Në kohën kur në tavolinën e KQZ-së Ristani me urdhër politik filloi operacionin famëkeq të vjedhjes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës, opozita vuri në lëvizje mekanizmin e protestave popullore para KQZ-së si dhe bllokoi disa akse nacionale rrugësh për të ndërprerë këtë masakër zgjedhore.
Përballë kësaj situate shpërthyese trojka e ambasadorëve Arvizu-Sekui-Wolfarth i sugjeruan opozitës që të ndiqte rrugën institucionale për zgjidhjen e këtij kazusi zgjedhor dhe me sa kuptohet ata angazhoheshin për të qenë garant ndërkombëtarë të pavarësisë dhe paanësisë së këtyre institucioneve zgjedhore.
Në këto kushte dhe për të fituar kredenciale besueshmërie dhe partneriteti tek ndërkombëtarët, opozita hoqi dorë përkohësisht nga rruga e protestave popullore dhe e bllokimit të rrugëve dhe nisi betejën ligjore për Tiranën, duke qenë e vetëdijshme që në fillim se Kryeministri i vendit nuk do linte gur pa lëvizur për të zhbërë drejtësinë zgjedhore dhe për të ligjëruar vjedhjen si standard zgjedhor, siç edhe ka ndodhur deri tani.
Natyrisht betejat ligjore kanë kosto kohore deri në njohjen e fituesit në një garë zgjedhore sepse ligji përcakton afate ligjore që duhen respektuar dhe në këtë pikëpamje rreziku që mbart kjo rrugë përveç klimës së mosbesimit, ka lodhjen dhe humbjen e durimit të qytetarëve tek procesi zgjedhor.
Duket qartë se deri në momentin kur KQZ-ja e shpalli Bashën fitues me 93 vota, kjo rrjedhë ngjarjesh dhe kjo zvarritje e procesit zgjedhor i ka interesuar më së shumti Berishës, sepse i ka dhënë mundësinë për ta shitur veten gjoja si një njeri që respekton kushtetutën dhe institucionet e pavarura të vendit.
Mirëpo mosmbulimi i gropës zgjedhore prej 870 votave më shumë se sa votues tani që Ristani mbaroi numërimin për Tiranën, e ka futur Berishën në panik të madh dhe ia ka prishur seriozisht gjumin, pra duket se vendimi i dytë i Kolegjit Zgjedhor e ka kapur hajdutin me presh në duar.
Opozita ka paralajmëruar se do ta ankimojë në Kolegj vendimin anti-ligjor të KQZ-së dhe për ti paraprirë ndonjë vendimi hata që e çon Tiranën përsëri në zgjedhje, Berisha me nxitim ka hedhur në fjalorin politik të ditës kartën e “sosjes së durimit qytetar” për të njohur fituesin e Tiranës.
Korit të tellallëve dhe të pseudoanalistëve të pushtetit që kanë marrë përsipër të davarisin kudo kartën e Saliut “se populli është lodhur dhe mezi pret të njohë fituesin e Bashkisë së Tiranës”, iu bashkua me zë dhe figurë edhe vetë Basha, i cili në eufori e sipër nuk e fshehu dot porosinë e ustait të tij Kryeministër që karrigen e Bashkisë ta kërkonte në emër të “padurimit qytetar” dhe jo të padurimit të tij personal.
Nga ana tjetër teza e “sosjes së durimit qytetar” zbukurohet me një sërë demagogjish të tjera si bumi i madh turistik, rrugët e reja, projekti i Shqipërisë si Zvicra, projekti i ullirit, i arrave, pushimet e verës etj por në fakt asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë aspak me dashurinë apo dhembshurinë për qytetarët apo për zgjedhjet e lira.
Duke bërë gjoja zëdhënësin e qytetarëve, duke e trumbetuar si shqetësim të madh politik zvaritjen e procesit zgjedhor në Tiranë, Sali Berisha synon ta kompleksojë Kolegjin Zgjedhor me sindromin e “sosjes së durimit qytetar”dhe në rutinë të marrë një vendim alla-Ristançe që e shpall Bashën fitues me vulë gjykate. Kjo do të çlironte sipas tij qytetarët nga makthi i zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë në një kohë që shkaktari kryesor i këtij makthi është vetë Ai.
Me këto teori bajate, pushteti i votave të vjedhura, i kërkon Kolegjit që të bëhet gomone shpëtimi për zgjedhjet e Tiranës, i kërkon të shpëtojë nga mëkatet e ligjit Ristanin, kur të gjithë e dinë se Kolegji nuk mund ta bëjë këtë pa shkelur më parë kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Kolegji Zgjedhor duhet të bëjë rojtarin e ligjit me Tiranën dhe nuk duhet të bie në kurthin e “sosjes së durimit qytetar” ku kërkon ta fusë Berisha me tellallët e tij që u rëndojnë xhepat nga paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve; Kolegji Zgjedhor duhet të bëjë të duruarin e madh të historisë dhe të japë drejtësi zgjedhore dhe jo drejtësi stinore si ajo që kërkon tu imponojë me padurimin e saj klika e pushtetit.
Kolegji me profesionalizmin e tij duhet tu tregojë vendin njëherë e mirë Saliut, Lulit, Ristanit dhe gjithë Ristanëve të tjerë, se ata nuk mund ta nxinë qytetarinë e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë me 870 vota turpi, prandaj ky proces zgjedhor duhet bërë i pavlefshëm.
Kolegji Zgjedhor duhet tu japë mundësinë qytetarëve të kryeqytetit të shkojnë edhe njëherë në votime dhe të mos e mbajnë turpin për vete, sepse ky nuk është turpi i tyre por i Sali Berishës që dha urdhër të futen duart në kutitë e votimit.
Kolegji Zgjedhor është sot në sprovën e ligjit dhe të historisë dhe nëse do ia dalë me sukses ky do të jetë një vendim i madh jo vetëm për Tiranën por edhe një kthesë e rëndësishme në rrugën e mundimshme të Shqipërisë drejt demokracisë liberale.
Koha është tani dhe ne të gjithë presim me “padurim” drejtësinë e munguar. Le të shpresojmë.
nje pyetje per cin kolegj per kolegjin e gerdecit apo te 21 janarit aha per kolegjin prit gomar te mbij bare ketu jemi ne rregull
Me pelqen jashtezakonisht shkrimi i juaj zoteri.
Te gjitha arsyetimet qe ju beni ne kete shkrim qendrojne.
Ne fund ju thoni.Le te shpresojme.
Mos shpreso aspak zoteri.Kolegji eshte i kapur e nuk ben dot asnje veprim ne baze te ligjit.
Kolegji nuk ka per te shpallur kurre pavlefshmerine e zgjedhjeve te Tiranes.
Une e kam hequr mendjen qe nga momenti kur filluan ankimimet ne kolegjin zgjedhor.
Ne loje eshte nje lufte shume e madhe.Nuk e lejon Saliu kolegjin qe ta turperoje per here te fundit dhe ne menyre perfundimtare,sepse pjesetareve te kolegjit dhe familjeve te tyre u vendos tritol me shume se sa kishte ne Gerdec.
Une habitem se si mbas 15 vjetesh,mbasi e kemi pare dhe provuar harbuterine dhe cmendurine e ketij njeriu akoma besoni dhe shpresoni.
Nuk ka paqe,drejtesi,perparim Shqiperia deri sa te jete ne politike Sali Berisha.
Ky njeri edhe ne opozite po te jete nuk e le Shqiperine te behet shtet.
Ai i ka marre masat qe tani edhe per ditet qe mund te ndodhet ne opozite.
Njerezit i ka me pasuri dhe te armatosur gjer ne dhembe.
Ne rast te humbjes se pushtetit ai do kerkoje marrje me dhune te tij,ose nqs nuk do kerkoje kete,do filloje me prishjen e qetesise ne vend,me sulme komisariatesh.
Une jam plotesisht i bindur se sa te jete ai njeri gjalle vendi jone do heqe e do vuaje pa mase.
Pershendetje zoteri dhe mos shpreso me te kolegji zgjedhor,sepse te shpresosh eshte mire,por te zhgenjehesh eshte keq.