Mentaliteti i grabitçarëve, mujshisë dhe surrateve karikaturiale është frikësues, sepse modeli kleptokratik i qeverisjes secilit ia ka rritur ambiciet personale, se mundet gjithçka; pra edhe atyre që “për hatër t’Allahut” duan ta dhunojnë një qytet dhe një shtet të tërë…
Paligjësia në Ballkan, pra edhe në Kosovë, është ngritur në kulturë krimi, marrja e ligjit në dorë, kapja e shtetit, mujshia, dominimi dhe zaptimi, jo vetëm i lirisë së tjetrit, por edhe i të drejtave dhe pronës, po shndërrohen në vullnet politik. Në emër të kombit, shtetit, fesë, Zotit, Ajetollahut, liderit… gjithçka jo vetëm që është e lejueshme, por edhe legjitimohet, madje edhe vrasja, edhe kosa e mbështjellë me një paçavër…
Mendësia talebane, fashiste dhe leptokratike që vizualisht manifestohen si banditizëm, po e rrënojnë idenë e një shteti normal ku sundon ligji.
Qytetari normal stepet, ecën skajeve, po struket.
Gjithçka ka parashenjat e sëmundjes.
Duke qenë se të gjitha luftërat “fetare” në fillim janë luftëra politike, Karen Armstrong pyeste: Ku është Zoti? A është ai i mirë apo mizor? A është ai i gjithëmëshirshmi? Prandaj Armstrong mendon se idetë e ndryshme të doktrinave fetare vijnë e shkojnë, por kërkimi i së panjohurës vazhdon. Na pëlqen apo jo, Zoti do të jetë këtu me ne, por është koha që ne të gjejmë një rrugë që të jetojmë me Zotin në një mënyrë të baraspeshuar dhe të përkushtuar.
Për “hatër të Zotit” duhet të jetojmë me njerëzit e tjerë, po në atë mënyrë, të baraspeshuar.
Kosovarët po shndërrohen në masë që pret, merr dhe ushqehet me të vërteta të gatshme, përfundimtare. Duke qenë se janë dembelë të papërmirësueshëm, ata përtojnë të gjejnë vetë të vërtetën, duke ua mohuar monopolin mbi të liderit, famullitarit të një abacie katundi ose hoxhës së fshatit, kishës, xhamisë, Qeverisë…
E vërteta nuk është monopol i autoriteteve.
Kjo dembeli dhe mungesa thuaja totale e debatit shoqëror, shqiptarët kosovarë po i largon nga njëri-tjetri, gjë që s’arritën ta bëjnë shekujt.
Kur kryeministri i vendit deklaronte se nuk i interesojnë njohjet e vendeve “jocilësore”, askush nuk e kritikoi, veçmas joshqiptarët e besimit të krishterë, sepse ky mesazh lexohej në konotim me botën arabe. Por pastaj doli se edhe njohjet nga këto vende të rëndësishme i duheshin shumë Kosovës, për t’u afirmuar në OKB, si subjekt ndërkombëtar.
Pra pakkush e tha atëbotë se kryeministri gaboi. Ndërkaq që këto ditë iu gjuan mbi qafë Adem Demaçit për një gjysmë fjalie, të thënë nga zemra e plastë, për Selinë e Shenjtë.
Ky model qeverisjeje në aleancë me BIK-un hipokrit u kanë ofruar qytetarëve modelin e ajetollahëve në sundim.
Merr ç‘të mundesh, bëj ç’të duash.
Ngrehi çadrat ku të duash.
Këtejpari nuk banon rendi dhe shteti ligjor.
Pra gabimi shumë më i madh se gafa e Demaçit vjen nga ana tjetër, nga Bashkësia Islame e Kosovës (si institucion zyrtar) që me hipokrizi “ua bën me sy” grupeve e rrymave radikale (wahabiste) që duan politizimin e fesë islame, ndërkaq ata zyrtarë vetë sillen si “civilë” të modës së fundit dhe fotografohen me kryeministrin. E në thelb nuk kanë bërë gjë të mençur, as në ngritjen e cilësisë së studimeve islame, as në ndreqjen e kushteve jetësore e të ‘ibadetit’ të besimtarëve, as me lobime për shtetin. Në BIK thjesht rrinë burokratë që flasin kur s’i pyet kush, e nuk flasin kur duhet.
Dhe këtë hapësirë do që ta mbushë një Fuad Ramiq në emër të njëfarë lëvizjeje të re islamike… Të merremi vesh në fillim, kërkesa për një xhami ose më shumë sosh është një kërkesë e ligjshme e qytetarëve.
Shqyrtojeni, sipas ligjit, ndajuani truallin e përshtatshëm dhe thojuni “Good Luck”.
Perceptimi se toleranca ndërfetare tek shqiptarët nuk është një mit por një realitet, megjithatë është një postulat i debatueshëm.
Këta tipa qysh u shfaqen te Xhamia e Madhe duke bllokuar rrugët dhe në oborrin e Fakultetit Filologjik duke ngulur kungja, manifestojnë format e para të terrorizmit verbal dhe vizual.
Natyrisht se të gjitha vlerat janë të diskutueshme, pos të keqes universale.
E qysh është e mundshme atëherë që në debatet televizive dhe në rrjetet sociale po demantohet ky ekumenizëm ndërfetar brenda qenies shqiptare?
E në anën tjetër po dashkan një komb dhe një shtet unik!?
Shqiptarët katolikë ad hoc janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo fjale që konoton ose prek politikat e Vatikanit, ndërsa edhe shumë shqiptarë të besimit islam janë averzivë ndaj këtyre politikave, sepse identifikohen me viktimat e shteteve me shumicë të krishterë, mbi myslimanët.
Ose e identifikojnë armikun (një tip i çmendur që djeg Kur’anin publikisht p.sh.) ku tjetër pos në Selinë e Shenjtë.
Prandaj as njërës dhe as palës tjetër nuk u duhen më shumë argumente.
Shërbehen me “të vërteta të gatshme, përfundimtare”.
Me dogma.
Protesta e fundit e një pjese të komunitetit islam në Kosovë për të kërkuar një xhami në Prishtinë ishte një kauzë e drejtë, ishte thjesht një kërkesë, që secili shtet demokratik në botë e vlerëson si të tillë dhe varësisht kushteve i përgjigjet.
Pa asnjë diskutim, pa përplasje dhe jo sidomos me polici.
Porse, vënia në paralele e kërkesës së ligjshme për një xhami, me ndërtimin e katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë ishte e padenjë dhe false, nuk i kontribuon tolerancës shekullore ndërfetare mes shqiptarëve. Sidomos nuk i bën kosovarët qytetarë të edukuar mirë.
Pse ky krahasim, kur sapo kërkon diçka të ligjshme?
Për presion tek pushteti!?
Mbase, por shija mbetët e hidhur. Fjalia ikonike: “e rrënuan shkollën për një kishë” është veçse fitil propagande, sepse ajo shkollë ishte e rrëzbitur dhe u ndërtua një e re.
Pa lë të rrënohet edhe ndonjë barakë në Prishtinë e të ndërtohet një xhami e re, moderne.
Duhet t’u plotësohet kërkesa e ligjshme një grupi qytetarësh, pa insistuar në numra (në përqindje), sepse numrat dhe krahasimet jo gjithmonë shprehin thelbin e një çështjeje.
Së paku, numrat nuk garantojnë cilësi. Refuzimi i pushtetit apo edhe më keq, sipas një censusi shoqëror, për t’ia plotësuar një kërkesë një grupi qytetarësh vetëm e rrit radikalizmin e tyre, duke krijuar pa arsyeshëm masë kritike.
Nuk më tremb asnjë lloj feje dhe as kultura e tjetrit, më tremb politika e mujshisë, ose përdorimi i fesë për vendosje politike, dhe mbi të gjitha përdorimi i fjalës së Zotit për të mbledhur fuqi politike. Siç ndodhi të hënën në oborrin e Fakultetit Filologjik, kur një grup të rinjsh nga dukja dhe mendja të lodhur fare e të ideologjizuar në përmasa kontaminimi po ngulnin kungja “për hatër t’Allahut.”
Në Bibël, diku shkruan “duaje të afërmin”.
Adem Demaçi është njeri i rezistencës ndaj robërisë dhe që gjithnjë e ka shquar dashuria për të afërmin, për njeriun. “Papa, Zoti mos ja baft hallall, ai po deklaron hapur që ne e njohim Kosovën si djep i Serbisë. Le të jetë turp…”, dhe vazhdon: “të mashtruar si kriminel Gadafi e shumë kriminelë të tjerë janë bërë shërbëtorë të fashizmit të Serbisë…”
Kështu ka thënë Adem Demaçi, fitues i çmimit Sakharov për liri shprehjeje.
Dhe e ka thënë këtë në një moment të rëndë për vendin, i cili, nën këtë lidership mujshor dhe të paemancipuar po rrëshqet në vetizolim dhe po refuzon standardet e demokracive liberale…
Demaçi është lindur me rezistue dhe me e thanë mendimin e vet.
Shpesh deri në përmasën sublime të vetëflijimit.
Bravo i qoftë!
Demaçit nuk i mbyllet goja lehtë.
E keqja në këtë tregim është se ai është viktimë e kësaj mendësie tipike ballkanike.
Thuajse është në të njëjtat valë me “mendimin zyrtar”.
E shquajnë narracionet e mëdha edhe pas fundit të tyre.
Në gjëra të vogla e të përditshme për ta ndrequr atdheun, shtetin dhe politikëbërjen, ai kurthohet, diqysh ndihet shumë i kufizuar.
Dhe me këtë ndjenjë se s’e zë dot kafazi ku ai gjendet.
Ai edhe e tepron shpesh.
Nuk është një poltron që vetëm pohon me kokë dhe mahnitet lehtë me “ndihmën e pakursyer të miqve ndërkombëtarë”, mirëpo, duke qenë peng i kufizimeve të tij ideologjike, rëndom niset nga miti për shumë armiq dhe armiqësi që i rrethojnë shqiptarët, për shumë konspiracione e kurthe, deri në përmasat e komploteve botërore. Në këtë vazhdë ai “i bërtiti pak” edhe Selisë së Shenjtë, përkatësisht Papa Bendetictit XVI, duke ia vënë në gojë një fjali që ai, Papa Ratzinger kurrë s’e ka thënë.
Se Kosova na qenkësh “djep i ortodoksizmit serb”.
Kjo është një deklaratë jodiplomatike e një zyrtari të Vatikanit, në këtë rast Presidentit të Këshillit Pontifikues për promovimin e unitetit kristian Walter Kasper.
D.m.th, ky zyrtar e ka punë propagandimin e “unitetit kristian” dhe natyrisht, se ortodoksizmi është fe kristiane.
A është në rregull kjo që thotë Kasper?
Natyrisht që në kontekstin e sotshëm politik jo.
Ky rezon jo vetëm që është jodiplomatik (Vatikani bën edhe politikë shtetërore, ka dhe diplomaci) por është edhe kafshim i shpirtit të shqiptarëve kosovarë.
Dihet se mjeshtëria e të bërit politikë dhe diplomaci është art i së mundshmes, por fillesën e ka tek raportet mik/armik. Selia e Shenjtë po rreshtohet me armiqtë e shtetit të ri, pa asnjë shpjegim. Por kosovarëve tashti, pasi “nxorën” lirinë kombëtare prej fytnave të ujqve u duhet më shumë art në bërjen e miqve e jo armiqve.
Detyra e një zyrtari shtetëror ose një lideri shpirtëror si Demaçi është të bëjë politikë. Politika të miqësisë, të dhuratës, të falënderimeve…
Dhe Demaçi në këtë rast ka bërë pak politikë, por të keqe…
Thjesht ka bërë një gabim.
Asgjë më shumë, pos që ka shqiptuar do fjalë, siç thuhet popullorçe, nga zemra e plastë, sepse edhe Demaçi do të shprehej ndryshe, sigurisht me admirim, sikur zyrtari Kasper të deklaronte se: “Vatikani si instancë shpirtërore mbikombëtare dhe mbishtetërore është i lumtur që më në fund u vendos drejtësia në Kosovë… Se ndihet i lumtur që shqiptarët e rrahur e të torturuar u rikthyen në shtëpinë e tyre, në Kosovën shtet të pavarur e sovran…” etj. Katolikët shqiptarë madje janë shumë të ndjeshëm edhe kur është në pyetje fashizmi, por edhe komunizmi, edhe pse që të dy këto ideologji mund të përkufizohen në korpusin e “së keqes universale”; ndërsa shqiptarët myslimanë janë shumë të ndjeshëm, nëse sekush u thotë se islami nuk i duron vlerat e demokracive perëndimore, se është shumë i mbyllur ndaj tyre, se abuzon me të drejtat e grave etj.
Kush e lexon Freedmanin ose Zakarinë, vëren se ka miliona islamikë që janë liberalë-demokratë të përsosur, kurse në shumicën e vendeve islame gruaja jeton, punon dhe voton lirshëm, e drejtë kjo e arritur shumë vonë edhe në disa shtete perëndimore.
Shqiptarët katolikë nuk duhet ta lidhin kurrë fashizmin si ideologji kundërnjerëzore me Italinë si shtet dhe me italianët si shoqëri njerëzore, siç nuk duhet ta ndërlidhin komunizmin me Shqipërinë enveriste dhe shqiptarët, (me një shumicë islame), që për gati gjysmë shekulli persekutoi klerikët e krishterë, përdhosi objekte kulti etj.
Shqiptarët e përkatësisë islame së këndejmi, nuk janë në tokë të bukës, nëse mendojnë se çdo gjë që vjen nga Perëndimi është sakrilegj, pra antikuranore dhe antiislame.
Toleranca ndërfetare tek shqiptarët duhet të rikthehet si vlerë reale, si virtyt modestie e jo si krekosje nacionaliste, jo as si maskë që herë hiqet e herë vihet, por si respekt i ndërsjellë ndaj tjetrit si kulturë, si përkatësi etnike dhe si ndjenjë qytetarie, natyrisht duke u mbështetur në vlerat e lirisë, të së drejtës së besimit, adhurimit dhe humanitetit.
Ndërsa, shqiptarët e besimit katolikë, duke qenë se e dinë se miliona europianë sot janë me përkatësi fetare islame, që vijnë nga Pakistani e India, nga Algjeria, Malajzia, Arabia Saudite, nga Irani e Turqia e që njëkohësisht janë qytetarë dhe shtetas shembullorë në Francë, Britani, Gjermani, Itali, Spanjë e gjithandej dhe kontribuojnë në ndërtimin e demokracisë liberale, nuk duhet t’iu tremben shqiptarit pranë tyre që shpreh një finesë diversiteti kulturor, thjesht që beson në islam.
Po veçmas jo atyre që doken si na, me farmerka ‘jeans’ e ‘duksa’, por që janë myslimanë të devotshëm dhe praktikojnë islamin evropian, civil, që adhuron Zotin dhe njëkohësisht i respektojnë të drejtat civile, demokracinë dhe vlerat e qytetarisë perëndimore.
Shqiptarët bëren, ç‘bëren, të vetmin interes sipaeran i kanë vlerat e përbashkëta që ndan Evropa, vlerat perëndimore, pra integrimet euroatlantike dhe prandaj, diqysh me një lehtësi të padurueshme, ose duke qenë viktima të paragjykimeve, një grup qytetarësh po i trembet grupit tjetër, pa asnjë lloj debati.
Madje pa iu kanosur asnjë lloj kërcënimi, ose dëmi.
Kosovarëve nuk u duhet Zot tjetër, pos atij të cilit i janë lutur prej se dinë për vete, pa e shndërruar atë në mjet politik, por u duhet mbi të gjitha paqe mes veti dhe bashkëndjenjë me qytetarët e tjerë që kanë të njëjtat brenga e halle, të njëjtat shpresa për të sotmen e të ardhmen, për një jetë më të dinjitetshme njerëzore.
“Argatët e djallit” që përpiqeshin të zaptonin pronën publike “për hatër t’Allahut” dhe që shfaqeshin para syve të publikut si formë e terrorizmit vizual dhe verbal, janë vetëm karikaturë e islamit.
Harrojini!
me pelqen
ATO KISHA JAN NDERTUAR NGA SHQIPET NE TOKEN E TYRE NE DJEPIN E TYRE
s’me pelqen c’thone te tjeret. Nuk merrem. Nuk me pelqejne replikat pa frut.