20 vjet pas pavarësisë së Kroacisë, në Vukovar e kaluara ende është e pranishme. Shënime për luftën dhe paqen nga një qytet buzë Danubit dhe dëshpërimit
Së pari një fushë e gjerë, pothuaj e pafundme pranë rrugës së drejtë. Ara me grurë ngjyrë ari, të cilat lehtësisht i prek era, misër me ngjyrë të blertë në të errët, një qiell i kaltër shkëlqimtar dhe rreze dielli, të cilat t’i marrin sytë, cicërima zogjsh nga kaçubat, një aeroplan i vogël duke bërë xhiro në horizont. Pastaj, befas, shfaqet, si në një teatër absurd, tmerri i së kaluarës. Kalojmë pranë fasadave të goditura me plumba e granata, pranë shtëpive të shkatërruara, të cilat janë dëshmi se dikur ky rajon ka qenë i pasur. Vukovari në vitin 2011, tamam 20 vjet pas fillimit të shkatërrimit përfundimtar të Jugosllavisë. Në asnjë vendbanim tjetër në Kroaci varrat e së kaluarës nuk janë aq të dukshme se sa në këtë qytet me arkitekturë baroku buzë Danubit, një lumë si përherë i kaltër dhe madhështor. Para luftës së fundit në Vukovar jetonin 22 nacionalitete të ndryshme, kroatë, serbë, hungarezë, boshnjakë, shqiptarë, gjermanë (ose shvabë të Danubit, siç quhen në gjuhën popullore dhe në literaturë), romë. Këtu dikur ishte porti i dytë lumor në Jugosllavi, ku ngarkoheshin metale nga Bosnja dhe eksportoheshin në vende të tjera. Këtu gjendej “Borovo”, fabrika mbase më e madhe e këpucëve në Evropën Lindore me 22 mijë punëtorë. Sot “Borovo” është vetëm një rrënojë e frikshme industriale. Aty ku dikur prodhoheshin çizme për klasën punëtore, sot shtrihet bari i dendur.
Në pellgun e gjakut
János Szénási, 82-vjeçar, dikur punëtor në Austri, libralidhës me profesion, pjesëtar i pakicës hungareze, e kalon vapën e mesditës nën hijen e çadrave të një restoranti në qendër të Vukovarit, porosit një gotë limonadë dhe fillon të rrëfejë për kohën e tmerrit, kur mbi qytet binin deri në tetë mijë granata në ditë. Kështu ishte në vjeshtë 1991, pak muaj pasi Kroacia dhe Sllovenia më 25 qershor shpallën pavarësinë nga Jugosllavia dhe lideri serb Slobodan Milosheviq urdhëroi rrethimin e Vukovarit – nga Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ), e cila tashmë ishte shndërruar në armatë serbe, nga bandat paraushtarake, nga kriminelët e kalibrit të madh si Zhelko Razhnjatoviq, i quajtur Arkan, dhe nga nxitësit nacionalistë si Vojislav Sheshel.
Të gjithë këta, kush më pak e kush më shumë, kishin një ëndërr: mbi rrënojat e Jugosllavisë dëshironin të krijonin një perandori serbomadhe. Në fillim János Szénási mendonte se çmenduria do të zgjaste vetëm disa ditë, ai shpresonte se dikush nga Evropa do ta ndërpriste këtë luftë. Por, Evropa e atyre ditëve nuk kishte as koncept, as qëndrim sa i përket krizës në Jugosllavi. Më 23 qershor 1991, dy ditë para se Sllovenia dhe Kroacia të shpallnin pavarësinë, ministrat e jashtëm të Bashkësisë Evropiane, siç quhej atëherë Bashkimi i sotëm Evropian, u pajtuan se nuk do të pranojnë shpalljet e njëanshme të pavarësisë. Në fund të të njëjtit muaj, pasi APJ-ja nisi sulmet kundër Sllovenisë, kryeministri i atëhershëm i Britanisë së Madhe, John Major, deklaroi se “çështja më e rëndësishme është ruajtja e Jugosllavisë”. Atëbotë në rajon erdhi edhe treshja e përbërë nga ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jacques Poos, dhe kolegët e tij nga Holanda dhe Italia, Hans van den Broek dhe Gianni de Michelis. Ata kërkonin që Sllovenia dhe Kroacia të suspendonin pavarësinë për tre muaj, që ushtria jugosllave të kthehej në kazerma dhe që “blloku serb” në Kryesinë e Jugosllavisë të lejonte politikanin kroat Stipe Mesiq të merrte funksionin e kryetarit të Jugosllavisë. Më 7 korrik Lubjana dhe Zagrebi pranuan të pezullonin për tre muaj pavarësinë e vendit. Gjatë kësaj kohe shpresohej se do të gjendej një zgjidhje paqësore e konfliktit. Luftën dhjetëditore në Slloveni APJ-ja e serbizuar e kishte shfrytëzuar për të nxjerrë në rrugë mjetet luftarake. Një kolonë prej 180 tankesh dhe automjetesh të blinduara u nis nga Beogradi gjoja në drejtim të Sllovenisë. Në fakt qëllimi ishte që ushtria të zinte pozicionet në Kroaci, ku planifikohej lufta e ardhshme. Në Slloveni nuk jetonin serbë vendas, prandaj liderët e Beogradit nuk ishin të interesuar të vazhdonin luftën atje, aq më tepër që reagimi i opinionit botëror ishte në favor të palës sllovene. Të gjitha këto zhvillime János Szénási i kishte ndjekur me interesim. Konfliktet e përgjakshme të intensitetit të ulët në Vukovar dhe rrethinë kishin filluar që në pranverë 1991. Më 2 maj ekstremistët serbë vranë 12 policë kroatë në Borovo Selo. Kufomat u përdhosën, disave iu nxorën sytë, të tjerëve u ishte prerë koka. Ishin këto paralajmërime se sa e tmerrshme do të ishte lufta në Ballkan. Megjithatë, János Szénási vendosi të qëndronte në qytetin e tij të lindjes, duke u fshehur nëpër bodrume bashkë me familjen e tij. Szénási nxjerr një fotografi nga kuleta e tij: një çift i veshur me elegancë, mes tyre një fëmijë. Është çifti Szénási me djalin e tyre, pak vite pas Luftës së Dytë Botërore. Gruaja dhe djali nuk jetojnë më, vdiqën në luftën e fundit, kur mbi ta ra një granatë dhe ata dhanë shpirt në pellgun e gjakut të tyre. “Lufta”, thotë János Szénási, “i godet kryesisht të pafajshmit”. Ai sot është një burrë i thyer, i sfilitur nga kujtimet.
Kështjella e shkatërruar
János Szénási ka qëndruar në qytetin e tij. Savo Çoloviqi është kthyer. Ai është 78-vjeçar, dikur ka punuar për Sigurimin Croatia, sot është pensionist dhe shpesh shëtit buzë Danubit. Është ndër serbët e pakët që nuk ka marrë pjesë në shkatërrimin e Vukovarit. Në vitin 1991 Çoloviqi iku në Vojvodinë, tani ai thotë: “Vetëm nëna e atij që ikë nga lufta nuk qan”. Pas shpinës së tij gjendet kështjella Eltz, e cila aktualisht është duke u restauruar. Në nëntor, në përvjetorin e pushtimit të Vukovarit nga forcat serbe, kjo ndërtesë e bukur do të hapet për publikun. Historia e kështjellës Eltz fillon në vitin 1736, kur pas dëbimit të turqve nga ky rajon, familja princërore gjermane Eltz bleu në Vukovar rreth 30 vendbanime dhe më vonë ndërtoi në Vukovar kështjellën Eltz. Ndërtesa u nacionalizua nga komunistët pas vitit 1945, kur u përzunë edhe pjesa më e madhe e gjermanëve të këtushëm. Kështjella Eltz u shndërrua në muze – dhe në vitin 1991 u shkatërrua nga pushtuesit serbë.
Savo Çoloviqi e quan të pakuptimtë luftën e bashkëkombësve të tij. “Do të ishte më mirë sikur të ishim ndarë në mënyrë paqësore sikur Çekosllovakia”, thotë ai. Çoloviq është kthyer në Vukovar pasi rajoni i Sllavonisë u integrua paqësisht në Kroaci në gjysmën e dytë të viteve 90-të. Një djalë i tij jeton në Irlandë, një tjetër në Vukovar, vajza, dikur hendbolliste e ligës së parë jugosllave, mbijeton duke pastruar zyra. Në Vukovar kroatët dhe serbët jetojnë prapë njëri-tjetrit, shkollat dhe çerdhet janë të ndara. Disa kroatë i çojnë fëmijët në shkolla kroate me shpresën se një ditë, kur të rriten, nuk do të diskriminohen. Të tjerët shkojnë në shkolla serbe dhe marrin dëftesa në alfabetin cirilik, kështu menjëherë dallohen si serbë, rrjedhimisht edhe kanë më pak shanse në tregun e punës. “Duhet të ndryshojë diçka në koka”, thotë Çoloviq i dëshpëruar.
Toponimi Vukovar – ashtu si Srebrenica në Bosnjën lindore – simbolizon masakrat më të tmerrshme që u kryen gjatë shkatërrimit të Jugosllavisë. Kur pushtuesit serbë pas rrethimit tremujor nga mesi i nëntorit 1991 marshuan në Vukovar, ata së pari rrethuan spitalin. Rreth 400 njerëz – pacientë, infermierë dhe mjekë – u arrestuan dhe u sollën në periferi të qytetit. Tribunali i Hagës më vonë ka regjistruar emrat e 255 personave, të cilët u ekzekutuan në oborrin e kooperativës bujqësore “Ovçara”. Këtu pas luftës është ndërtuar një qendër përkujtimore. Mes të vrarëve janë edhe dy shqiptarë, Jozë Nuo Gojani dhe Qenan Azem Saiti. Tre oficerë të APJ-së janë dënuar me burg shumëvjeçar për krimet e tyre, ideologu serbomadh Vojilsav Sheshel gjendet para Tribunalit të Hagës, krimineli Arkan është vrarë pas luftës në një hotel në Beograd, dhe Sllavko Dokmanoviq, i cili dikur ishte përgjegjës për mbajtjen e derrave në “Ovçara” dhe gjatë luftës si kryetar i qytetit kishte organizuar masakrën, në vitin 1998 ia mori jetën vetes në qelinë e tij në Hagë.
Zemrat e ftohura
Dragan Kurolt, njëri nga mbrojtësit e Vukovarit, i ka parë shumicën e këtyre njerëzve kur marshuan në Vukovar. Kurolt ishte fshehur në spital, por atje shpejt kishte rënë në duart e ushtarëve serbë dhe me qindra kroatë të tjerë u deportuan në Serbi. Ai shpëtoi krejt rastësisht. Xhaxhai i tij shërbente si prift në Beograd, ai ishte kujdesuar të falsifikojë disa dokumente, të cilat gjoja dëshmonin se Kurolt ishte famullitar. Kurolt u lirua dhe përmes Hungarisë u kthye në Kroaci, një kohë punoi si telegrafist derisa doli në pension si veteran lufte. Sot ai gjendet para rrënojave të jetës së tij. “Lufta”, thotë Dragan Kurolt, “është rock’n’roll pa rregulla. Lufta i ka ftohur zemrat tona”, Kurolt jeton vetëm, thotë se ndoshta kështu është më mirë. Së fundi ai bashkë me një shok të tij serb ka nxjerrë nga Danubi një peshk të rëndë 18 kilogramë. Bisedat për peshkim shpesh janë një terapi për të harruar luftën. Para saj Vukovari kishte 44 mijë banorë, tani këtu jetojnë pak më shumë se gjysma e këtij numri. Mijëra refugjatë janë kthyer. Dragan Kurolt qesh dhe thotë: “A nuk është kjo një shenjë shprese?”