Shqiptarë! A ndjeni?

16 Qershor 2011, 20:48Blog TEMA

Nga Gjon Ndreja

Para disa ditësh një ministër i qeverisë shqiptare shkarkoi nga detyra një inspektor në një inspektorat të rëndësishëm të administratës publike. Shkarkimi i tij erdhi si rezultat i kërkesës së kryetarit të partisë prej nga ishte propozuar inspektori, për t’u zëvendësuar me një militant tjetër po nga kjo parti. Është nga ato partitë e koalicionit qeveritar që kanë përfituar pesë apo njëzet përqind të qeverisjes në të gjitha nivelet nga marrëveshja e koalicionit, pavarësisht nga votat që kanë fituar; nga ato parti që kanë mbushur rrugët me bill-bordera me portretet e kryetarit, të shoqëruara me slogane që përbetohen për interesat e këtij vendi.

Kryetari i partisë e kishte thirrur inspektorin dhe ja kishte komunikuar këtë vendim paraprak. Them paraprak sepse zyrtarisht ai është larguar nga ministri. Shkaku i largimit kishte të bënte me “infeçiencën” e inspektorit, siç e motivonte kryetari i partisë, në plotësimin e detyrimeve ndaj partisë. Por siç merret vesh këto detyrime nuk kishin të bënin me angazhimin e tij në strukturat e partisë apo diçka tjetër të ngjashme, por bash me mosplotësimin e “kuotazicionit” të caktuar nga kryetari. Prapë me sa duket nuk jam duke u shprehur qartë të dashur lexues. Ky “kuotazicion” për të cilin bëjmë fjalë nuk është ndonjë detyrim i përcaktuar ne statutin e partisë, që rrjedh nga anëtarësia në parti e inspektorit. Falë mekanizmave të reja që kanë dalë në dritë kjo konsiderohet si një mënyrë e vjetër e kontributit dhe tashmë është braktisur tërësisht dhe nuk përbën as 0.05 % të burimeve financiare të partive. “Kuotazicioni” i caktuar nga kryetari i partisë kishte të bënte me një shumë prej 40.000 (dyzet mijë) euro që inspektori duhej ta derdhte për partinë çdo muaj dhe që do ta siguronte nga ushtrimi i funksionit të tij zyrtare.

E di që shumë prej jush të dashur lexues nuk do ta besojnë vërtetësinë e shumës duke dyshuar se unë, gabimisht kam shtuar një ose dy zero, prandaj po e shkruaj edhe me fjalë dhe jo vetëm me shifra. Po pra, dyzet mije euro është kuotazicioni mujor i përcaktuar për këtë post. Kjo shumë do të sigurohej nga inspektori duke aplikuar penalitete ndaj bizneseve që në aktivitetin e tyre nuk kishin plotësuar kërkesat e ligjit. Por, në ndryshim nga kërkesat e ligjit që parashikojnë derdhjen në buxhet të gjobave, penaliteti në rastin konkret do të devijonte rrugën duke u drejtuar fillimisht në xhepat e inspektorit dhe pastaj në “arkën” e partisë. Pa hyrë akoma në analizën e impakteve sociale që paraqet kjo dukuri apo në cenimin e drejtpërdrejtë të buxheti të shtetit, unë po merrem vetëm me gjurmimin e “xhepave” të mundshëm ku këto para mund të përfundojnë. Së pari besoj se inspektori do të mendojë për veten e tij duke hequr mënjanë një shume modeste të paktën sa rroga që merr në shtet. Por kjo mund të funksionojë vetëm kur ai nuk e ka plotësuar kuotën pasi në të kundërt kur kjo kuote tejkalohet e gjithë shuma e tejkaluar hiqet mënjanë. Dhe kjo e bën agresiv inspektorin ndaj bizneseve, më brutal në sjellje ndërkohë që bizneset të cilat ndjekin qëllime fitimi janë të prirura t’i nënshtrohen sjelljes së inspektorit pasi sipas principit të fitimit nuk do të thotë vetëm të shtosh fitimet, por të pakësosh edhe humbjet. Ndërkohë principi nga udhëhiqen inspektorët e këtij lloji dhe i pranuar lehtësisht nga subjektet që kryejnë kundravajtje është “Më mirë një për Lalën se dy për Salën”. Teprica e kuotës derdhet në “arkën” e partisë nga inspektori. Në fakt arka e partisë në këtë rast unifikohet me xhepat e kryetarit dhe nuk bëhet fjalë këtu për regjistrime kontabile të kuotazicionit, por në rastin më të mirë kryetarët i kemi parë të mbajnë një bllok që tashmë është bërë i famshëm. Një bllok ku me sa duket mbahen të gjitha, edhe detyrimet, edhe emërimet, edhe kontributet. Por unë jam i sigurt se një pjese e këtij buxheti të krijuar sipas kësaj mënyrë do të mbetet në xhep të kryetarit të partisë dhe ai s’ka perse të mos e bëjë këtë pasi vetë ka caktuar kuotat dhe vetë mban arkëtimin e tyre. Blloku është vetëm i tij. A i keni parë kryetarët e partive të koalicionit qeverisës se sa shpejt i ndërrojnë kostumet, makinat, mobiliet, shtëpitë dhe ndonjëherë edhe gratë…

Po të dashur miqtë e mi, ky nuk është vetëm një rast sporadik sepse po të ishte i tillë nuk do të ishte subjekt i këtij shkrimi. Sigurisht edhe si i tillë është shumë grotesk, por siç më kumtoj vetë inspektori, tashmë ky është një fenomen sistematik. Çdo pozicion pune i përftuar nga partitë sipas marrëveshjes së koalicionit në vartësi të funksionit ka detyrimin të derdhë këtë lloj “kuotazicioni” për partinë përndryshe detyrohet të lirojë vendin një personi më të “aftë”. Po protagonisti i shkrimit tonë ishte një inspektor i thjeshtë, një “nëpunës i vogël i perandorisë” dhe duhej të siguronte dyzet mijë euro. Ju sigurisht mund të jeni kurioz për kuotat që duhet të sigurojë një tatimor apo doganier, një ministër apo një deputet. Ju lutem bëjini vetë llogaritë, unë nuk mundem pasi përfundimet më trembin. Unë po ju tregoj vetëm se edhe deputetët përpara se të kandidojnë duhet t’i nënshtrohen “tenderimit”. Një miku im që pretendonte të zgjidhej deputet në legjislaturën e kaluar nuk mundi të fitonte të drejtën për të kandiduar në emër të partisë së tij për shkak se kuota e caktuar nga kryetari i partisë ishte marramendëse; pesëqind mijë euro. Ja pra, kjo është një nga arsyet që e bëjnë “biznesin” e politikës më fitimprurësin e të gjitha bizneseve dhe prandaj shumë njerëz dynden dhe nxitojnë drejt tij, pavarësisht nga bindjet e vërteta që ato kanë, pavarësisht nga programet që prezantojnë partitë, mjafton që ato të jenë pjesë e koalicionit fitues.

Pash Zotin a ndjeni o shqiptarë se ç’po ndodh! Po ndodh ajo që prej kohësh është paralajmëruar. Po shkatërrohet shteti dhe mbi themelet e truallin e  tij mafia po ngre ndërtesën e vet të kobshme duke e kapur shtetin dhe duke e kthyer këtë vend në një gërdallë. Besoj se tashmë ndajmë të njëjtin mendim se nuk mund të flasim më për një administratë publike në shërbim të qytetarit apo për një partneritet të shtetit me biznesin. Asgjë nuk ka mbetur nga këto principe. Po shkatërrohet demokracia duke pjellë lloj-lloj monstrash politike pa kurrfarë identiteti apo programi politik, por me qëllimin e vetëm të grabisin e të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Etja për pushtet dhe fuqia e parasë së grumbulluar në mënyrë të paligjshme e të pandershme po e vendosin politikën natyrshëm në partneritet me krimin, e cila për të mbrojtur pushtetin që gjeneron para të pista dhe pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme, bëhet pjesë e sistemit kriminal. Kjo sigurisht frenon konkurrencën e lirë dhe të ndershme si në planin e zhvillimit politik ashtu edhe ekonomik. Kjo ka krijuar rrezikun e madh dhe idenë  se ligji mund të shkelet dhe mund të mos zbatohet, se zyrtarët e shtetit mund të blihen lehtësisht me para dhe se paraja mund të shpëtojë nga ndëshkimi zotëruesin e saj. Madje ky është edhe dëmi më i madh.

E pra kjo situatë duhet të marre fund. Po si? Me sa duket është e thjeshtë. Njëra nga rrugët më të rëndësishëm është: Të ndërpriten burimet financiare të paligjshme të partive politike. Një fjalë goje.  Por duhen burra shteti për ta bërë këtë. Duhen njerëz me vizion për të cilët interesi i shoqërisë shqiptare është mbi gjithçka. Ose për ndryshe surgite mortui (çohuni të dekun), që të shpëtojmë ne të gjallët.

8 komente në “Shqiptarë! A ndjeni?”

  1. JEZERCA says:

    Edhe kjo histori i ngjaka asaj gruas se kryetarit te kavajes.Boll o njerz te pa fytyre se nuk u beson askush.(beni edhe ti nje leter ambasadorve te huaj sepse ndofta ta besoje)

    1. fule says:

      O rrot K…aishi. Po blloken e kokeqelbit Ilir Meta e pame te gjithe, apo ishte montazh.
      Po gjej nje shok ne LSI, edhe pyete si funksionon partia o tutkun.

    2. pjeter musta kuqi says:

      po ti mor idiot mos je vete ilir meta?

  2. artur says:

    Shqiperia do te vazhdoje te vuaj sepse ,te jemi realiste,ne kemi shume “JEZERCA”qe pranojne te hane edhe bar por parimet demokratike te kryehajdutit dhe zevendeskryehajdutit te mos i shkelin.

    1. Shqiptar says:

      barngrenes ka fatkeqesisht shume, shume me shume se shume sepse ndryshe nuk do funksiononte kapitalizmi, ndryshe nuk do kishin pushtet bankat…lej keta marionetat pa ndergjegje si tipat e metes apo saliut etj…..ka shume fatkeqesisht…popuj hapni syte(hapni librat,shfrytezoni cdo mjet qe ju jep informacion,perdorni logjiken dhe vetem athere nuk do ken shans te tille instrumente te kene sukses

  3. vjosa says:

    Po nuk i ngjan krietarit Ilir ,nuk kan vend neper dikastere.Pse vetem Liri do mendoj per partin? vetem ai do kontriboj per partine?Vetem ne nje allishverish Liri zhvati 700 mij Euro,por per partin ama,jo per xhepin e tij,ndersa ai inspektori,nuk beka dot 40 mij Euro,turp ti vij,mir ja kan ber se nuk qenka i zoti,te nderrohet me nje hajdut tjeter

  4. Miku qe ju don te miren says:

    Jezerca si mali i dyte me i larte ne Shqiperi dhe qe je boshe pa as nje dhoi bimesie(sic thote populli toke e djegur ku nuke mbine as bari) Nuke munde te ofrosh gje tjeter vec se besnikri te verber ndaj Diktatori
    Dote jeshe pa tjeter nga ata te brumosur me mesimet e Partis e te shokut Sali.
    I mbajsh me shendet.

  5. ncuku says:

    Eshte po kaq e vetete se te gjithe kandidatet per te zgjedhur deputete apo kryetare duhet te derdhin ne arken e partise shuma te medha , Shifrat qe degjojme jane alarmante, emrat skandaloze. Nje i njohur me tha se kandidati me dha 5 milione leke per te spendare neper fshat. Dhe e di cfare bera thote ai ? Mora femijet dhe ikajashte shtetit ne plazh. vertet kete qe ke qene neplazh jashte e di, parate e di ai ku i mori. Te tjere thone se nje ish kryetar komune duhet tekete dhene nga 40 mije deri ne 100 mije euro per te siguruar kandidimin ( i ka marre deputeti dhe ne i ka cuar ne parti apo shtepi une nuk di) por ata qe tregojne nuk merziten se kandidati nga me nje kasolle e nje deftese tani eshte me tre vila e tre diploma.
    Pra si te bejme per keto qe degjojme , te mbyllim veshet? Pse te mos besoj se eshte keshtu kur nje biznesmen eshte gati te mbylle biznesin kundrejt nje punesimi ne administraten e shtetit?
    Mos rrogat jane aq sa ja vlen me mire rroge se biznes?
    E keqja e medhe se te gjitha ndodhin apo folen askush nuk demoncon ? Ja si rasti i gazetarit apo i inspektorit qe flet por eshte frikacak te denoncoje>
    Po ka dhe te drejte inspektori qe nuk ben denoncim se fitorja eshte ne anen e Kryetarit te Partise.
    A po e gjen gje Ilir meten ? Jo. E hengri me sa duket denoncuesi. A e gjeti gje Famir Mediun? Po ku eshte Trebicka? Jepni pergjigje kesaj dileme ne kete vend shqipesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje