Nëntë fëmijë të ngujuar prej 17 muajsh

10 Korrik 2011, 13:03Rajoni TEMA

Nëntë fëmijë të familjes Neziri në Gaçkë dhe Burrnik të Ferizajt janë ngujuar në shtëpi prej 17 muajsh. Rënia e familjes së tyre në gjak me familjen Veseli nga fshati Greme e kësaj komune, i ka vënë në pranga edhe katër burra të familjes së tyre (Neziri).

Prej 17 muajsh organet e gjyqësisë nuk kanë dalë ende me vendim për rastin. Mosveprimi institucional i ka lënë hapësirë Kanunit, dispozitat e të cilit po ashtu janë shkelur dhe nuk janë më funksionale si shkruhet e thuhet në Kanun.

Familja Neziri ka mbyllur fëmijët (qëkur një anëtar i familjes Veseli u vra nga ana e tyre dhe dy të tjerë u plagosën), me arsyetimin se nuk ka besë nga familja Veseli. Përderisa ana tjetër (familja Veseli) mendojnë se nuk ka nevojë të kërkohet besë për fëmijët, pasi ata duhet të ndihen të lirë me Kanun.

Të gjitha institucionet e Kosovës që janë përfshirë në rast, kanë kërkuar besë nga familja Veseli dhe janë në pritje të besës që të zgjidhet problemi i këtyre fëmijëve, edhe pse Kosova ka Kushtetutën e saj dhe ligjet e tjera që duhet të bazohen udhëheqësit e institucioneve.

Të ngujuar në Kosovën shtet

Besniku 11-vjeçar të pret si zot i shtëpisë në Burrnik, ku jeton një pjesë e familjes Neziri. Me dorë në zemër ai uron mirëseardhjen dhe të përcjellë, por vetëm deri te rrethojat e oborrit. Thotë se këtë gjest të mirëseardhjes e ka mësuar duke parë babain e tij tek priste miqtë, e tash ndodhet në burg, bashkë me axhën dhe dy djem të tij.

Besniku sapo ka marrë rezultatin për kryerjen e klasës së katërt, por mësimin e ka mbajtur në shtëpi, një ditë në javë dhe jo pesë ditë ashtu sikurse bashkëmoshatarët e tij dhe bashkë me ta, por vetëm me mësues Milaim Hashanin. Ky i fundit, është obliguar nga Drejtoria për Arsim e Komunës së Ferizajt që t’i japë mësim të jashtëzakonshëm fëmijëve të kësaj familje, duke angazhuar dhe katër mësues të tjerë.

Të ngujuar janë edhe Linda (18 vjet) që nuk e ka regjistruar shkollën e mesme për shkak të izolimit, Leutrimi (16), Mentori (14), Lirimi (10), Fatlumi (10), Ariani (14), Valmiri (13) dhe Valentina 8 vjeçe, që kishte filluar klasën e parë, por është detyruar ta ndërpresë.

Tani ajo kujton emrat e dy shoqeve që kishte zënë në shkollë, Eronën dhe Erëzën, si kishte lozur e mësuar me to dhe nuk i ka parë më.

Plaku 77-vjeçar në Gaçkë, Haki Neziri, i frikësohet daljes së fëmijëve jashtë dyerve të oborrit. Që të ketë siguri për ta, ai prej 17 muajsh ka ngujuar të gjithë fëmijët që shkojnë në shkollë, në dy shtëpitë e kësaj familjeje, atë në Gaçkë dhe në Burrnik. Thotë se nuk e ka menduar të vijë puna deri këtu.

Rrëfen rastin dhe flet për katër anëtarë të familjes që po e vuajnë dënimin në burg për këtë, por pa ndonjë vendim gjyqësor prej 17 muajsh. “Kam qef që fëmija të mos mbesin sakat, e drejtësia le të ecë të bëjë punën e vet”, është porosia e plakut për qeverinë.

“Tani kemi mbetur keq. Na ndihmojnë miqtë të jetojmë dhe të ushqehemi”, thotë ai, duke gulçuar nga vaji, familja e të cilit gjatë luftës kishte dhënë shumë bukë për pjesëtarë të UÇK-së, që ishin dhe janë në krye të pushtetit e politikës.

Ai kërkon të ndërhyhet në këtë rast. Thotë se si familje dëshmorësh nuk e kishin menduar se do të jetonin në shtetin e lirë, në këtë mënyrë. Përveç kryetarit të Komunës, Bajrush Xhemajli dhe policisë, plaku thotë se askush nuk ka qenë për t’i vizituar. Këto dy palë, sipas tij, kishin negociuar që të marrin edhe besë.

“Menduam se do të merrnim besë për fëmijët, por nuk iu dha besë as Bajrush Xhemajlit dhe komandantëve të policisë”. Ai kujton se dikur me Kanun fëmijët dhe gratë ishin të lirë. “Deri në 18 vjet lirshëm ke dalë, personi që ka kryer veprën është ruajtur më shumë”, shprehet ai.

Frikëhija

“Ata në burg janë të paktën të sigurt, e ne në shtëpi gjithmonë me frikë”, thotë Arbenita, më e madhja nga fëmijët e familjes. Sipas saj, policia ka qenë pranë familjes vetëm gjatë atyre dy javëve sa ka ndodhur incidenti dhe më s’i ka vizituar. Mirëpo, anëtarë të familjes Veseli thonë se nuk ka arsye që fëmijët e familjes Neziri të ngujohen.

Asllan Veseli rrëfen ngjarjen kur është vrarë i vëllau i tij dhe janë plagosur dy nipa, njëri nga të cilët rëndë. Megjithëkëtë, e quan fyese t’i kërkohet besë për fëmijët.

Pavarësisht që, sipas tij, hasmi ka gjuajtur në nipat pa i mbushur 18 vjeç. “Fëmijët e vegjël shkojnë në shkollë, kurse ata të mëdhenjtë i dërgojnë me lopë. Mua nuk më intereson fëmija, por ata kanë gjetur një arsye si shkak që të arsyetohen”, thotë ai. Ai përmend se as Kanuni nuk thotë të nxirret haku nën 18 vjet. “Nuk jam burrë që kërcënoj fëmijë”, zotohet Veseli.

Ai thekson se ka pritur prej drejtësisë që të zgjidhet çështja dhe pret që vrasësi të ndëshkohet, por i zhgënjyer thekson se ende nuk ka dalë ndonjë vendim nga institucionet. Dhe, sipas tij, “në burg janë të pafajshmit, fajtori ende shëtit i lirë”. Edhe policia rajonale në Ferizaj, konfirmon se nuk është raportuar ndonjë kërcënim për fëmijët e familjes Neziri.

Komandanti i këtij rajoni, kolonel Izet Azizi, thotë se policia është angazhuar në këtë rast maksimalisht, “por nuk mund t’ia heqë frikën plakut dhe as të marrë besë”. Azizi thotë se është takuar edhe me asociacione të të drejtave të njeriut që janë interesuar për rastin. Kurse, me rastin është angazhuar veçanërisht Drejtoria për Arsim në KK të Ferizajt.

Agim Berisha, drejtor i këtij departamenti, ka thënë se qëllimi i kësaj drejtorie ka qenë që së paku të ndihet dora e mësuesit në shtëpi te këta fëmijë dhe të organizohet një mësim për fëmijët e moshës së rritur. Sipas tij, fëmijët më të vegjël kanë shkuar në shkollë, kurse ata më të mëdhenj që i takojnë klasës së shtatë e tetë nuk kanë shkuar.

Berisha është takuar dhe me palën tjetër të familjes Veseli që i kanë premtuar se fëmijët nuk duhet të ruhen nga ata. Megjithëkëtë, shpreson që të inkuadrohen edhe institucionet tjera dhe kjo drejtori të realizojë angazhimin e saj, t’i sjellë fëmijët në shtator në shkollë.

Ndërsa, mësuesi Milaim Hashani thotë se një herë në javë ka shkuar në shtëpi në Burrnik për t’i dhënë mësim Besnikut në klasën e katërt dhe Lirimit në klasën e tretë.

“Shkolla është 150-200 metra afër më shtëpinë e tyre, por ata frikësohen të vijnë në shkollë. Me një herë në javë mësim, ata nuk mund të arrijnë asgjë”, thekson Hashani, duke bërë të ditur se në Gaçkë japin mësim katër-pesë mësues deri në klasën e nëntë, në shtëpinë tjetër.

“Vitin e kaluar i kanë sjellë policia bashkë me ministrin e Arsimit në shkollë ku i kam pyetur për rezultatin përfundimtar, sivjet më thanë notoji vetë ashtu si ta merr mendja”.

Hashani thekson se me këta dy fëmijë ka punuar vetëm me germa, pasi në ato kushte të jashtëzakonshme nuk ka pasur mundësi të bëjë më shumë.

Drejtësia vonohet

Rasti është ndjekur edhe nga Ombudspersoni i Kosovës, i cili ka kërkuar që të inkuadrohen institucionet shtetërore për të zgjidhur çështjen.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka thënë se ka takuar të gjitha institucionet kompetente dhe të dyja familjet. Sipas tij, fëmijët duhet të shkojnë në shkollë dhe fajtorët të dënohen nga organet e gjyqësisë. Kurteshi thotë se tash kur kemi Kushtetutën që siguron të drejtën e lëvizjes, punë dhe shkollim, duhet të funksionojnë si duhet organet e drejtësisë për t’u realizuar kjo. “Faji është edhe te Gjykata e cila e ka vonuar zgjidhjen e këtij problemi. Kjo duhet të jetë brengë për shtetin që 17 muaj të mos zgjidhet çështja”. Sipas tij, Kanuni duhet të dalë prej lojës.

“Thirrja në Kanun bëhet kur personi nuk është mësuar t’i gëzohet drejtësisë shoqërore dhe se ka shtet”, thotë ai. Ndërkaq, konfirmon se ankesat më të mëdha që i dërgohen zyrës së tij, i adresohen gjyqësorit.

Në anën tjetër, organizata për të drejtat e njeriut kërkon angazhim të përgjithësim të institucioneve lidhur me ngujimin e fëmijëve në nivel vendi.

Kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka thënë se ky këshill sikurse edhe çdo institucion tjetër në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për rastet e ngujimit të fëmijëve për shkak të gjakmarrjes. Ai thotë se duhet të negociohet institucionalisht, por edhe me ekipe te pajtimit që ky problem të zgjidhet. Ai e sheh të nevojshme që në këtë rast të ndërhyjnë patjetër edhe institucionet qendrore.

 

T’i besohet drejtësisë!

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka bërë thirrje që qytetarët t’i besojnë drejtësisë dhe të presin vendimet e tyre. “I ftoj të gjithë që t’i besojnë drejtësisë dhe kontestet t’i zgjidhin përmes organeve kompetente, e jo me vetëgjyqësi apo rregulla kanunore”, ka thënë i dyti i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi për “Zërin”.

10 komente në “Nëntë fëmijë të ngujuar prej 17 muajsh”

  1. tefta alikaj says:

    besoj qe kosovaret nuk e dhane gjakun ,qe populli i tij dhe femijet e kosoves, te mos shijojne jeten edhe sot me kosove te lire

  2. mendimi_im says:

    si te jesh injorant dhe te zbatosh ligje si kanuni i lekes domosdo te te lesh barre te madhe edhe per femijet…
    papergjegjesia e prindit le ne erresire femijen

  3. Vlora says:

    eshte per te ardhur keq qe edhe ne kosove,,,,po veprohet se ne shqiperi….
    pasojat duhet te jene te personit qe kryen krimin, dhe jo te bien mbi te gjithe fisin

  4. rrahman kosova says:

    Te ju them te drejten une ksaj drejtesi ne kosov nuk i besoj,arsyet jan te shumta,korrupsioni,familjarizmi kercnimi jan prej arsyeve qe disa familje kur ju shkaktohet ndonje viktim nuk gjejn drejtesi jan te detyruar te perdorin metodat e vjetra kanunin.une njof nje rast ne gjilan kur njeri plagos me rrevole tre vet dhe mbahet vetum 6 muaj burg dhe del si i pafajshum gjoja se ishte ne vetembrojteje kur te gjith deshmitaret kan theksu se nuk ka qen rasti ne vetembrojtje por korrupcion e beri te veten dhe lenda arriti ne shkallen e lart ne prishtin,pastakj prap u kthye per shqyrtim edhe nje her ,qysh ne diten e par te seances kur lexohet aktakuza kunder te pandehurit ai ngritet ne kembe dhe thot se une sekam dit qe jam i akuzuar,kur i behet pytje se a e keni marr me shkrim thirrjen gjykatesi pergjigjet jo nuk ka marr me shkrim ekemi njoftu vetum me telefon . ja shikone se qfar gjyqesie dhe drejtesie kemi ne kosov.njeretzit nuk deshirojn te dalin mbi drejtesin por kur ajo nuk funksionon ateher rroft kanuni lekes

  5. malboro says:

    hape kanunin dhe lexoje. te pjesa gjaku qfare thote per gjakun ,e kan shtrebruar ,e keqja eshte se nuk ka as ligj as kanu.

  6. Ferizaji says:

    A medet kushe po shkrun per gjakmarrje nw Kosove ,po kshyrni more vrasjet ne Shqiperi.

    1. enofieraku. says:

      Gazeta qe ti mer pjese dhe po shkruan eshte shqiptare,jo kosovare, je ofsait o djali nga kosova ….

    2. Arben Kosova says:

      O gomar,shporru nga ketu,se te drejte ka secili qe te shkruaj per dhimbjen e madhe te Kombit qe po na shkaterron te gjitheve.O analfabet mesoje drejtshkrimin pastaj eja ketu e na meso.Gomar bene dhe ndarjen e Popullit.Rrofte Shqiperija.

  7. Kosovari says:

    Shiko fotografinë në Kosovë në krye të kësaj faqe. Nuk është nga viti 1900, por nga sot. Udhëheqësit e partive politike kosovare nuk jetojnë në shtëpi të këtilla, por në vila luksoze. Ata kujdesen për veten, jo për mirëqenien e banorëve. Për këtë arsye është situata me popullin tonë kështu sikur që është.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje