Sa më shumë gurë e heshtje, aq më i lartë piedestali

20 Qershor 2011, 22:15Blog TEMA

Nga Minella Aleksi

Pak javë më parë shqiptarët u njohën me librin e ri të shkrimtarit Ismail Kadare “Mbi krimin në Ballkan”. Ky libër erdhi në momente shumë kritike të shqiptarëve në të dy shtetet e tyre. Pa dyshim që përbën eveniment sepse problemet e shqiptarëve sillen në tavolinën e politikës, të kulturës dhe të historisë nëpërmjet analizës me argumente që trondisin.

Libri “Mbi krimin në Ballkan” erdhi në kohën kur po tentohet dhe po hidhet velloja e fajit mbi popullin e Kosovës, viktimën e keqtrajtuar nga makina shtetërore serbe.

Nuk mund të kalojë jashtë vëmendjes një heshtje e çuditshme e qarqeve kulturore akademike shqiptare ndaj botimeve të shkrimtarit Kadare, sidomos ndaj librit “Mosmarrëveshja” dhe “Mbi krimin në Ballkan”.

Kadare na i dha këta libra njëri pas tjetrit, në një kohë kur fushata antishqiptare e serbëve, ajo teorike, praktike, institucionale (OKB, KE,) është në kulmin e saj. Përballë gjithë kësaj vale përmbytëse Kadare qëndron si një digë mbrojtëse e paepur. Me qëndrimin e tij konsekuent, koherent, të vazhdueshëm e të vazhdueshëm, pa u lodhur, me durim e me këmbëngulje prej 20 vjetësh ka mbrojtur në nivelet më të larta çështjen kosovare.

Me këto qëndrime të Kadaresë të shprehura në këta dy libra ka një paradoks. Jehona në popull ka qenë e madhe, ndërsa në shtyp e media – Jo.

Nga ana tjetër 2-3 javë mbas daljes së librit “Mbi krimin në Ballkan” në shtypin e Tiranës gjalluan disa shkrime në të cilat shkrimtari anatemohet që “me punën e tij intelektualo-kriminale ka degjeneruar shoqërinë shqiptare” (F. Dauti-autor).

Kadarenë e kanë quajtur komunist kur ua ka dashur puna që t’i veshin bëma të komunizmit. E kanë quajtur dekadent e shkrimtar borgjez kur ua donte puna që ta shtynin në humnerë.

Disa letrarë shkodranë e kanë quajtur mohues të shkrimtarëve katolikë veriorë kur ua ka dashur puna që t’ia kundërvënë emrave të njohur të Fishtës, Koliqit, etj.

Kanë thënë para pak kohësh se në Shqipëri janë dy despotë, kryeministri aktual Sali Berisha dhe Ismail Kadare.

Nga të njëjtat burime vite më parë kemi lexuar dhe dëgjuar se Shqipëria kishte dy despotë më të hershëm, dhe ata ishin Enver Hoxha e Ismail Kadare.

Para një jave në një shkrim me autor I.SH mësuam se Shqipëria paska edhe një dyshe tjetër despotësh, kësaj here Gjergj Fishta dhe Ismail Kadare.

Pa dyshim në të ardhmen do kemi një tjetër dyshe despotësh shqiptarë ku njëri dihet që është Kadare, ndërkohë që duhet të presim se kush do të jetë tjetri.

Nuk nguruan ta quanin kritikues me dorashka kur në artikullin për vrasjet e 21 janarit shkrimtari bëri thirrje për respektim të plotë të institucioneve, kundër devizës famëkeqe të Kaligulës – “Le të më urrejnë, veç të më kenë frikën”. Mos vallë edhe kjo është e dykuptimtë?

Kadaresë ia quajtën taktikisht të gabuar letrën drejtuar Bashës. Sipas këtyre frenonte zhvillimin e numërimit të votës së qytetarëve. Kur letra doli në shtyp të gjithë shqiptarët me ankth prisnin një përgjigje që do i shërbente uljes së tensioneve midis dy grupimeve kundërshtare të ndara qartë në popull nga politika me shpresën e rikthimit në rrugën e nisur drejt BE-së. Për fat të keq ja ku jemi sot me dyert e mbyllura nga BE para syve tanë, për fatkeqësinë tonë, për shkak të uzurpimit të shtetit prej pushtetit.

Shqiptarët sot vetëgënjehen me naivitet e mendjelehtësi të pashoqe kur ndjekin në TV “komedinë” më përçmuese për dinjitetin njerëzor të titulluar: Rinumërimi përdhosës i votës së shqiptarëve”.

Kadarenë e kanë kritikuar për mbrojtjen e palodhur që i bën figurës së Skënderbeut. Ia kanë interpretuar për mungesë realizmi historik mbasi që, sipas atyre është i ndikuar nga nacionalizmi komunist!!

Çuditërisht këta që e kritikojnë për këtë gjë megjithëse të ravijëzuar qartë për negativizmin e tyre në faqet e librit “Mosmarrëveshja” kanë heshtur për idetë e shpalosura nga Kadare në atë libër.

Këta analistë dhe polemistë që shprehen për gjithçka, heshtin kur është fjala për “Mosmarrëveshjen”.

Heshtin ngaqë arrijnë të kuptojnë sesa mbrapsht i kanë hipur kalit të diskutimeve (pak e besueshme) apo sepse heshtja, mungesa e kundërvënies në këto raste është taktika më frytdhënëse për fshehjen e qëllimeve të tyre të errëta?.

Kulmi ishte një shkrim i një gazetari, i cili një ditë mbas daljes së librit “Mosmarrëveshja” i konsideroi qëndrim racist argumentet e parashtruara prej shkrimtarit në libër. Nuk mund të harrohet se një cilësim i tillë “racist” i kish ardhur vite më parë shkrimtarit Kadare nga një shkrimtar serb i quajtur Drashkoviç.

Ndërkohë që një diplomat shqiptar me entuziazëm e konsideroi librin “Mosmarrëveshja” si platformën e punës për ministrinë e Jashtme shqiptare në aktivitetin e saj për rajonin e Ballkanit.

Në librin “Mbi krimin në Ballkan” janë disa letra- korrespondencë e Kadaresë me personalitete botërore. Nga letrat mëson se kemi të bëjmë me të njëjtat qëndrime të pandryshueshme të Kadaresë për problemin kosovar. Duke vënë në peshoren e historisë nderin e tij si shkrimtar i njohur, 5 muaj përpara fillimit të bombardimeve në ish Jugosllavi, ai i propozon Presidentit Shirak ndëshkimin me armë të makinës shtetërore serbe. Në përgjigjen e tij Presidenti Shirak i zbulon planin e veprimit imediat dhe afatgjatë, hap pas hapi, deri edhe përdorimin e forcave të NATO-s në rast nevoje në ndihmë të zgjidhjes së çështjes kosovare.

Kadare denoncon edhe një herë me forcë para Perëndimit qëllimet ogurzeza të “Doktrinës Çubrilloviç”, e cila i ka keqtrajtuar dhe shfarosur kosovarët në atë shkallë sa të kujtojnë hebrenjtë e fundit të kohëve moderne.

Heshtja vazhdoi edhe mbas intervistës së fundit të Kadaresë ku me forcë theksoi se Serbia e ka detyrim që ta njohë Kosovën. Serbia nuk duhet të bëj rolin e gjelit në raport me Kosovën, thekson Kadare.

Makina shtetërore serbe me sjelljet e fundit ka treguar se s’ka ndryshuar gjë në qëllimet dhe planet e saj. Janë po ata me qëndrimet dhe planet e vjetra antishqiptare, por që sot shfaqen me kozmetikën e sloganeve demokratike. Nuk mund të shpëlahet Serbia e të tentojë drejt Europës duke bërë pazare të llojit Mlladiç. Platformat demokratike të fqinjësisë së mirë ndërtohen me institucione që respektojnë integritetin e popullit fqinj. Refuzimi i presidenti serb Tadiç për pjesëmarrje në takimin me Presidentin Obama e kishte shkakun te mosdurimi, te qëndrimi refraktar i serbëve kur është fjala për të respektuar të drejtat e kosovarëve.

Përpara këtij realiteti natyrshëm bëhet pyetja: Përse ndodh një gjë e tillë, përse kaq heshtës ndaj problemeve të tilla të trajtuara në këta libra?

Mendoj se mund t’i afrohemi përgjigjes duke e parë fenomenin Kadare në dy plane. Në planin e shkrimtarit që jep letërsi prej gjeniu dhe në planin shoqëror si mendimtar i çështjes kombëtare.

Si shkrimtar përveç romaneve që janë tashmë pjesë e kulturës botërore dallon edhe për një diçka tjetër të veçantë – krijimtari të bollshme, shumë të zgjatur në vite e cila vazhdon të tërheqë vëmendjen e veçantë të kritikës spanjisht folëse e anglisht folëse.

Natyra i ka dhënë shëndet e energji për të vazhduar edhe në këtë moshë të tretë në këtë rrugë suksesi. Kadare ka arritur dhe vazhdon të mbajë të njëjtën shkallë suksesi edhe sot duke bërë që të eklipsohen të tjerët në distancë mbrapa atij. Eshtë e qartë se për ata Kadare përbën një torturë shpirtërore ngaqë, duke qenë shumë prodhimtar instiktivisht nuk lë pjesë lavdie për të tjerët. Nuk është faji i Mjeshtrit që natyra e krijoi me talentin e gjeniut. Por edhe shkrimtarët e tjerë kanë pasur mjaft kohë për të kuptuar se raca e gjenive të letrave është shumë, shumë e rrallë. Aq e rrallë sa numërohen me gishtat e dorës në botë, ndryshe nga gjenitë në shkencat ekzakte. Te “Miti i Sizifit” Albert Kamy shkruan: “Nëqoftëse bota do të ishte e qartë, atëherë Arti nuk do ekzistonte”. Dhe si për ta vulosur këtë definicion mbi botën e gjenive na vjen edhe thënia e Ajnshtajnit: ”Më tepër kam përfituar nga leximi i veprave të Dostojevskit se sa nga punimet matematikore të Gausit”.

Shkrimtarët e mirë shqiptarë, të këtij vendi shumë të vogël, filluan të sajdisen, të shikohen nga botuesit e huaj vetëm mbasi Gjenerali i ushtrisë së Kadaresë i mori për dore, i dorëzoi te N/punësi i Pallatit të Ëndrrave i cili u hapi dyert e departamenteve letrare të vendeve fqinj dhe atyre europiane.

Tashmë jemi mësuar që në krye të çdo panairi vjetor të librit në Tiranë të kemi rregullisht nga një libër të ri prej shkrimtarit Kadare.

Ata presim me padurim që pena e tij të heshtë. Përndryshe prania e tij çdo vit me një libër të ri përbën evenimentin që mbush gjithë hapësirën vjetore të diskutimeve letrare. Nga lartësia e gjeniut Gëte thoshte: “Mediokriteti në art e ka ngushëllim shumë të madh mendimin se gjeniu një ditë do të vdesë”.

Shkrimtarin Kadare e akuzuan rëndë mbas botimeve të para se nuk shkruante për masën, nuk kuptohej, shkruante për të huajt. Kjo të sjell në mend kompozitorin e madh të shkollës vjeneze Arnold Schoenberg, i cili pohonte me zë të lartë: Në qoftë se është Art atëherë nuk mund të jetë popullor dhe në qoftë se është popullor kurrsesi nuk mund të jetë Art. Nga njëra anë kemi interesa të ngushta kolegësh të letrave që ngazëllehen prej heshtjes ndaj tij. Nga ana tjetër kemi grupe të caktuara që përfaqësojnë mirëfilli interesa antishqiptare. Interesa që përmbushen më lehtë kur mbi problemet e trajtuara në librat e Kadaresë arrihet të imponohet heshtje mbi median dhe shtypin.

Në planin e mendimit shoqëror shqiptar Kadare me të drejtë është konsideruar si një Qeveri e fuqishme, paralele me atë zyrtare në aspektin e autoritetit moral.

Refuzimi nga ana e tij e funksionit të Presidentit ishte një zhvendosje akoma më lart si autoritet shpirtëror i shqiptarëve.

Jeta e pushtetit kalon përmes fate njerëzish, jeta e shkrimtarit kalon përmes fate personazhesh të marrë nga fatet e përditshëm që janë pasojë e qeverisjes së pushtetarëve.

Shpesh shkrimtari i madh e mban brenda tij edhe politikanin, e kundërta nuk ndodh. Gjithë vepra e tij është një teatër i madh unik ku janë interpretuar dramat më të mëdha që ka përjetuar populli shqiptar. Lexuesit më të kultivuar brenda e jashtë vendit kanë zbuluar nëpërmjet romaneve të tij kulturën dhe historinë e këtij vendi të vogël. Në rastin e veprës së Kadaresë e kanë gjetur me vend shprehjen se: “Për popuj që aspirojnë kulturë emri i një shkrimtari, titulli i një libri, tingëllon si emri i një atdheu”.

Forca e mesazhit që përcillet në librat e tij për çështjen kombëtare arrin të dominojë mbi unitetin e zërave kundër tij. Çuditërisht këta zëra mblidhen për të vepruar egërsisht mbi fenomenin Kadare sa herë që kemi në duar një vepër ku ai trajton tema të çështjes kombëtare. Këta zëra e gjejnë njeri tjetrin dhe bashkohen, njësoj, si ashklat e mbetjeve mekanike të shpërndara në oborrin e një ofiçine tërhiqen shpejt rreth një magneti të madh. Për këtë lloj bashkimi nuk ka nevojë as për plenume e as për kongrese, i bashkon mllefi i përbashkët që kurrsesi nuk mund të quhet pro-shqiptar.

Zërat mbështetës, sado të shumtë në numër, nuk arrijnë të flasin dot aq lart dhe aq fuqishëm sa flet vepra e tij në përmbajtjen si art i madh, në numër dhe në kohë.

Për gjeniun Koha është mbështetësi më i fuqishëm dhe më rezistent në ndeshjen e tij me forcat kundërvënëse. Raporti i veprës së gjeniut Kadare me kohën është rigorozisht në një proporcion të drejtë. Sa më shumë rrjedh koha aq më shumë afirmon artin e tij gjenial. Aq më shumë rrit vlerat e tij në shërbim të vendit si një nga shtyllat e patundura të kulturës dhe historisë kombëtare.

Koha na ka treguar gjithashtu se sa më shumë është tentuar të errësohen figurat e njohura të historisë e të kulturës së popullit aq më ndritshëm ata vijnë mes nesh sot. Prandaj nuk druhem aspak që të them – sado të heshtni ai dëgjohet më fuqishëm. Hidhni, hidhni sa më shumë gurë e heshtje mbi gjeniun Kadare, mos u tërhiqni. Ai tashmë monumentin e ka të ngritur. Sa më shumë gurë aq më i madh e më i lartë do i ndërtohet piedestali. Piedestali i librave të tij do vazhdojë të shërbejë sot e në të ardhmen si një digë mbrojtëse e interesave të shqiptarëve në të dy shtetet ku ata jetojnë.

3 komente në “Sa më shumë gurë e heshtje, aq më i lartë piedestali”

  1. Savo Dukati! says:

    Është vështirë edhe ta lavdërosh Gjeniun sepse e ka lavdëruar vetë jeta, por të vjen neveri kur bejtexhij, pro sërbë, pijanec, llymra të sigurimit të beogradit dhe Tiranës, guxojnë jo vetëm duke heshur baltën e prostitutave në emrin e pa cenueshëm të Kadares, por edhe për Kosovën për të cilën ai ka shkrir artin e tij për të fituar të drejtat kombtare, na e quajnë përçarës. Dhe përballë këtij përçarësi vendosin kriminelin Lulëim Berishën. NEVERI!

  2. Gazep Dajaku says:

    Do ishim bere te tere jashteqitje te bllokut. Me mire qe nuk jemi te tere si ai.

  3. tajar zavalani jr. us. says:

    Vetem nje difekt a mjegullnaje personale a te imponuar nga e kaluara jo fort e paster (per kete duhet te jemi te gjithe te nje mendjeje, se eshte mese e vertete) ka ISMAIL KADARE, qe me Diktatoret Shqipetar e ka pasur mire e shume mire; duke filluar me Enverin dhe tani me Berishen. Perse do thoni ju: Ai te shan me dhembe e dhemballe pasi ke vdekur, apo jo…ma kundershtoni po deshet dhe ju jap dhjetra fakte. Kjo vlen edhe per Diktaturen e Diktatorin Berisha (qe e ka mik e me shume se mik qe nga koha e intelektualeve te perzgjedhur e te perkedhelur te PPSH), te cilen akoma nuk e ka analizuar e goditur edhe pse kjo flame e re per shqiptaret ndryshon aq pak me flamen e kohes se Enverit, sa dhe perqindja 0,5 nuk i ndan dot. Po perse i madhi KADARE keshtu… do mbetet enigem edhe per sa kohe shkrimtari yne gjenial i paarritshem ndoshta per shume breza, do reflektoje e do marre persiper te demaskoje tek miqte e tij te shumte nderkombetare Neo-Diktaturen tashme te vendosur haptazi ne Shqiperi. Shikoni se si ky gjeni mbare botror, u sulmua nga njerzit perversa e monstra, hajdute e kriminele te mediave e te politikes pro-qeveritare te Berishes dhe Bashes, jo shume jave me pare, dhe se si gjeniu u struk e humbi fare, a thua se nuk eshte krenaria e kombit shqipetare ne bote dhe ka te drejten e pamohueshme te trondise akoma me fort e me me aspersi vjedhjen e votes se lire; pra: rikthimin e Demokracise me cdo cmim pa pare interesin personal. Gjeniu mbetet gjeni, prandaj per kombin e tij perseri nen Diktature duhet te ulurase ne te gjitha dyert e Europes dhe Amerikes, ku e rrespektojne dhe e degjojne sic e meriton, dhe jo te struket ne Paris e te mjaftohet me nje Leter te Hapur drejtuar nje hajduti e vrastar dhe nepermjet tije Diktatorit qe rriti e mban prane kete hajdut e vrastar. I madhi KADARE ndoshta nuk ka nevoje per keto rreshtat e mia, a te mijra e mijra shqiptareve qe e kane idhull e krenari, por ne gjendjen makaber qe ndodhet Shqiperia tani ne 2011, perseri nen Diktature qe ndryshon me ate Diktaruren e PPSH vetem 0,5%, duhet te beje ate qe historine njerzore qe dime deri me sot e kane bere shume shkrimtare te medhenj te kombeve te ndryshme, kur vendi i tyre rrokullisej drejt humneres Diktature, si kjo e jona tani. Koha eshte flori, dhe kurre s’eshte vone per mendjen dhe forcen e KADARES, per te shpetuar Shqiperine nga Diktatura e Diktatori Berisha e shpurra e tij nga pas…Nano, Meta, Topalli, Basha, e company.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje