Si rëndom tek ne, edhe censusi, një praktikë rutinë gjetiu, rrezikon të pështjellojë dhe fragmentizojë artificialisht një shoqëri që edhe pa të, boll ka halle të tjera. Ndonse presupozohet proçes konvergues, prania në të e pyetjeve jo të domosdoshme që provokojnë sensibilitete të caktuara, ngre natyrshëm ‘vetulla’ për vullnetin dhe sinqeritetin e mazhorancës aktuale në respektimin e të drejtave kushtetuese që implikohen në këtë kontekst. Sikurse saga e zgjedhjeve dhe e votës së lirë, kufirit detar më fqinjin jugor, shpërpjestimet në buxhet, karshillëku ndaj shtetit ligjor me Gërdecin, 21 janarin apo rrugën e Kombit apo varrezat e ushtarëve grekë në jug edhe ky census, me disa pyetje të tipit ‘litari përjashta’, po provokon një debat tërësisht të evitueshëm që po merr kohë të vyer, energji dhe pasion për një shoqëri që po humb trenin e rradhës për në Europë. Trishtues mbetet fakti se edhe kur një mori problemesh ‘sponzorizohen’ prej të tretëve, debati, deri në acarim ekstrem, nuk bëhet me ta por mes nesh, me të tretët si gjithnjë në pritje të ‘nxjerrjes së gështenjave’ të rastit.
Boomerang dhe ‘litar’ përjashta
Ndërkohë që parimet rreth të drejtave të individit tingëllojnë alibi për justifikimin e vetdeklarimit etnik dhe fetar, të drejtat e shoqërisë për kohezion, transparencë, bashkëjetesë korrekte, mosdiskriminim dhe respekt reciprok shpërfillen haptazi nga ata që janë zgjedhur për t’i garantuar ato. Përtej domosdoshmërisë së të dhënave reale rreth minoritetit faktik, ‘konvertimet’ artificiale, cënojnë jo vetëm interesin e shumicës por dhe të vetë pakicave (deri zhbërje të syresh si rrjedhojë e tjetërsimit mes vetë pakicave) sepse tashmë diskriminimi pozitiv nuk është më objektiv dhe etik por abuziv dhe segregues.
Sa e drejtë është të njihet dinamika e pakicave, po aq e drejtë është që të mos abuzohet dhe krijohen ‘realitete’ subjektive nën presionin e faktorëve të tretë, abuzimit me transparencën nga ana e qeverisë apo konteksin që mbahet ai. Censusi, ndonse në thelb një fotografi orientuese, në rastin e ‘pasqyrës’ etnike, përtej subjektivizmit, rrezikon të shndërrohet në ‘litarin përjashta’ të shoqërisë në ecjen përpara me implikime në kohezionin e brëndshëm dhe vetë marrëdhëniet me fqinjët.
‘Alkimi’ etnike!
Vetdeklarimi e kompromenton objektivitetin dhe rrjedhimisht edhe dobishmërinë e të dhënës së përftuar.Dinamikën e pakicave në funksion të politikave të zhvillimit, përtej çdo dyshimi apo rezerve që vetdeklarimi bart, e mundëson si baza e të dhënave të gjëndjes civile ashtu dhe të dhënat jozyrtare prej organizatave të minoritetit, OJQ etj. Në një vënd me adresa të pasakta, ku ka mobilitet të madh të qytetarëve, ku konteksti ekonomik i tranzicionit intimidon qytetarin për mbijetesë apo ku aftësitë e mjetet e administratës janë larg standarteve perëndimore, rrumbullakosja e shifrave në rastin e pakicave etnike mund të shndërrohet në një statistikë që gjeneron më shumë andralla politike e sociale sesa përftime reale për politika efektive zhvillimi.
Shqipëria nuk ka vakuum statistikor rreth pakicave dhe ato nuk mund të paragjykohen nga konteksti politik përkatës (pre-monarki, monarki apo monizëm) sepse shteti shqiptar asnjëherë nuk ka paragjykuar minoritetet dhe nuk ka shfaqur prirje asimiluese ndaj tyre. Ndaj, nëse pretendohet se ka patur presione dje, përse të përjashtohet ai sotmi nga të tretë? Ndryshe nga besimi që mund të ndryshojë, etnia është përtej vullnetit tonë, ndaj të dhënat e kahershme të gjëndjes civile dhe arkivat përkatëse nuk lënë vënd për hamëndje sikurse vetë martesat e përzjera nuk presupozojnë zgjedhje etnie por thjesht multietni.
Diplomaci apo inferioritet?
Nëse pyetja rreth etnicitetit nuk garanton dobishmëri dhe nuk është detyruese për trajektoren e integrimit perëndimor, për më tepër që provokon një debat stresues në shoqëri, insistimi me të mbetet i pajustifikueshëm. Nëse ato reflektojnë presionin e fqinjit jugor ndaj qeverisë shqiptare, edhe sikur në emër të parimit dhe interesimit të sinqertë për fatin e pakicës, minimumi duhej të shoqërohej me reciprocitet – insistim për përfshirje në censusin grek të popullsisë çame përtej kufirit, skedimit të arvanitasve dhe emigracionit shqiptar të stabilizuar si nënshtetas në Greqi. Ky reciprocitet prej kohësh mungon dhe ‘toleranca’ e rradhës ndaj pretendimeve të të tretëve nuk perceptohet si etikë diplomatike apo input stabiliteti në rajon por inferioritet zhgënjues për seriozitetin e një vëndi të NATO, aspirant për në BE.
Mes dy ‘zjarreve’
Për shkak të kontekstit ekonomik, tranzicionit pambarim dhe perspektivës së munguar janë të shumtë ata që prej vitesh, jo pa dhimbje dhe trishtim kanë ndërruar artificialisht identitet për të mbijetuar dhe dhënë një shans vetvetes dhe familjeve. Me vetdeklarimin e etnicitetit, ky census i provokon ata në statukuonë e mbijetesës sepse ndaj tyre mund të ketë presione eventuale për deklarim dhe se çfardo përgjigje që të japin, do të konsiderohet e rreme për njërën palë apo tjetrën duke rrezikuar mes gjobës tonë dhe kërkimit llogari nga fqinji jugor për privilegje të përftuara mbi bazën e informacioneve të pavërteta. Nëse pretendohet se censusi mbetet anonim (gjë që varet nga prania ose jo e rregjistruesve në proçes), sikurse përvoja perëndimore dëshmon (plotësimi bëhet në kushte anonimati) atëhere paqartësia shtohet edhe rreth efektit të gjobës për të dhëna të rreme (gjobë ndaj anonimëve!).
E shkruara mbetet
Lëmshi ku ndodhemi nuk mund të zgjidhet vetvetiu thjesht dhe vetëm me shpërfilljen e rubrikës përkatëse në census sepse pavarësisht reagimit të shumicës, pakica dhe të ‘konvertuarit’ do të evidentohen dhe tabulohen përkatësisht.
Përtej sensibiliteteve, thelbi mbetet objektiviteti i proçesit me të dhënat e deklaruara të konfrontuara me ato të gjëndjes civile, e cila ka nevojë për rishikim dhe saktësim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth praktikës së deritanishme të gjyqësorit me konvertimin e etnisë.
Në plan më të gjërë, sfida mbetet unifikimi përballë çdo protagonizmi politik që i hap udhë intimidimit të vlerave kombëtare të harmonisë fetare dhe etnike në vënd, sikurse përpjekja për të ndërtuar marrëdhënie të frytshme dhe dinjitoze me fqinjin jugor me të cilin, përtej historisë dhe gjeografisë, na lidhin aq shumë ‘ura’ gjaku dhe fate njerëzore të përbashkëta sa të thuash popuj miq, ke thënë pak.
Berisha eshte mjeshter. Ne kohen kur Evropa do te diskutoje integrimin e Shqiperise, ai plas bomben e censusit dhe i hedh vazhdimisht benzine zjarrit me capaculet e vet.
Po si mund te shkeputen nga ai lemsh i deklarimit si grek, per pension apo dokumenta, ata shqiptare me integritet te dobet, qe vijojne te jene te lidhur me te? Veshtire ta konkurojme fqinjin per ti “riblere” keta njerez. Jo se fqinjesia apo bashkekombesia me ta i dhimbset ndonje shqiptari shqiptar, por paraardhesit e tyre (te turperuar me kete rast) u japin te drejten te konsiderohen partnere me ne ne kete vend, dhe te vendosin prioritete qe nuk i takojne shtetit fqinj… “se kombet shuhen permbi dhe..” thote dhe himni… nuk e di se c’e ardhme na pret… deri sot kemi rezistuar por me shume firo… ajo qe nuk para mungon ne keto ane eshte demi ndaj kombit, ne te gjitha rangjet. Te shpresojme se femijet tane nuk do mbeten vetem…
REGJISTRIMI [Etnia] SHQIPTAR. [Feja] BESA E BUJARËVE SHQIPTARË
Nga Artur SHKURTI
Në përfundim të të gjitha përpjekjeve për anullimin e pyetjeve të Formularit të Regjistrimit të Popullsisë që lidhen me etninë dhe fenë, dolëm në situatën negative që regjistrimi do të bëhet me ato pyetje, por me anën pozitive që tani popullsia është më e ndërgjegjshme për këtë proces.
Nuk kemi tashmë një thirrje për bojkotim që do ta dëmtonte procesin e regjistrimit, ndaj statistikat do të bëhën edhe në lidhje me pyetjet mbi etninë dhe fenë.
