Kredia 80 milionë dollarësh që Kosova humbi sivjet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) duken si para të imëta karshi kredisë 110 miliardësh që vitin e kaluar FMN-ja dhe Bashkimi Evropian (nga kjo shumë, 30 miliardë janë nga FMN-ja) ia ndanë Greqisë për ta shpëtuar vendin nga falimentimi i shkaktuar nga kolapsi i bonove greke. Pakoja e vitit 2010 erdhi me kushte për politika të reduktimeve të ashpra buxhetore, përfshirë zvogëlimin e pagave të sektorit publik, të pensioneve, dhe shitjen e aseteve në pronë shtetërore me vlerë prej dhjetëra miliardë eurosh – përfshirë edhe privatizimin e Akropolisit të famshëm të Athinës. Tregjet financiare janë tani në hall se çfarë do të bëjnë politikëbërësit evropianë karshi këstit të korrikut, që Greqia duhet ta marrë nga BE-ja dhe FMN-ja, përderisa kryeministri grek Jorgo Papandreu ballafaqohet me një krizë të thellë politike. Greqia është kapluar nga protestat masive të sindikatave, punëtorëve, studentëve, pensionistëve dhe qytetarëve të thjeshtë që refuzojnë shkurtimet e thella të pagave dhe shpenzimeve që qeveria e Papandreut duhet t’i zbatojë si kusht për marrjen e kredive shpëtuese. Ndërkohë “Standard and Poor’s” një nga organizatat që bën vlerësimin e rrezikshmërisë së bonove publike, këto ditë uli bonot greke nga kategoria B në CCC, e paparë për ndonjë shtet të zhvilluar në historinë e re evropiane. Krejt kjo ndodh përderisa Greqia ballafaqohet me mundësinë që thesari i saj edhe de facto të falimentojë gjatë muajit të ardhshëm, duke ndezur një zinxhir të ri krize në ekonominë botërore.
Problemi i borxhit sovran të Greqisë (bashkë me Portugalinë dhe Irlandën që po kalojnë situatë të ngjashme) nuk është vetëm çështje e brendshme e ekonomisë greke, sepse në fundament përbën sprovë për projektin e unionit monetar dhe tregtar evropian. Siç kam shpjeguar në kolumnet e mëhershme mbi problemin e borxheve sovrane evropiane, shkaku i krizës financiare greke nuk është vetëm politika e brendshme e Qeverisë greke, por rezultat i drejtpërdrejtë i aranzhimeve monetare të unionit, e cila me normat e ulëta të kamatave të Bankës Qendrore Evropiane (që favorizoheshin nga shtetet e pasura si Gjermania), nxiti futjen në borxh të shteteve më pak të pasura si Greqia dhe Portugalia, të cilat financoheshin me kredi të lira, kryesisht nga bankat gjermane. Në momentin që tregjet financiare humbën besimin në financat greke, normat e kamatave të kërkuara nga bankat u ngritën në numra dyshifrorë, duke tejkaluar mundësitë e shtetit grek për t’i kryer të gjitha obligimet e veta financiare. Kjo detyroi ndërhyrjen financiare të BE-së dhe FMN-së në mënyrë që të shpëtohet thesari grek nga falimentimi i plotë.
Pavarësisht se është zbuluar se Qeveria greke ka shtrembëruar një pjesë të kontabilitetit të financave të saj publike për t’u kualifikuar për hyrjen në unionin monetar evropian (të cilin e bëri më 2001), kjo vetëm tregon se sa politik është në fund menaxhimi i çështjeve të Bashkimit Evropian, i cili bëri përjashtime jo vetëm ndaj Greqisë, por edhe ndaj shumë rasteve të tjera, në rregullat gjoja strikte të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për anëtarësim në unionin monetar. P.sh., përderisa BQE-ja kërkon që deficiti i shteteve të mos tejkalojë 3% të BPV-së së shtetit anëtar dhe që borxhi publik të mos tejkalojë 60% të BPV-së (në vitin 2010, borxhi grek ishte rreth 140% të BPV-së), një gjë të tillë nuk e kishin respektuar për shumë vjet shumë shtete të unionit monetar, përfshirë edhe vendet si Italia dhe Belgjika. Ideja shtytëse mbrapa unionit monetar evropian ishte se ai do të çonte jo vetëm në një bashkim monetar të vendeve të BE-së përmes monedhës së përbashkët, por edhe se do të shërbente si mekanizëm për nivelimin e dallimeve ekonomike midis vendeve të pasura dhe më pak të pasura të BE-së.
Mirëpo siç vënë re revista “The Economist”, një nga efektet kryesore të futjes së euros në Greqi ishte nxitja e mëtejmë e importeve në një ekonomi që historikisht ballafaqohej me një deficit të lartë tregtar. Por ajo që nuk e thekson “The Economist” është se në një mënyrë aranzhimi monetar dhe tregtar i krijuar me euron ishin të dobishme për vendet eksportuese si Gjermania, duke e bërë euron të vlefshme për Gjermaninë në formë të dyfishtë: në njërën anë duke e shfrytëzuar BQE-në si zgjerim të Bundesbankës (përmes së cilës euro në radhë të parë reflekton fuqinë ekonomike gjermane) dhe në anën tjetër si nxitëse e eksporteve, meqenëse inflacioni në vendet e periferisë (që ishte pothuajse i menjëhershëm pas hyrjes në qarkullim të euros) krijoi kushtet për nxitjen e eksporteve gjermane drejt periferisë evropiane. Derdhja e kredive gjermane në Greqi mund të argumentohet, shërbeu për të financuar blerjen e importeve të prodhuesve gjermanë. Konsumi grek kështu kishte vlerë të dyfishtë për ekonominë gjermane: ajo thithte mbivlerën si përmes eksportit të mallrave që i shiteshin Greqisë, ashtu dhe përmes përfitimit të bankave gjermane si financierë të ekonomisë greke. Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga të dhënat. Në vitin 2001, para hyrjes së Greqisë në unionin monetar, deficiti tregtar grek ishte rreth 1,5 miliardë euro, ndërsa në vitin 2009 kjo shifër pothuajse u trefishua në afro 4 miliardë euro. Ndërkaq Gjermania është partneri kryesor tregtar i Greqisë për importe.
Euro qëndron në themel të problemit grek. Siç shpjegon Andrew Watt nga Instituti i Unionit Tregtar Evropian, një shtet që posedon monedhë të veten nuk mund të falimentojë: problemit të obligimeve financiare – ato, kuptohet, që i përmbush me monedhë të veten – shteti mund t’i përgjigjet duke shtypur para të reja (të cilat shkaktojnë telashe të tjera, si devalvim dhe inflacion), por që ulin normën nominale të kamatave dhe me këtë ulin shkallën e borxhit si përqindje të BPV-së. Devalvimi ndërkaq çon në ristrukturimin tregtar të vendit, pasi që ul çmimet e eksportit. Kjo është një nga arsyet pse SHBA-ja, borxhi i së cilës në korrik pritet të tejkalojë shumën e 14 bilionë dollarëve (rreth 70% e BPV-së) nuk e ka hallin e njëjtë si Greqia, megjithëse ballafaqohet me problemin e njëjtë të borxhit të lartë publik. Në mungesë të instrumentit të politikës monetare, ristrukturimi i vetëm i mundur i ekonomisë është ai i brendshëm (që ekonomistët ortodoksë e quajnë “rritje të konkurrencës”), që domethënë shkurtime të dhimbshme të shpenzimeve, luftë kundër të drejtave të punëtorëve, privatizim i aseteve dhe shkurtime të tjera që, në efekt çojnë në recesion të mëtejmë ekonomik, i cili e dobëson më tej aftësinë e shtetit për t’i paguar borxhet. Pikërisht kjo edhe ndodhi – BPV-ja greke u zvogëlua për mbi 5% gjatë këtij viti si pasojë e masave reduktuese të qeverisë së Papandreut, kurse pakënaqësia politike në Greqi, siç pamë këto ditë nga Athina, ka arritur në nivel pararevolucionar.
Çështja kryesore që ngre Watt – e që nuk po merret parasysh nga politikëbërësit evropianë – është se problemi grek nuk duhet të trajtohet si deri më tani, një problem i veçantë i financave greke, por si problem kolektiv i unionit monetar. Zgjidhja, sipas Watts, është që unioni monetar të funksionojë si një sferë e vërtetë e bashkuar ekonomike dhe që BQE-ja të marrë përsipër për një periudhë të caktuar të gjitha borxhet sovrane të vendeve të eurozonës. Mirëpo, kjo do të nënkuptonte që barra për problemet e Greqisë dhe shteteve periferike të eurozonës të shpërndahet në të gjitha ekonomitë e eurozonës dhe që për situatën aktuale të mos ndëshkohen me varfërim ekonomik qytetarët grekë, portugezë, irlandezë e të tjerët të periferisë së eurozonës. Kjo padyshim nuk është diçka që dëshirojnë vendet e pasura, veçanërisht Gjermania, që nuk ka interes që të dëmtojë eksportet e veta në emër të unionit monetar. Por kjo ngre një problem shumë më fondamental, dhe ky është se sa është Bashkimi Evropian në të vërtetë bashkim i një kolektiviteti të ri politik dhe ekonomik, dhe sa është vetëm një koleksion i shteteve me interesa të veta të veçanta. Dita-ditës, dhe ky është leksioni kryesor i Greqisë për të gjithë ne – po mësojmë se realiteti, fatkeqësisht po përkon gjithnjë e më shumë me përshkrimin e dytë.
Nje shkrim qe pershkuan me detaje te hollesishme krizen Greke ne mos me i sakte qe mund te kem lexuar neper gazetat shqipetare.
Por nuk kam arritur te kuptoj se si mund ti besosh qe dhenia e 12 billion € mund te ndryshoje situaten e tensinuar ne Greqi kur vendi eshte aktualisht i zhytur ne pak a shume ne 300 billion debt? E per me shume si eshte e munduar qe ne Greqi parashikohet te behen privatizime( me absurded ne historine boterore) e jo reforma konkrete si tax collector per shembull mesa kam degjuar eshte voluntary etj. NE fund dua te shtoj cfare funksioni ka ECB? , perse nuk hedh Euro ne treg sic veproi USA & UK me monedhat e tyre perkatese por lene taksapaguesit e shkrete (greke) te paguajne bondholders (bankat francese, gjermane) . E vetmja zgjidhje per mendimin tim eshte Default, kjo eshte dicka qe heret a vone Greket nuk mund ta shmangin dot.
Shume sakte Besnik!!
Por eshte per te qeshur, se ti ke dhene nje shpjegim professional ketu dhe jo populist, prandaj mos t’ju vije cudi qe s’po shikojme bresherine e komenteve ….
Me kete shkrim iu ke thartuar pak dhembet dhive te rrjepura e s’ikur s’po te pertypin dot ?
Por eshte e kote te dalesh tani e te deklarosh nje gje te tille qe po e verteton vete koha.Qe ne fillimet e veta misioni i Euros ka qene pikerisht ky.Nepermjet kesaj monedhe do behej pikerisht kontrolli e me pas vjelja e pasurive te vendeve te tjere te Eurozones.E kam thene kete gje shume pak kohe pasi u lancua Euroja.Nuk e elaborova shume si ide se te dilje kunder euros qe ne fillim ishte vertete shume e rrezikshme, ishte sikur te dilje kunder vete bllokut vlerave te demokracise europiane.Mund te etiketoheshe me gjithfare epitetesh.
Nuk eshte e rastesishme mungesa e qendrimeve te unifikuara te shteteve te eurozones qofte ne politika e brendsheme apo edhe me gjere ne diplomacine e jashtme.Po te futesh thelle zerat kritike brenda vete bllokut nuk kane munguar asnjehere sidomos per politikat ekonomike te ndjekura.Nuk eshte e rastesishme as zvarritja e anetaresimit teTurqise brenda bllokut ku si preteks nxirret besimi por ne esence gjerat jane me te thella sec duken.Drejtimi i bllokut duhet ti perkasi vetem nje grupi shume te vogel vendesh .Euroja ishte dhe do mbetet per aq kohe sa do te egzisotje instrumenti i arte shpikur per te tejkaluar krizat e brendshshme qe mund te vinin si rezultat i ndryshimeve te konjukturave boterore.
E shohe shume te pasigurte panoramen ekonomike jo vetem europiane por edhe me gjere.Ka shume mundesi qe carku i ngritur per te tjera gjera te zere brenda edhe ata vete qe e projektuan ate.Ne konteksin Shqiptar ne jemi vite larg per tiu pergjigjur ketyre lojrave globale.
A dini pse?
Per nje gje fare te thjeshte na mungon nje qeveri e pergjegjshme qe ta shohe pasurine kombetare si pasuri te te gjithe shqiptarve e cila duhet shtuar e jo pakesuar .