‘Karatët’ e munguar të votës

28 Qershor 2011, 20:57Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Vota e lirë dhe procesi ‘fair play’ i votimit janë esenciale në krijimin e ‘karatit’ të votës që inspiron e ngjiz kohezionin, integritetin, ndjeshmërinë demokratike, frymën e drejtësisë dhe transparencës në shoqëri. Të përfshirë në krizë politike si pasojë e intimidimit të votës dhe votimit me gjithë efektin domino që pason, shoqëria sot gjendet në kufijtë e mbijetesës demokratike me të vetmen rrugëdalje, institucionalizmin e votës së lirë.

Politika e qeverisja nuk janë ideale por për sa kohë vota si proces respektohet dhe institucionet nuk intimidohen, abuzimi me pushtetin nuk përbën lajm përveçse kur nuk ndëshkohet. Marketingu politik, edhe kur joetik, si (a) në rastin e mirë në shërbim të egos politike së njësimit të arritjeve apo (b) në atë të keq të statukuosë së abuzimit palimit, nuk përbën problem përsa kohë drejtësia është e verbër dhe elektorati dikton me votë.

Tek ne problemet ekonomike dhe sociale janë të mprehta dhe në përkeqësim. Përballë dështimeve qeveritare të denoncuara prej medias dhe opozitës, aplikimi i strategjive të mirëstudjuara të marketingut politik nga ana e pushtetit, përveçse jo etike, mbeten sfiduese ndaj publikut dhe alarmante kur vota si mekanizëm balancues dhe rotacioni nuk funksionon sikurse 2009 dhe 2011 dëshmoi. Përtej refraktaritetit të politikave social-ekonomike të mazhorancës me rritjen e borxhit publik, shndërrimin e Shqipërisë në ‘shtet me listë’ e problemet me integrimin, publiku ka të drejtën e shpresës dhe pritshmërisë ndaj alternativës opozitare.

 

‘PIN’ i zhvlerësuar i votimit

Me alibinë e votës ‘jetime’ të ligjëruar me sofizmat e telenovelës 1 dhe 2 të Kolegjit Zgjedhor, mazhoranca dëshmoi  se për të vota nuk është qëllim në vetvete por mjet për pushtet – në 2009 për ta mbajtur, në 2011 për ta tjetërsuar në tavolinë. Cenimi i votimit, përtej abuzimit të momentit për pushtet, damkos në afatgjatë imazhin e vendit dhe vë në provë integritetin demokratik të shoqërisë mes dilemës së besimit apo kotësisë tek vota.

Mazhoranca në të drejtën e saj pretendoi se diferenca e 14 majit impononte llogaritjen e votave të hedhura gabim. Korrekte në parim nëse do të ishte në funksion të amendimit të Kodit Zgjedhor dhe jo të manovrës së radhës. Nëse në funksion të rezultatit, përsëri mund të interpretohej korrekte për aq kohë sa ankimimi të vinte pas shpalljes së rezultatit të 14 majit, duke u shtrirë kudo në Shqipëri. ‘Gjella’ zgjedhore e majit, sikurse më 2009, u prish përpara servirjes qëllimisht prej ‘kuzhinierit’ të mazhorancës tek hodhi ‘kripë’ pa hesap me justifikimin e ‘shijes’ më të mirë(!). Me prishjen e procesit dhe alkiminë që pasoi, mazhoranca u rëndua si me koston politike të luajalitetit ndaj votimit, imazhit të saj në perëndim, vonesës të qeverisjes efektive të njësive vendore ashtu dhe abuzimit të taksapaguesve në rast të përsëritjes eventuale në Tiranë. Butaforia e arroganca qeveritare për ‘njohje’ të çdo verdikti gjyqësor, më shumë se respekt ndaj gjyqësorit, të nëpërkëmbur shpesh prej saj, është indirekt sinjali i ‘kapjes’ së tij prej mazhorancës që tashmë sipas sindromës së ‘milionit të parë’, pas ‘mëkatit’ inicial të pahetuar (shpërfillja prej KQZ e rezultatit të 14 majit apo refuzimi më 2009 për të hapur kutitë) e fut çdo proces në rrugë legale (alibitë e Kolegjit Zgjedhor).

Nëse diferenca mes rivalëve ‘legalizon’ diskriminimin pozitiv të votës ‘jetime’ në kutinë alternative, kjo ndjeshmëri duhet shtrirë edhe për diferencën mes numrit të votuesve dhe votave në kuti, fakt ky që prej mazhorancës shpjegohet cinikisht si gabim njerëzor ndonse rezultati i ngushtë kompromentohet prej saj. Ky standard i dyfishtë i mazhorancës, vijues i atij 2009 kur, ndonëse diferenca në mandate ishte zero, fillimisht KQZ e telekomanduar e më pas Kolegji Zgjedhor, refuzuan rinumërimin pavarësisht se nuk synonte ndryshim rezultati në tavolinë, dëshmon se me këtë mazhorancë, vota e lirë dhe korrektësia e rregullave të lojës qoftë për zgjedhje të parakohshme, të reja për Tiranën apo ato të 2013, mbeten iluzion. Normaliteti demokratik dhe pavarësia e institucioneve, gjyqësorit përfshirë, kalon vetëm përmes votës së lirë. Për sa kohë humb besimi tek vota, merret peng dhe besimi tek institucionet verdiktet e të cilave perceptohen jo më si drejtësi por si alibi për demagogjinë e radhës.

 

Kur humbësit nuk gjykohen!

Sikurse në2009, ‘topi’ për në Kolegjin Zgjedhor ngeci tek opozita duke dëshmuar dinakërinë e mazhorancës për të mos bërë bujë si palë ankuese në të. Mazhoranca, pasi rrëmbeu fitoren në tavolinë, ka shtyrë tashmë nën ‘prozhektorët’ e publikut opozitën që nga njëra anë druhet nga rruga pas eksperiencës së 21 janarit dhe rezervave të perëndimit, nga ana tjetër ndeshet me një qorrsokak të zgjidhjes institucionale të provokuar prej intimidimit të institucioneve prej mazhorancës.

Sot lideri i opozitës ka përballë momentin psikologjik të sfidimit të një ‘alkimie’ elektorale kundërshtimi i të cilës mund të interpretohet nga kundërshtarët e tij si betejë personale. Pavarësisht llogjikës se kjo nuk duhej të ishte sheshbeteja e liderit të opozitës profili e ‘shpatullat’ politike të të cilit e kapërcejnë formatin modest e ‘xhaketën’ e ngushtë qoftë dhe të një kryebashkiaku, ai mbetet fituesi real dhe përtej interesit të fatit personal, beteja për Tiranën mbetet një detyrim për të në nderim të votës së lirë dhe besimit të investuar në të. Përpjekjet e pushtetit, analistëve dhe medias pranë tij për të artikuluar arsyet e ‘humbjes’ së Edi Ramës, janë paradoksi i rradhës ku lakohet fituesi korrekt dhe promovohet humbësi që abuzoi.

 

Sfida që kapërcen Tiranën

Përpara opozitës sfida nuk është Tirana por Shqipëria në nevojë për zgjedhje të parakohshme. Në respekt të shtetit ligjor dhe krijimit të precedentit demokratik, ajo duhet të balancojë mes (a) respektimit të kuadrit legal të ankimimit për prishjen e votimeve 2011, (b) zëdhënies së publikut në parlament, (c) menaxhimit dinjitoz të ndjeshmërive dhe protestës paqësore për nivelin kritik të demokracisë, (d) rigrupimit dhe kohezionit të të gjithë faktorit opozitar, (e) sensibilizimit për drejtësinë e vonuar rreth abuzimit të përfolur të mazhorancës në të shkuarën dhe (f) lobimit intensiv të perëndimit që respekton votën e lirë e investimin për të.

Opozita e fitoi Tiranën ndonëse ishte si e Pirros tek u humb këshilli bashkiak. Edhe nëse ‘çelësat’ ndërrojnë dorë, ajo nuk mund të braktisë aspiratën e shumicës që e votuan. Përtej reagimit të perëndimit (miqtë anglosaksonë, OSBE ODHIR) dhe thellimit të hetimeve për 21 janarin me efekte në karrierën politike të syresh politikanëve, sfida mbetet faktorizimi i mëtejshëm i vetvetes përpara publikut dhe perëndimit në respekt të votës së lirë dhe besimit tek ajo.

2 komente në “‘Karatët’ e munguar të votës”

  1. Xhema nga Tirana says:

    Më lejoni Z. Artan Xh. Duka që të citoj një rresht të shkrimit tuaj domethënës : PËRPJEKJET E PUSHTETIT, ANALISTËVE DHE MEDIAS PRANË TIJ PËR TË ARTIKULUAR ARSYET E “HUMBJES” SË EDI RAMËS, JANË PARADOKSI I RRADHËS KU LAKOHET FITUESI KORREKT DHE PROMOVOHET HUMBËSI QË ABUZOI.
    Ju falenderoj për shkrimin tuaj.

    XHEMA !

  2. MEMEDHETARI says:

    Ngecja e “topit” PS-se per t`u ankuar ne Kolegjin Zgjedhor,nuk ishte dinakeri por erdhi si rrjedhim i shkeljes se Ligjit nga ana e KQZ-se,ku QELLIMISHT NUK SHPALLI FITUESIN EDI RAMA ,i cili ne perfundim te numurimit doli me 10 vota para…
    Sigurisht,plani i sharlatanit Berisha dhe vegles qorre te tij ishte qe te prezantohej PS-ja si mospajtuese me rezultatin,por kete nuk mund t`ua quajme mencuri apo dinakeri,pasi edhe qytetari me i pashkolle e pa ne TV hilen e tyre dhe kudo flitej hapur:”Saliu filloi nga vicklat”…
    Te faleminderit,z.A.XH.Duka…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje