Skandali i librit shkollor në Lezhë dhe Librazhd

7 Korrik 2011, 21:01Sociale TEMA

Shtëpia botuese UEGEN në listat e porosive 2011 të drejtorive arsimore Librazhd dhe Lezhë ka marrë 38 nga 61 tituj

 

Klientelizmi dhe orientimi politik duket se ka dominuar tregun e librit shkollor, i cili tani është deformuar plotësisht. Shumica e titujve i takon shtëpisë botuese UEGEN. Në tenderin e Librazhdit UEGEN-i ka 38 tituj nga 61 të porositur gjithsej. Në tenderin e Lezhës UEGENI përfiton një shumë prej 976.900 lekësh të reja nga 2.348.000 lekë që shpenzon gjithsej drejtoria arsimore e Lezhës.

Edhe më shumë të ardhura ka përfituar nga tenderi i Lezhës Bardhyl Musai, këshilltar i kryeministrit, pronar i dy shtëpive botuese EDUALBA dhe DE, që i ka shitur kësaj drejtorie 812 libra me një vlerë të përgjithshme prej 1.509.600 lekësh. Në 2 nga 8 titujt e shitur z. Musai është edhe autor.

Skandalin e ka bërë publik Shoqëria e Librit Shqip, e cila mundi të njihet me vetëm 4 lista porosish (Lezha, Librazhdi, Mallakastra dhe Malësia e Madhe). Në konferencën e tyre për shtyp ata theksuan se megjithëse UEGENI, EDUALBA, MORAVA etj. u shesin drejtorive arsimore tituj në sasi të mëdha (edhe nga 100 ose 120 copë), ata nuk bëjnë asnjëlloj zbritje. Kështu p.sh. drejtoria e Lezhës porosit nga z. Musai librin „100 përralla klasike“ që e ka çmimin e kopertinës 2000 lekë, në 100 kopje, duke paguar gjithsej 200.000 lekë vetëm për këtë libër.

Drejtoria e Lezhës blen ndër të tjera nga UEGEN-i librin „Dhelpra e Trojës“ nga autori thuajse i panjohur F. Lamaj në 110 copë. Ky libër e ka çmimin e kopertinës 900 lekë, pra UEGEN-i fiton vetëm nga „Dhelpra e Trojës“ 99.000 lekë.

Në 40 titujt e porositur nga drejtoria arsimore e Mallakastrës, 15 i përkasin shtëpisë botuese Drier që ka për pronar z. Ramadan Pasmaçiu. Ky person, një shkrimtar mesatar i letërsisë për fëmijë të kohës së socializmit është në këta 15 libra 8 herë autor. Shuma e përgjithshme që ka përfituar nga shitjet është 120.750 lekë. Po kësaj drejtorie botuesi i Plejad i shet serinë „Të njohim Europën“ në 7 vëllime në 100 copë, duke përfituar një shumë të përgjithshme prej 260.000 lekësh. Kështu Drier dhe Plejad përfitojnë nga drejtoria arsimore e Mallakstrës gjithsej 380.750 lekë, që është më shumë se gjysma e fondit të përgjithshëm prej 529.406 lekësh që shpenzon kjo drejtori.

Problemet fillojnë që në listën rekomanduese që shpërndan ministria. Këtu kuptohet menjëherë që favorizohen disa shtëpi botuese në dëm të disa të tjerave. Nuk figurojnë fare p.sh. në listën e vitit 2010 shtëpi të rëndësishme botuese për kulturën shqiptare si Çabej, K&B etj. Kudo është e pranishme shtëpia botuese 55, qoftë për letërsinë shqipe qoftë për autorë të huaj; kështu rekomandohet një libër si „Mali magjik“ që kushton 4800 lekë!, po kështu rekomandohet „Zonja e zezë“, ose publicistika e Panajot Plakut. Këta libra janë futur edhe në leximet plotësuese të programit mësimor.

Gjithandej mbizotëron UEGEN-i me një numër librash që janë „përshtatje“ ose shkurtime të klasikëve si „Aventurat e Tom Sojerit“, „Aventurat e Hakelberi Finit“, „Dhëmbi i bardhë“, „Kapiteni Grif“ ose gjoja ritregime si „Dhelpra e Trojës“, „Pinoku im i trishtuar“

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut pasi me gjithë kërkesën e përsëritur, drejtoritë arsimore nuk pranuan të publikojnë listat e tyre të porosive.

 

 

Shtëpitë botuese: Ministria i jep tenderat këshilltarit të Berishës

 

Disa shtëpi botuese kanë denoncuar praktikat e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës në tenderimin e librave jashtëshkollorë që u sugjerohen shkollave shqiptare duke akuzuar këtë ministri se favorizon vetëm disa shtëpi botuese, njëra në pronësi të këshilltarit të kryeministrit Berisha. Sipas tyre procesi i përzgjedhjes së shtëpive botuese është krejtësisht klientelist dhe abuziv, e gjithashtu niveli i librave që ofrojnë shtëpitë botuese të preferuara prej ministrisë lë shumë për të dëshiruar. Më poshtë shqetësimi i plotë i shoqatës “Shoqëria e Librit Shqip” e cila përfshin shtëpitë botuese Scanderbeg Books, Toena, IDK, Dudaj, OMSCA, Kult, K&B etj.

 

Si funksionon sistemi klientelist i porosive për libra

“Prej disa vitesh Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vë në dispozicion në mënyrë të përvitshme për drejtoritë arsimore rajonale (DAR) dhe zyrat arsimore të rretheve (ZA) një fond për blerje librash për bibliotekat e shkollave publike të arsimit parauniversitar (bazë dhe të mesëm). Qëllimi i kësaj ndërmarrjeje është që të pasurohen bibliotekat e shkollave me literaturë të cilësisë së lartë e cila duhet të zgjerojë horizontin e nxënësve dhe t’u ndihmojë atyre në procesin mësimor. Në rregulloren e nxjerrë nga MASH më 16.9.2010 thuhet se këto fonde duhen përdorur për blerje librash nga autorë të shquar të vendit dhe të huaj si dhe librash që shërbejnë si literaturë ndihmëse në procesin mësimor. Në të njëjtën kohë MASH ka shpërndarë listën rekomanduese të autorëve dhe titujve, prej së cilës shkollat e ndryshme të vendit mund të bëjnë porositë e tyre. Lista e vjetshme u shtohet listave rekomanduese të viteve 2007, 2008, 2009. Fondi i vënë në dispozicion sivjet nga MASH për këtë qëllim është afërsisht 70.000.0000 lekë të reja. Vetë listat ofrojnë një numër të madh titujsh, autorësh, tematikash, sikurse kanë edhe mungesa e probleme, për shembull me preferimin e disa botuesve dhe mënjanimin e botuesve të tjerë, edhe pse këta mund të kenë botuar libra me rëndësi për kulturën shqiptare dhe më gjerë; ose hyjnë si „autorë të shquar“ emra që fare pak njihen në publik dhe kanë hyrë në këto lista në rrugën preferenciale që zgjidhet për shtëpitë botuese. Në përgjithësi preferohen shtëpi botuese që njihen si „të djathta“ dmth. që janë pranë pushtetit aktual.

Megjithatë, nuk është ky problemi kryesor. Problemi dhe shqetësimi kryesor i Shoqatës sonë është që me fondet e vëna në dispozicion nga MASH një numër drejtorish rajonale dhe zyrash arsimore i bëjnë porositë për bibliotekat e shkollave përmes një sistemi klientelist dhe korruptiv të qartë. Po të vëreni në listat e porosive nga dy rrethe, që do t’u shpërndahen nesër mediave, janë dy botues që mbizotërojnë në pjesën dërrmuese këto porosi. Njëri prej tyre madje nuk njihet si botues, por është thjesht shtypshkronjë. Nga 84 titujt që porosit DAR Librazhd 68 janë nga vetëm një botues. E ngjashme është gjendja edhe në listën e porosive të DAR Lezhë. Janë dy personazhe qendrorë të gjithë këtij sistemi: Njëri është këshilltari i kryeministrit z. Bardhyl Musai tjetri është pronari i shtëpisë botuese UEGEN z. Xhevair Lleshi. Z. Musai, qoftë si autor librash pedagogjikë qoftë si pronar i dy shtëpive botuese CDE dhe EDUALBA ka në tenderat „një pjesë luani“; vetëm drejtoria arsimore rajonale e Lezhës ka blerë prej tij këtë vit 9 tituj në sasi 812 copë me një vlerë të përgjithshme prej 1.509.600 lekësh. Ndërsa nga UEGEN-i po kjo drejtori ka blerë 33 tituj në sasi 1851 copë me një vlerë të përgjithshme prej 976.900 lekësh të reja. Vetëm librin „Dhelpra e Trojës“ drejtoria Lezhës e ka blerë në 110 copë. Kurse drejtoria arsimore e Librazhdit ka blerë nga UEGEN-i 38 tituj të ndryshëm nga 61 që janë gjithsej porositë e kësaj drejtorie; sasitë e porosive nuk i kemi përpara, por merren me mend. Shoqata jonë rastësisht mundi të njihej me këto lista. Në ditët e shkuara ajo u dërgoi një kërkesë shumicës së DAR dhe ZA të Republikës që t’i paraqisnin një kopje të listave përkatëse të porosive. Megjithëse këtu nuk ka asgjë konspirative ose konfidenciale, megjithëse bëhet fjalë për fonde publike, asnjë DAR ose ZA, me përjashtim të asaj të Fierit, nuk iu përgjigj kërkesave tona me email ose telefonata të drejtpërdrejta. Ky reagim të bën të mendosh se listat e zbuluara nuk janë përjashtim; ato lënë të kuptohet një shpërdorim masiv të fondeve të MASH-it për pasurim të bibliotekave të shkollave që vjen në radhë të parë si pasojë e korrupsionit të drejtpërdrejtë, por edhe duke u nisur nga preferenca klienteliste të pushtetit. U bëjmë thirrje gjithë përfaqësuesve të mediave të sensibilizojnë për këtë problem opinionin publik, në veçanti nxënës e prindër që preken drejtpërdrejt nga ky sistem shpërdorues i parasë publike. i bëjmë thirrje MASH dhe drejtorive arsimore të bëjnë publike listat e porosive të kryera ndërkohë për këtë vit e gjithashtu të reflektojnë thellë mbi ato porosi që ndoshta ende nuk janë bërë për këtë vit. i kërkojmë gjithashtu MASH të pasurojë e përmirësojë listën rekomanduese të librave për vitet në vazhdim, pasi në atë ekzistuesen, siç e përmendëm, mungojnë një numër autorësh dhe veprash të shquara, sikurse mungojnë ose janë përfaqësuar shumë pak botues nga më të mirët në Shqipëri e Kosovë.”

4 komente në “Skandali i librit shkollor në Lezhë dhe Librazhd”

  1. irena says:

    Ju falenderojme per publikimin ne menyre profesionale te ketij problemi.
    Uroj, qe kjo te mos ngelet thjesht dhe vetem neper njoftime te mediave. Dergojeni me gjere problemin.
    Me respekt!

  2. shezo says:

    TEMA, investigoni ne botimet dhe shperndarjen e librit shkollor dhe universitar se do te gjeni monstuozitete, cudira dhe skandale.Ministria e Arsimit eshte nje nga dikasteret me te korruptuara ne kete drejtim dhe ne investimet e kryera.Kjo eshte maja e aisbergut, pjesa tjeter qendron poshte, e heshtur ndonese me e ndyre.

  3. ismeti says:

    jo more po per ket hajni e ban gjith ket zhurem salo-maloku

  4. Aldo says:

    TEMA, ju pergezojme per kete ivestigim te detajuar te ketij problemi madhor qe shqeteson arsimin ne Shqiperi ne ditet e sotme! Por, nese do te beni nje investigim me te detajuar neper Drejtorite Arsimore Rajonale edhe neper rrethe te tjera, do te shikoni se si mesues te ndryshem perballen edhe me prokurorine, per arsye nga me banalet, nga babezia dhe monstruoziteti i drejtuesve te ketyre institucioneve. Me respekt Aldo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje