Zgjidhja historike: Ndarja e Serbisë

18 Qershor 2011, 20:38Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Nëse krerët e Serbisë, Tadiq e Daçiq, ofrojnë zgjidhje territoriale, madje duke e pranuar “Shqipërinë e Madhe” për arritjen e “pajtimit historik” me shqiptarët, si kamuflim për zhbërjen e Kosovës historike, kosovarët duhet t’u ofrojnë atyre sa të duan histori dhe sa të duan zgjidhje territoriale dhe historike. Nëse Serbia dëshiron ndarje, OK, Kosova dëshiron ta ndajë Serbinë…

 

A e di sot dikush në Beograd, në Tiranë ose në Prishtinë (veçanërisht brezi i patriotëve të rinj që shqyejnë flamuj kosovarë me skalp) pse në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore ekzistojnë fshatra me këso emërtimesh dhe pse kosovarët kryesisht mbajnë këta mbiemra: Balltiqi, Banjska, Bajçinca, Bajçinovci, Banja, Babatica, Bajra, Batusha, Bellanica, Beselica, Bërbatoci, Bellopoja, Belegu, Bubavci, Bllaca, Borovci, Bojniku, Bogujevci, Breznica, Brajshori, Bullatovci, Buqinca, Bublica, Byqmeti, Bugunuvci; Cernoverni, Dedinca, Dediqi, Dushullovci, Dobratiqi, Dobrasheva, Dobërdolli, Dragidella, Dragusha, Draganci, Drevinja, Drenova, Drenovci, Dubrava, Dubova, Dukati, Gajtani, Gërguri, Gojnoci, Gollaku, Govori, Graboci, Gërbaci, Gubetini, Gurguroci, Gjelekari, Gjaka, Gjushinca, Gjurkoci, Gjurgjeci, Huruglica, Igrishta, Ivanja, Jashanica, Kamenica, Kacabaqi, Kapiti, Klaiqi, Klisurica, Konjufca, Koprani, Konxheli, Kodra, Konjuhi, Kremenata, Krivaqa, Krushevica, Kutllovci, Kozmaqi, Koznica, Kastrati, Lebana, Leci, Leposhtica, Lepenica, Lipovica, Lusha, Llapashtica, Llozana, Llugiqi, Llumnica, Magashi, Makoci, Maqedonci, Maqestena, Magjera, Matarova, Merqezi, Merovci, Megjuana, Mehanja, Medveci, Mikullovci, Miroci, Novosella, Orana, Obërtinca, Ostrogllava, Paqarada, Pasjaqa, Pallata, Petrovci, Përvetica, Pllana, Pllashniku, Popovci, Popova, Prebeza, Prekedini, Prevallci, Prekopuca, Prekorogja, Prekashtica, Qyqalla, Radeci, Radovci, Rafuna, Rakovica, Rashica, Restelica, Raqa, Ramabaja, Ramnishta, Raputoci, Ramadeni, Reçica, Retkoceri, Rudari, Rukoci, Ruboci, Selishta, Sekiraqa, Sllamniku, Sllatina, Siarina, Slishani, Slivova, Simnica, Skovërqa, Statovci, Stublla, Starobanja, Sfirca, Sfarqa, Sagonjeva, Spanca, Shahiqi, Shillova, Shulemaja, Taliroci, Tërstena,Tërnava, Tërpeza, Tërmkolli, Tërbunja, Toqani, Tovërlani, Topanica, Tmava, Tupalla, Vërbica, Vërbovci, Vrella, Vllasa, Vishesella, Vllahinja, Visoka, Vërshevci, Vranoci, Zagragja, Zebica, Zhegrova… e shumë të tjera, mbi 500 fshatra etnike shqiptare???

Përgjigjja është e thjeshtë.

Sepse Serbia dhe Mali i Zi, sidomos nga vitet e krizës lindore (1875) dhe lufta ruso-turke (1876 – 1878) kanë pushtuar Sanxhakun e Nishit, duke përndjekur të gjithë shqiptarët, madje pa i lejuar të marrin bagëti, veshmbathje dhe ushqime.

Në “arnautlluk” bënin pjesë edhe Toplica, Kurshumlia, Vraja, Masurica, Leskoci, Prokupla, Bujanoci, Medvexha etj.

Sipas regjistrimit turk të popullsisë, në Kazanën e Leskocit jetonin 24.000 shqiptarë, në Kurshumli 29.000; në Prokuple 15.000; në Vrajë 25.000, pra rreth 93.000 shqiptarë. Kurse, sipas regjistrimit të parë serb, më 1879 kishin mbetur në tërë këtë rajon vetëm 6.000 shqiptarë.

Ndjekjen e dhunshme të rreth 30.000 shqiptarëve vetëm nga Toplica e pranon edhe historiografi nacionalist serb Jovan Cvijiq.

Sipas Jovan Ristiqit në “Historinë diplomatike të Serbisë”, libri II. (1898) pas depërtimit të ushtrisë serbe në rajon, “në Arnautlluk kishte mbetur ushqim dhe bagëti si plaçkë, që ishte e mirëseardhur për ushtrinë tonë.” (Shih për këtë: Petrit Imami, “Srbi i Albanci kroz vekova”)

Dhe si kundërpërgjigje projektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Serbia ka vazhduar spastrimin etnik të këtyre krahinave kosovare deri në vitet 1912-13 dhe më pas, kur edhe aneksoi tërë Kosovën (me viset e sotshme nën Maqedoni dhe ato nën Malin e Zi).

Pastaj, Serbia mbretërore (SKS) e pastaj edhe ajo federale komuniste, e deri te Serbia fashiste e Millosheviqit, duke e përdorur dendur “Mitin e Kosovës” si djep të Serbisë dhe serbizimit, në emër të këtij miti të rremë, u ka shkaktuar fqinjëve të vet shumë gjak e vuajtje, deri në përmasa gjenocidale.

E në këtë kontekst, më së shumti dhembje i ka shkaktuar fqinjit të parë, Kosovës.

Njëqind vjet është djegur toka e Kosovës dhe njerëzit e saj, në emër të mitit historik për “Kosovën si djep i Serbisë”, e tashti, Boris Tadiqi i ka hyrë misionit historik ta rrënojë këtë mit, i cili, siç vlerësuan ai dhe shkrimtari Svetislav Basara, jo vetëm që qenkësh i rremë, por edhe i banalizuar si instrument në duart e politikës ditore dhe po e penguaka Serbinë në shtigjet prosperuese dhe integruese.

Dhe Tadiq fillimisht shfaqet i gatshëm të ndajë “djepin e serbizimit” (krahinën jugore serbe) hiç me pak se me Shqipërinë (duke vëzhguar se në Tiranë ekzistojnë qarqe që po ashtu e trajtojnë Kosovën si “krahinë të Shqipërisë”), për ta arritur pajtimin historik mes dy kombeve.

Natyrisht në dëm të të tretit.

Synimi i tij është i qartë si kristali: Fshirja e Kosovës edhe si nocion gjeografik dhe entitet juridik nga harta gjeopolitike e Europës, por edhe nga kujtesa historike.

Dhe kur lidershipi kosovar nuk e hëngri dot karremin e tij, ai u rishfaq sërish në rolin e kadiut otoman, duke akuzuar Prishtinën zyrtare se qëllimi i saj i fundit na qenkësh krijimi i “Shqipërisë së Madhe”!?

Në rrethana të reja, kur lidershipi serb, i interesuar për europeanizim dhe bashkëngjitje bllokut (BE-së), është në sprovë të kërkojë zgjidhje të reja, për të arritur pajtim me fqinjët e saj, posaçërisht me shqiptarët, e kjo sprovë duket se e ka rikthyer për një shekull prapa në histori. Në vend se në Ballkanin Perëndimor të iniciohet demokratizimi dhe shtendosja mes grupeve etnike, përmes deetnizimit të shteteve aktuale, si dhe tregje të lira e integrime, Serbia po i prin betejës për ripërkufizim etnik, duke kërkuar etnicizim të mëtejmë të shteteve, e këtë karrem etnonacionalist duket se po e hanë edhe disa shqiptarë, qoftë në Prishtinë apo Tiranë.

E, në këtë intencë serbe ka shumë teori lojërash dhe kurthe e hile historike, në të cilat shqiptarët e Kosovës besohet se nuk do të bien, sepse ende imperializmi serb e sheh Republikën e Shqipërisë si fqinjin e parë, dhe kërkon t’ia shtrijë dorën e pajtimit (pa marrë parasysh se si do të cilësohej, “Shqipëri e Madhe”, natyrale apo etnike) e assesi Republikën e Kosovës, si faktor të së drejtës ndërkombëtare, posaçërisht pas verdiktit të GjND-së.

Dhe që këtu nis rizgjimi i historisë, e cila as dje nuk ofroi zgjidhje të konfliktit historik dhe nuk do të ofrojë as sot dhe as kurrë. Pos fatkeqësive për popujt e Ballkanit.

Demokracia dhe politika integruese nuk kërkon asnjë zgjidhje historike, por ligjore.

Sepse, nëse Serbia kërkon ta ringjallë historinë si levë mbi të cilën mund të arrihet “pajtim historik” me shqiptarët, atëherë kosovarët e kanë një letër të fortë historike në duar për të arritur këtë ndarje dhe pajtim historik. Pra, nëse zgjidhja qenka në histori, atëherë kjo çon në ndarjen e Serbisë mes serbëve dhe kosovarëve. Sepse Serbia i ka pushtuar më 1912-13 dhe e ka kryer spastrimin etnik të gjysmës së territorit që administrohej nga Vilajeti i Kosovës, Sanxhakun e Nishit (Toplicën), që llogaritet të përfshijë rreth 10 mijë kilometra katrorë.

Kështu flet historia…

Mirëpo nëse ‘historia është një ankth nga i cili njerëzimi do që të zgjohet’ (James Joyce) atëherë t’i kthehemi realitetit.

Integrimeve euroatlantike si interesa vitale kombëtare të Serbisë dhe Kosovës dhe pajtimit mes dy shteteve.

A ka gjasë?

Nëse Serbia e Tadiqit investon në “ridefinimin e kufijve etnikë” dhe luan me letrën etnike, atëherë vërtet Serbia që nuk është aspak monolite etnikisht bëhet e ndashme lehtë. Duhet përkujtuar kreut serb se nacionalizmi etnik dhe etatist (shtetkrijues) është latent në Vojvodinë me qendër Novi Sadin, nacionalizmi mysliman është i zgjuar në Sanxhak me qendër Novi Pazarin (Pazari i Ri) dhe po aq i zgjuar është nacionalizmi shqiptar në Luginë të Preshevës me qendër Bujanocin. Por mund të ngjallet midis Serbisë edhe nacionalizmi i fjetur vlleh, në Krahinën e Timokut me qendër Surdulicën

Nëse Serbisë i ngutet të arrijë një kompromis historik me shqiptarët, që të mos ketë telashe me fqinjët e për t’iu bashkuar BE-së, ajo duhet t’i lëshojë Kosovës territore të pushtuara, sepse fqinji i parë historikisht i Serbisë është Kosova.

Nëse Serbia është e interesuar për “pajtim historik” me shqiptarët, atëherë pika e vdekjes nga ku duhet të fillohen negociatat për ridefinimin e kufijve, janë territoret e pushtuara kosovare në fund të shekullit 19.

Nëse Tadiqit ia kënda aq shumë historinë, demografinë dhe ngjyrat etnike, atëherë edhe më lehtë. Kosova në këtë aspekt  shëmbëllen në Nënën Tereze, sepse në pjesën e vet veriore nuk ka zbatuar politika të spastrimit etnik, por i ka lënë serbët që atje janë shumicë, të jetojnë të lirë, kurse Serbia i ka persekutuar, vrarë në masë, dhe përndjekur qindra-mijëra shqiptarë (mbi 500 fshatra) nga Sanxhaku i Nishit.

Nëse Serbia duke u nisur nga e drejta e manipuluar historike, që e ka sublimuar në preambulën e Kushtetutës së saj duke e trajtuar Kosovën si pjesë integrale të saj, Kosova në këtë përplasje historike rreth territoreve, do të duhej që ta “rishkruante” Kushtetutën, duke përfshirë territoret historike të saj (Sanxhakun e Nishit dhe Luginën e Preshevës) në preambulën e Kushtetutës së re, dhe tek pastaj të hynte në negociata me Serbinë për “ripërkufizim territorial” dhe natyrisht përmes kompromiseve të arrihej një marrëveshje historike, e cila mund të gjendet ku tjetër pos në ndarjen e Serbisë!?

Nëse, ky rizgjim i historisë duket çmenduri, atëherë Kosova e mban pjesën e vet veriore ligjshëm, si pjesë integrale të territorit të vet, prandaj ndarje të territorit të Kosovës nuk mund të ketë, sepse Kosova nuk është pushtuese e territoreve etnike të fqinjëve dhe nuk ka kryer asnjëherë në histori spastrim etnik.

Ky fakt është lehtë i dëshmueshëm.

Serbia e ka kryer spastrimin etnik në Sanxhakun e Nishit, prandaj i vetmi kompromis historik mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës është ndarja e këtij territori kontestues.

Nëse Serbia e sotme ende vazhdon të sillet armiqësisht me fqinjin e vet të parë, Kosovën, atëherë, Kosovës i mbetet të lidhë aleancë panshqiptare (Besëlidhje të re ose diçka si Aleanca Kuq-e-Zi) për ta ruajtur territorin e sotëm dhe për t’u përgatitur ushtarakisht dhe diplomatikisht për mësymje historike, për rikthimin e territoreve të humbura gjatë fillimshekullit 20, kur imperializmi serb kreu spastrimin etnik të territoreve të ligjshme shqiptare për kontekstin kohor dhe politik.

Çdo mësymje historike së këndejmi pasohet me kundërmësymjen, sado që tingëllon kundërhistorike. Në këtë mësymje shqiptarët e Kosovës mund të llogarisin në aleanca me grupet e ndryshme etnike brenda vetë Serbisë.

Nëse Serbia e Tadiqit investon në “ridefinimin e kufijve etnikë” dhe luan me letrën etnike, atëherë vërtet Serbia që nuk është aspak monolite etnikisht bëhet e ndashme lehtë. Duhet përkujtuar kreut serb se nacionalizmi etnik dhe etatist (shtetkrijues) është latent në Vojvodinë me qendër Novi Sadin, nacionalizmi mysliman është i zgjuar në Sanxhak me qendër Novi Pazarin (Pazari i Ri) dhe po aq i zgjuar është nacionalizmi shqiptar në Luginë të Preshevës me qendër Bujanocin, por është midis Serbisë edhe nacionalizmi i fjetur vlleh në Krahinën e Timokut me qendër Surdulicën.

Porse, Serbia demokratike dhe proeuropiane, nëse sado pak ka mendje racionale në majat e pushtetit, duhet që pos rekonstruktimit dhe rrëzimit përfundimtar të “Mitit të Kosovës” ta rivlerësojë edhe imperializmin e vet modern, pushtimin e territoreve shqiptare, spastrimin e tyre etnik dhe heqjen dorë nga nacionalizmi egalitar, për t’iu qasur fqinjëve në dritë të re dhe për të arritur pajtim në baza demokratike dhe integruese, së këndejmi, për të gjetur zgjidhje joterritoriale dhe johistorike, pra ligjore.

Në shoqëritë egalitare si ajo serbe, nacionalizmi përdoret si përgjigje për problemet e pazgjidhura ekzistenciale të qytetarëve. Filozofi serb Milan Kangrga përmend rastin e një mitingu kur punëtorët e uritur kërkonin përmirësimin e jetesës dhe kishin ardhur në miting si punëtorë, por pas takimit me “vo?din” Milosheviq, kishin shkuar si serbë.

Kjo është së këndejmi barazia në ndjenjën nacionaliste dhe gjatë manifestimit të saj, kapaciteti egalitar shteron shoqërinë qytetare.

 

Serbia e ka humbur luftën për Kosovën dhe më 9 qershor 1999 e ka nënshkruar kapitullimin (me nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike-Ushtarake me NATO-n) në Kumanovë, prandaj askush në Tiranë dhe Prishtinë nuk mund të hyjë në pazare më Beogradin, për territorin kushtetues të Kosovës, sepse kjo paraqet tradhti kombëtare.

Pajtimi historik me shqiptarët e Kosovës duhet kërkuar në Prishtinë.

Serbia lë të zgjedhë, të negociojë për territoret historike ose të pranojë kufijtë e ligjshëm dhe të bashkëpunojë rreth integrimeve euroatlantike. Nëse Serbia këmbëngul në “ripërkufizim territorial” për ta marrë pjesën veriore të Kosovës, Prishtina e hedh në tavolinë ndarjen e Serbisë, përkatësisht ndarjen e Sanxhakut të Nishit dhe marrjen e Luginës së Preshevës.

Nëse Serbia dëshiron ndarje historike dhe etnike atëherë, OK, duhet rikthyer historisë,  natyrisht kjo implikon edhe bartjen humane të popullsive, pra Serbia t’i marrë serbët kosovarë që jetojnë në brendi të Kosovës, kurse Kosova t’i marrë njerëzit e saj në veri të lumit Ibër.

A u duket kjo e llahtarshme?

Nëse po, atëherë kështu dhe vetëm kështu tingëllon secila zgjidhje historike.

Ku shpie kjo?

Në çfarëdo grope humnerore pos në paqe e integrime.

Sepse Kosova ka humbur shumë territore dhe s’e ka asnjë pëllëmbë toke për shkëmbim. Fundja askush s’e jep tokën e fituar në luftë.

Çfarëdo tendence e Beogradit për të gjetur partnerë për lojëra etnonacionaliste rreth ndarjes së territorit kosovar, në Tiranë ose Prishtinë, ose kudo qoftë, është teori dhe praktikë që i përshtatet “Boshtit të së Keqes” dhe thirrje për luftë të re, si dhe shmangie përfundimtare nga ideja e Europës.

Nëse Serbia do zgjidhje historike, e ka: Lë ta ndajmë Serbinë!

Prandaj serbëve dhe shqiptarëve kosovarë u mbetet vetëm një zgjidhje, ajo demokratike, nëse nuk duan të rrëshqasin në humnerë.

E që është njohja reciproke në kufijtë aktualë.

Zgjidhja joterritoriale dhe joetnike, por kushtetuese për serbët kosovarë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës është brenda Pakos Ahtisaari, (decentralizim i pushtetit) e jo në modelet autonomiste, që po duket se është qëllimi i fundit i Serbisë. Çdo zgjidhje territoriale hallakat tërë Ballkanin.

Kush mund t’u thotë shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, atëherë: “Ju nuk keni të drejtë për autonomi”?

Askush.

Prandaj Serbia duhet ta njohë Kosovën shtet në kufijtë e vitit 1974.

E Kosova ta njohë shtetin serb dhe administratën e tij në Nish dhe Preshevë.

8 komente në “Zgjidhja historike: Ndarja e Serbisë”

  1. preng sherri says:

    jam nje qytetar i thjeshte dhe gjithmone me ka be pershtypje heshtja por sidomos injoranca jo vetem e kombit tone por ne vecenti e strukturave shteterore ne Tirane apo Prishtine.
    Duhet qe te gjthe te behemi te vetedijshem per cka ndodhur gjate historise se kombit tone,te pakten per 100 vitet e fundit.Mendoj vetem tmerrin qe kane perjetuar ata njerez,shqiptare,dhe tmerrin qe perjetuam me 1999.
    Ajo qe me shtang eshte neglizhenca,injoranca e pjeses me te madhe.
    Eshte e turpshme qe fakte te tilla nuk i behen te njohura opinionit shqiptar dhe boteror,por te gjithe rrine te heshtur.Vihet re kudo ne mediat europiane perpjekjet e serbise per rregullimin e figures se saj dhe paraqitjen e shqiptareve si fajtor,dhe per fat te keq edhe me sukses.
    Po politika jone??? nese mund ti quajme politikane…

  2. Marin says:

    Urime Zoti Matoshi! je shume i sakte dhe mjeshter i polemikes politike.

  3. Glauku says:

    Shumè mirè zoti Matoshi. Argumentet e juaja janè bindèse. Sulmi èshtè mbrojtja mè e mirè. Pas kètijè shkrimi nuk besoj se serbèt do tè kèrkojnè ‘zgjidhje historike’ me Shqipèrinè. Mbetet si alternativè pèr serbèt qè tè njohin Kosovèn me kufinjtè e 1974, kjo èshtè mè shumè njè e mirè pèr ta dhe mè pas pèr Kosovèn. Kètu dua tè shtoj se sa mè shpejt ta bèjnè kètè aq mè mirè do tè jetè. Tadiçi çdo gjè duhet ta zgjidhi me Kosovèn dhe aspak me Shqipèrinè. Kosovès i duhet unitet dhe tè mos ngutet, se nè duart e sajè èshtè e ardhmja e gjithè Ballkanit nè EU.

  4. Miku qe ju don te miren says:

    Ky shkrime ka shume vlerh per njohjen e historis dhe rezikun qe po i afrohet Kosoves. Pore do te jete me shume vlera sikure te shkruajsh dhe nje tjeter per mbeshtetjen qe ky plane serbe gjene ne Tirane e Prishtine dhe nga kushe .E cilsoj kete nga kushe se ju mire e dini dhe si si Shqipetar i ndershem thuaja ne sy sepes keshtu tregon sinqeritetin tend ,qe nuke kame pike dyshimi se eshte i paster.

  5. Shpresa says:

    Ky shkrim eshte teper i sakte dhe shkencor. Te lumte mendja e pena, zoti Matoshi! Shkrime te tilla duhet me patjeter te botohen ne revista e gazeta te rendesishme boterore apo ne internet, ne anglisht, (apo frengjisht) qe bota te mesojne te verteten ne pergjithesi, dhe problemet territoriale e historike midis Kosoves dhe Serbise, ne vecanti. Komunitet shqiptare ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni e Mal te Zi, rrethet shkencore duhet nje ore e me pare te organizohen, per te paraqitur historine e vertete te marredhenieve shqiptaro-serbe dhe genocidin serb, grabitjen e tokave e masakrat e perbindshme qe serbet kane bere ne shekuj kunder shqiptareve. Dhe kjo duhet bere ne menyre te organizuar dhe te sponsorizuar nga shtetet reciproke shqiptare (ku ka mundesi) dhe individe te pasur, per ti’u kundervene propagandes shpifese e denigruese te shtetit serb, kishes serbe dhe shtypit serb. E perseris, gjithcka duhet botuar ne anglisht. Eshte koha qe shqiptaret te kapin kohen e te tregojne e flasin te verteten e hsitorise se tyre me fqinjet grabitqare ne veri apo ne jug. Falemnderit!

  6. riza says:

    Komplimente per gazetarin.
    Turpe per politikanet.

  7. preng sherri says:

    Do te deshiroja qe shkrim si ky i z.Matoshi te jete i perhershem ne faqet e TEMA,ne menyre qe ta lexojne sa me shume shqiptare dhe ndoshta te cele nje drite mbi ndergjegjen e te gjitheve.
    Faleminderit

  8. syçelë says:

    ju faleminderit, z. Matoshi! por keto duhen thene nga politika, jo vetem nga gazetaret. ose le ta thote populli fjalen e vet, me vetvendosje!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje