20 vjet pas shkatërrimit të Jugosllavisë: një kronikë e shkurtër për një shtet që u bë gërmadhë së pari nga nacionalizmi serbomadh
Prolog me qull politik
Ky qershor është muaj i shumë përvjetorëve. Kaluan 12 vjet që nga çlirimi i Kosovës, 12 vjet të gjata për jetën e një njeriu. Para se të bëhet vonë Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, i tregoi qartë opinionit se babai i pavarësisë së Kosovës qenkësh vetëm Adem Jashari. Ibrahim Rugovën e injoroi. Këtu ka vetëm një problem: në strategjinë e Ministrisë së Jashtme të shkruar (edhe) nga Petrit Selimi, zëvendësministër i punëve botërore, Rugova lavdërohet me fjalë të zgjedhura, Adem Jashari nuk përmendet fare! Çfarë na tregon kjo? Na tregon se personalitetet historike të Kosovës përdoren e keqpërdoren për interesa të politikës ditore. Kur hyjnë në punë për poenë politikë, përmenden, kur s’hyjnë, përbalten, harrohen. Pak para zgjedhjeve parlamentare aeroporti i Prishtinës me pompozitet mori emrin “Adem Jashari”, autostrada u pagëzua “Ibrahim Rugova”. A nuk do të ishte e kundërta më mirë? Aeroporti është porta e Kosovës ndaj botës dhe, këtë s’mund ta mohojë askush, Rugova është më i njohur jashtë vendit se Adem Jashari, përndryshe edhe ky i fundit, dikur, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës sikur Hashim Thaçi, i cili, para disa muajsh, partinë e tij të parë e krahasonte me Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë – dhe thoshte: LDK-ja nuk ka zbritur prej pushtetit që nga koha e AVNOJ-it, pra nga Lufta e Dytë Botërore. Pyetja që mbetet pezull është: si ndodhi që Thaçi të anëtarësohej në LDK, në partinë, ah, komuniste, projugosllave, moniste etj. Kështu flitet për historinë sot në Kosovë – me banalitete dhe humor të qullët, me lajka patriotike dhe interpretime të gënjeshtërta. “Mbi këtë kohë ka rënë një barrë / është mallkimi i mediokritetit të marrë. / A thua zorrët të ngatërrohen bosh? / Të vërtetën s’mund ta durosh? / Domethënë ti je vetëm një grykës i qullit të lirë -? / Atëherë… / Po, atëherë nuk e meriton më mirë” – ndoshta kështu, me këto vargje të shkruara nga poeti gjerman Kurt Tucholsky, mund të përshkruhet ligjërimi për kujtesën historike në Kosovën e pasluftës, ku shpesh përmendoret ndërtohen jo për të nderuar veprën e dikurshme të dikujt, por për të manifestuar dominimin pervers sot. – U shënua, këto ditë, edhe 133-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, një përpjekje dëshpëruese dhe fisnike e bajraktarëve të atëhershëm shqiptarë për të ruajtur tërësinë territoriale të viseve të banuara me shqiptarë. Si milet patetik dhe në faza të caktuara tepër dembel shqiptarëve nuk u pëlqen ta thonë – e lëre më ta dëgjojnë! – të vërtetën e plotë. Një ndër këto të vërteta është se Lidhja e Prizrenit në mungesë të vizionit shtetndërtues nuk e kontestoi përkatësinë e trojeve shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, prandaj kërkoi vetëm autonomi nën “babën Sulltan”. Këto fakte nuk janë shpikje e dashakeqësve, por gjenden në çdo libër të historianëve seriozë të Ballkanit, sidomos atyre nga hapësira mendore gjermane. – Më 25 qershor do të shënohet një përvjetor tjetër: 20-vjetori i shkatërrimit të Jugosllavisë. Më 25 qershor 1991, dy republikat më të pasura jugosllave, Kroacia dhe Sllovenia, shpallën pavarësinë në përpjekje për t’i ikur dominimit serbomadh. Kështu nisi faza finale e shpërbërjes së Jugosllavisë, një proces i përgjakshëm që u përmbyll me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt 2008.
4 maj 1980
Kur filloi shkatërrimi i Jugosllavisë? Shumë data mund të përmenden, por 4 maji i vitit 1980 mund të jetë dëshmia e kryehershme, kur vendi shumëkombësh mori tatëpjetën. Atë ditë u ndërpre ndeshja e futbollit mes Hajdukut dhe Cërvena Zvezdës dhe folësi i stadiumit në Split bëri të ditur se në Lubjanë kishte vdekur “shoku Tito”. Mediat filluan menjëherë të emetojnë dhe botojnë hagiografi për “birin më të shtrenjtë të kombeve dhe kombësive tona”, në Prishtinë e gjetiu në Jugosllavi poetë provincialë rrokën penën dhe shkruan ca vargje patetike. Thuhet se një vjershëtar kosovar kishte shkruar se për vdekjen e Titos kishin vajtuar edhe makinat e shtypshkronjës së Rilindjes. Në stacionin e trenit në Zagreb si kurrë më parë dolën mijëra njerëz për t’i dhënë lamtumirën Titos, kufoma e të cilit vazhdonte rrugëtimin me Trenin e Kaltër drejt Beogradit. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë 209 delegacione nga 128 kombe, mes tyre katër mbretër dhe gjashtë princër, 31 presidentë, 22 kryeministra shtetesh dhe 47 ministra të jashtëm. Një prani kaq masive nuk ishte vetëm dëshmi se çfarë reputacioni gëzonte shteti shumëkombësh në botë; kjo prani e dinjitarëve politikë nga gjithë bota ishte edhe njëlloj përkrahjeje për ekzistimin e mëtutjeshëm të Jugosllavisë. Që atëherë ekzistonte frika se ky shtet i madh që shtrihej nga Austria në Greqi mund të rrëshqiste në konflikte të përgjakshme. Indikacionet e katastrofës ishin të dukshme. Ekonomia ishte para kolapsit, nomenklatura komuniste ishte treguar tërësisht e paaftë për menaxhim të suksesshëm. Kriza e përhershme maskohej me kredi, por agonia nuk mund të luftohej kështu, me para të huazuara. Vetëm mes viteve 1976-1981, Jugosllavia kishte grumbulluar 85 për qind të të gjitha borxheve prej 21 miliardë dollarësh (më gjerësisht për këtë temë ka shkruar Harold Lydall, në librin e tij mbi teorinë dhe praktikën e socializmit jugosllav). Teknologjia e fabrikave jugosllave (me përjashtim të Sllovenisë) nuk mund të matej me standardet e prodhimtarisë perëndimore. Shembull i dështimit kolosal ishte përpjekja e fabrikës “Zastava” të Kragujevcit për të eksportuar veturën “Yugo-A” në Amerikë. Sa raporti televiziv është bërë për këtë temë në vitet ‘80, sa faqe gazetash janë mbushur. Gati krejt Jugosllavia jetonte me ëndrrën se “Yugo-A” ishte shpëtimi. Amerikanët nuk ishin aq të entuziazmuar me cilësinë e këtyre veturave, kështu që në vitin 1989 “Zastava” shiti vetëm 18 vetura përtej Oqeanit Atlantik. Në vitin 1984 numri i të papunësuarve kaloi kufirin prej një milion, hendeku mes republikave të pasura në veri dhe viseve të varfra në jug vazhdonte të thellohej, kështu sllovenët ishin nëntë herë më të pasur se shqiptarët. Politikani kroat Jure Biliq atëbotë kishte thënë se projekti jugosllav ishte “ndërtuar mbi iluzione dhe nganjëherë madje mbi fantazi”. – Nuk ishte vetëm dëshirë e shumë qytetarëve të Jugosllavisë që Tito të jetonte më gjatë, por edhe e Enver Hoxhës. Në një intervistë për revistën “Der Spiegel”, Nexhmije Hoxha në vitin 2004 ka deklaruar: “Kur Tito u sëmur për vdekje, Enveri më befasoi me një thënie: ‘Dëshiroj që ai të jetojë edhe disa vjet. Nuk mund ta marrësh me mend se ç’do të ndodhë tash në Jugosllavi’”.
Ringjallja nacionale dhe nacionaliste
Vdekja e Titos, keqësimi i gjendjes ekonomike, humbja e legjitimitetit e Lidhjes së Komunistëve për shkak të paaftësisë së shumë funksionarëve dhe menaxhimi i dobët i ndërmarrjeve shtetërore ndikuan që në sipërfaqe të shfaqen intelektualë dhe politikanë që përfaqësonin në radhë të parë interesa nacionale, shpesh nacionaliste. Në Serbi ceremonia e varrimit të ish-ministrit të Brendshëm, famëkeqit Aleksandër Rankoviq, në vitin 1983 u shndërrua në një demonstrim të heshtur nacionalist me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve, përfshirë qarqet akademike. Ishin këto qarqe që më vonë do ta përshëndesnin ardhjen e Slobodan Milosheviqit në krye të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Juristi Vojislav Sheshel kishte kërkuar shndërrimin e Jugosllavisë në një shtet me katër republika (Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Maqedonia) dhe ishte dënuar nga një gjykatë në Sarajevë. Në vitin 1981 në Zagreb ishte dënuar Franjo Tugjmani për shkak se ankohej se populli kroat po diskriminohej në Jugosllavi. Në Sarajevë, në vitin 1983 ishte dënuar një grup aktivistësh islamikë, të cilëve u printe Alija Izetbegoviq. Ata akuzoheshin se kërkonin “shtet islamik” dhe mbanin kontakte me regjimin në Iran. Për të qenë ironia më e madhe, në vitin 1986, shkrimtari serb Dobrica Qosiq kërkoi lirimin e Izetbegoviqit në emër të lirisë së shprehjes. Në vitin 1981, kriza do të ashpërsohej me shpërthimin e protestave të studentëve në Kosovë. Kërkesat e tyre ishin sociale (kushte më të mira në konvikte), politike (barazi në Jugosllavi dhe krijimin e një republike shqiptare në kuadër të këtij shteti) dhe ideologjike (klithje naive dhe lavdërime për regjimin e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, i cili gjatë sundimit të tij e kishte shndërruar Shqipërinë në Gullag të Mesdheut). Studimet e fundit të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt dhe të historianes gjermane Marie-Janine Calic tregojnë se demonstratat në Kosovë ishin nxitur edhe nga shërbimi sekret i Tiranës. Demonstratat ishin një rast i mirëseardhur për bllokun serb në Federatën e Jugosllavisë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe për të filluar një fushatë represioni. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosova kishte përjetuar dy faza shumë të ndryshme. Faza e Rankoviqit (deri në vitin 1966) karakterizohet me dhunë policore, dëbime, burgosje. Faza e autonomisë njihet me rënien e nivelit të dhunës shtetërore dhe me zhvillim të hovshëm ekonomik, urbanizim (në vitin 1945 rreth 80 për qind e banorëve të Kosovës ishin bujq, ndërsa në fillim të viteve ‘80 kjo shifër kishte rënë në 36 për qind), me hapjen e shkollave dhe Universitetit të Prishtinës dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Përvoja e shqiptarëve në Jugosllavi s’është as tërësisht e bardhë, as tërësisht e zezë, por e përhimët. – E paaftë për të luftuar krizën udhëheqja komuniste serbe në bashkëveprim me qarqet nacionaliste e zbuloi Kosovën si hapësirë projektuese të dëshirave serbomëdha, si metaforë të dhembjes, kataklizmit, salikimit kishtar dhe shpëtimit hyjnor. Për këtë tregojnë jo vetëm ceremonitë me rastin e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës dhe procesionet me eshtrat e Car Llazarit, por edhe diskursi publik i intelektualëve serbë, që dominohej nga figurativizmi pothuaj apokaliptik. Pas publikimit të Memorandumit të Akademisë së Serbisë në shtator 1986, ku me retorikë vajtuese serbët stilizoheshin si komb viktimë, një ndër kulmet e ndezjes së emocioneve mbi bazën e thashethemeve ishte rasti i Gjorgje Martinoviqit, i cili ishte paraqitur në spital me një plagë, e cila, sipas tij, ishte pasojë e keqtrajtimit seksual.
Pamje nga viti 2011
Përveç arsyeve të përmendura ekonomike, politike dhe nacionaliste Jugosllavia dështoi edhe për shkak të mungesës së koherencës shtetërore, kundërthënieve të papërputhshme historike dhe ndalimit gati 40-vjeçar të debatit mbi Luftën e Dytë Botërore. Në shkolla njerëzit mësonin vetëm për luftën heroike të partizanëve kundër gjermanëve, italianëve dhe armiqve të popullit. Sistemi komunist arsimor fshihte të vërtetën tjetër se lufta kundër kuislingëve të vërtetë dhe të shpifur ishte luftë civile ndërjugosllave. Vetëm kjo heshtje shumëvjeçare mund të shpjegojë shpërthimin e debateve shpesh emocionale në vitet ‘80 mbi numrin e të vrarëve në kampin e Jasenovcit nga ustashët (kolaboracionistët kroatë), mbi krimet e çetnikëve në Bosnjë, mbi vrasjen e shqiptarëve në Tivar, internimet në Goli Otok. Sado i pashmangshëm që ishte dështimi i Jugosllavisë me siguri do të ishte mirë të mos kishte ndodhur kështu: me lumenj gjaku dhe gati 200 mijë viktima. Ku do të ishin sot “kombet e kombësitë” mes Jesenicës dhe Gjevgjelisë nëse shpërbërja e Jugosllavisë do të ishte bërë paqësisht? Me siguri në Bashkimin Evropian. Ndoshta komisar i BE-së për zgjerim do të ishte një politikan slloven, i cili nën presionin e Qeverisë së shtetit të Kosovës do të pengonte hyrjen e Rumanisë në BE. Në vend të kësaj perspektive shumica e popujve të rajonit zgjodhën rrugë të tjera dhe humbën shansin të divorcohen pa dhunë dhe të integrohen në Evropën e mirëqenies. 20 vjet luftëra e konflikte – sa të gjata për jetën e një njeriu! Dhe sa të ëmbla për përfituesit e llojllojshëm politikë anekënd Ballkanit.
Qèllon nganjèherè qè ‘qulli’ si ushqim nuk èshtè i keq. Por ky qulli yt o zoti Enver.R , kèsajè here nuk ‘hahet’ ndoshta sepse e keni gatuar jo sipas traditès por sipas ‘guzhinès’ gjermane. Thuhet se njè qull tè tillè kish gatuar Bismarku disa burrave tè nderuar shqipètarè qè i shkuan pèr vizitè……….Ndaj dhe atyre burrave ju mbeti qulli i ‘baba Sulltanit.’ …. Vetèm njerèzit e pa pèrgjegjshèm nuk duan tè dinè se çfarè do tè ndodhi pas vdekjes sè tyre. Ndèrsa ato burra e pleq tè mènçur jetojnè dhe pas vdekjes sè tyre.
Shqipèria por dhe Kosova mbetèn si fèmijè jetim qè zihen mes tyre pèr kafshatèn e bukès…Dhe vèrtetè èshtè e rèndè qè Rumania dhe jo vetèm ajo ; Vendosin tè ardhmen e fatit tonè nè Europè., kur duhej tè ishte krejt ndryshe.
Shkrimet tuaja me pelqejne gjithmon , i ke shume te goditura sepse eshte shume mire kur gjerat tregohen lakuriq.