazh” dhe thashetheme të tjera të vlefshme vetëm për përqeshje eurodeputetësh kalimtarë këndejpari. Kushtetuta nuk është gjetje juridike, por akt historik prandaj duhet marrë shumë seriozisht. Kushtetuta është përmbledhja e rregullave të lojës brenda një sistemi, kushdo qoftë sistemi. Kushtetuta nuk është mjeti që na bën më demokratikë, më pak mashtrues, më të pasur apo më të qytetëruar. Kushtetuta nuk është as shkopi magjik që zgjidh me fryme të shenjtë problemet që kemi me veten. Kushtetuta është përcaktimi dhe deklarimi i disa rregullave që lejojnë të jenë bashkë një komunitet. Komuniteti sigurisht duhet të ketë vendosur me parë piketat e kufijve se ku duhet të kalojë ose jo pushteti i mëpasshëm.
Kushtetuta brenda një familje mund të jetë orari në të cilin fëmijët janë të detyruar të jenë në shtëpi për t’u “numëruar këpucët”. Një baba që deklaron se këtu rregullat i vendos ai, nuk është shumë i ndryshëm nga një Enver Hoxhë diktator, paçka se ky i fundit përdorte një kushtetutë me nene të shkruara në një gramatikë më të elaboruar.
Kur në botën perëndimore shpërtheu epidemia e kushtetutave, ajo që u kuptua më së pari ishin rregullat e reja në një sistem të ndryshëm të vlerave nga ai i mëparshmi. Ndarja e pushteteve për të garantuar përfaqësimin e çdo qytetari tregoi sistemin e ri, rregullat e të cilit u vunë me shkrim përveç se në Angli nga dhe u mor modeli i ndarjes së pushteteve. Sigurisht Kushtetutat e reja si pasojë e revolucioneve nuk pranonin përfaqësim pa zgjedhje, në ndryshim nga Anglia që e kishte me bazë trashëgimie kreun e Shtetit, dhe dhomën e Lordëve. Amerikanët e shkruan të parët rregulloren e re të jetës së gjithsecilit dhe krijuan sistem(specifik) me zgjedhje për Presidentin.
Pse nuk e shkruajnë një Kushtetutë Anglezët? Sigurisht që duke patur eksperiencë dhe vazhdimësi 1000 vjeçare në sistemin e tyre të vlerave nuk u duhet të vënë me shkrim çdo detaj që u kalon në mendje. Qeveritë angleze dhe ato europiane që e kanë me akt të shkruar kushtetutën e dinë mirë që vlen të ndryshosh rregullat e lojës kur je në pushtet se do jetë shumë e vështirë që kur pas disa vitesh do kalohet në opozitë.
Qeveritë tona veprojnë sikur të jetë dita e fundit dhe ndryshojnë çdo rregull loje, duke i hequr vetes të drejtën të ankohen kur rregullat e lojës do të ndryshohen nga të tjerët ndërkohë që janë në opozitë.
Rishkrimi i një Kushtetute kryhet vetëm kur ka një ndryshim të madh të rregullave, që do pasojë dhe revolucionin normativ. Rrëzimi i murit të Berlinit solli ndryshimin e Kushtetutave në të gjithë Lindjen e Europës. Ndryshohet regjimi, ndryshohen rregullat e lojës. Kushtetutat e krijuara nuk morën këshillime nga sistemi komunist. Ndryshimi historik solli ndryshimin e vërtetë i cili duhej vënë me shkrim. Rendi dhe rregullsia e atij të viteve ‘90 ishte padyshim në koncept e ndryshme nga ato të 50 vitesh diktaturë. E njëjta gjë kishte ndodhur në shekullin e 18-19, kur u rrëzuan monarkitë dhe u tentuan sistemet liberale. Pas luftës së parë botërore ne vende si Austro-Hungaria, apo pas luftës së dytë botërore vende si Gjermania ndryshuan tërësisht rendin dhe rregullat e lojës. Më pak fjalë s’ka kushtetutë që vjen si analizë e juristëve, por është akt historik nga i cili dalin normat e reja për tu respektuar.
Ideja e krijuar se Kushtetuta mund te ndryshohet sa herë kemi dyshimin se nuk po shikohemi me sy të mirë në Europë, duhet të fillojë të kufizohet. Hapësira midis Kushtetutës dhe njerëzve duhej mbushur me te “Drejtën” dhe ligjin siç njihet me shpesh në rrugë, atje ku flitet për gjithçka.
Problemi është se në Shqipëri nuk është vendosur ende sistemi. E drejta sipas latinëve vjen nga fakti. Duhet akoma të kuptohet se kush është forca që do vendosi rregullat, që më pas kjo të reflektohet në një Kushtetutë. Vetëm më pas do mund të kalohet faza e tranzicionit që duket sikur nuk ka fund. Pavarësisht se pushteti është kaluar disa herë pa dhunë kjo nuk tregon se ky është rregull i vendosur. Dukshëm ky ekulibër është rrezik dhe i pavendosur përfundimisht. Ligje të një dore të dytë ka, por kjo nuk pengon që të shmangen me një të rënë të dorës, derisa nuk është përcaktuar ende sesi do të kalohet pushteti në realitet. Ky rregull do të bënte të dukshëm sistemin që më pas do të reflektohej në një kushtetutë. Pa mbaruar ky proces “kundër-revolucioni” i fshehur nga tisi i disa rregullave jo ekzistentë, por që interpretohen me teatralitet të jashtëzakonshëm, nuk ka gjasa që të flitet për ndryshim Kushtetute. Kur të mbarojë pështjellimi i pambarimtë, thërrisni juristët, përndryshe të tentosh ta ndryshosh kushtetutën në këto kushte, është aq qesharake sa të duash t’i bësh transfuzion gjaku, njeriut të padukshëm.
Zoti Kananaj, do te kishe bere mire te mos dilje nga roli i gazetarit duke intervistuar nje konstitucionalist.
O Andi per ate Zot, shko e opero ate hunden tende se e e ke si malore e Komunes se Parisit
Sot eshte e veshtire njerezit te te kuptojne. Jo, nuk eshte e veshtire, por sot njerezit nuk duan te te kuptojne. Kjo do te ishte me e sakte dhe atehere? Pra eshte e nevojshme diktatura edhe per nja pesqind vjet. Po nuk pesoi kjo gjallese, nuk meson. Atehere nuk ka me nevoje per transfuzion gjaku.