Me anë të këtij artikulli, dëshiroj t’iu drejtohem atyre shqiptarëve që kanë bindje të përafërta me të miat që të regjistrohen me Etni Shqiptare dhe me Fe: Besën e Bujarëve Shqiptarë.
Lidhur me etninë nuk më duhet fare propagandë, pasi është evidente.
Ajo që është e re është përgjigjia për pyetjen lidhur me besimin fetar.
A ka një fe të shqiptarëve?
Po. Kjo quhet Besa e cila edukon me Bujarinë dhe prandaj quhet Besa e Bujarëve Shqiptarë.
Besa nuk është shpikje, por zbulim i shpirtit hyjnor shqiptar. Shkurtimisht po përmendim disa citime nga rilindasit:
“Leu dhe u la për trashëgim me nderim e me qëndrim Besa jonë e Shenjtëruar” nga Lasgush Poradeci
“Besa e shqiptarit është Shqiptaria” nga Pashko Vasa.
“Gjithë ç’jemi shqipëtarë, kemi një fis e një farë, kemi të tërë një shpresë, një gjak, një gjuhë një Besë” nga Naim Frashëri
“Dashuria tungjatjeta midis çiftit të selitur, dhe me Besën tonë të situr, është e ëmbël shumë e shkreta, është gosti nga qielli mbrritur” nga Ali Asllani.
“Shqipja në mbrëmje në qiejt fluturoi e lartazi shkoi. Tue fluturuar lartaz nga qielli dhe, para se të hynte, në hijen e natës e çojti lart fletën e saj dhe shkrojti në qiellin me yj të ARBËRISË: “BESA E SHQIPËRISË”. nga Ibrahim Kodra.
Pyetje: Çdo fe ka profet, cili është profet i kësaj feje?
Naim Frashëri është profet i kësaj feje. Fjalët e tij: “Në shpirt kam dashurinë, pa digjem për njerëzinë.”(Fjalët e qiririt janë pranimi i tij individual për këtë rol tek shqiptarët).
A është pranuar Naim Frashëri si profet ndër shqiptarët?
Po. Në 100-vjetorin e lindjes së Naimit, Lasgush Poradeci, në shkrimin e tij “Shoqëria e Bukureshtit dhe Naim Frashëri”, deklaronte: “Ishte çështje fetare, punë feje, feja e Shqiptarit – ishte feja e shqiptarisë dhe për fenë flasin profetët, jo njerëzit. Për fenë e shqiptarëve do të fliste profeti i kombit shqiptar: Naim Frashëri. Ky do të bënte kthimin e shqiptarëve.”
Shumë shpejt, që në të gjallë të tij, dhe më vonë, Naimi mblodhi aq dashuri nga shqiptarët sa vetëm profetët e kanë patur. “Shekujt vijnë e vitet shkojnë, Naim, djemtë ligjërojnë.” (Lefter Çipa)
Cili është libri i shenjtë i kësaj feje?
Libri i shenjtë është libri i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shkruar nga Rilindasit. Këtë libër secili do ta gjejë në të gjitha bibliotekat familjare dhe institucionale shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Cilat janë institucionet fetare të kësaj feje?
Kryesisht janë shkollat shqiptare dhe klerikët e tyre janë mësuesit shqiptarë. Shumë shpejt ata do ta vështrojnë ndryshe punën me edukimin e brezave të rinj të shqiptarëve. Ndaj duhet t’i ndihmojmë që të na i edukojnë fëmijët me këtë frymë përmes përgjigjes në Formular: Feja: Besa e Bujarëve Shqiptarë.
Cili është raporti i kësaj feje me fetë e tjera tradicionale?
“Besa e bujarëve shqiptarë” mëson besën dhe bujarinë duke prodhuar besnikë dhe bujarë. Ky është shtrati i përbashkët i të gjitha feve tradicionale, ky është mësimi kryesor i profetëve të tyre. Ky është shtrati i ngrohtë i harmonisë fetare. Përgjigjiuni kësaj pyetje kështu që të respektoni të ardhmen e fëmijëve tuaj që do të jetë Shqipëria dhe shqiptarët.
Duke plotësuar Formularin e Regjistrimit në çështjen e Fesë me përgjigjen: Feja ime është Besa e Bujarëve Shqiptarë ndihmon të gjithë ata që janë të pavendosur në çështje fetare jo vetëm të shprehen, por edhe të ruajnë ekuilibrin pa u deklaruar si fetarë apo jofetarë, si fanatikë apo ateistë duke e shfrytëzuar kështu Regjistrimin e Popullsisë për t’i mësuar shtetit dhe të gjithëve atyre që janë të interesuar për këtë çështje se shqiptari para së gjithash vendos shqiptarinë.