Berishën e presin “tema të nxehta” në Shkup

7 Tetor 2011, 10:39Rajoni TEMA

Marrëdhëniet Maqedoni-Shqipëri kryesisht kanë qenë të mbështetura mbi (dis)harmoninë ndëretnike apo thënë më mirë, ato janë diktuar nga qëndrimi dhe sjellja e autoriteteve qendrore maqedonase ndaj shqiptarëve dhe kërkesave të tyre politike për barazi të plotë. Hiq një ndërhyrje të ashpër të Tiranës zyrtare, në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur politika shqiptare u vë në mbështetje të ngritjes së një subjekti të ri politik me qendër në Tetovë, mund të thuhet se autoritetet shqiptare e kaluan me lehtësi diplomatike edhe konfliktin e armatosur të vitit 2001, duke i dhënë mbështetje parezervë vënies në jetë të Marrëveshjes së Ohrit.

Mirëpo, këto kohët e fundit, me gjithë vizitat e niveleve të larta për të cilat thuhet se janë në funksion të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, regjistrimi i popullsisë në të dyja vendet, si dhe disa incidente në dhe me shkollën shqipe në Maqedoni, sikur nxjerrin sheshit se marrëdhëniet mes Shkupit e Tiranës zyrtare janë larg të qenit “marrëdhënie pa asnjë çështje të hapur”.

Ditë më parë shefi i diplomacisë maqedonase, Nikola Popovski, ishte për vizitë zyrtare në Tiranë dhe ndër të tjera, me autoritetet shqiptare, preku edhe çështjen e regjistrimit të pjesëtarëve të minoritetit maqedonas. Fill pas kësaj, media proqeveritare në Shkup bën të ditur se regjistruesit nuk po përfillin deklarimet e njerëzve me përkatësi etnike maqedonase: “Ne ndihemi të rrezikuar!”-  ka deklaruar Edmond Osmani, një ndër drejtuesit e  partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian.

Disi në të njëjtën kohë ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, pas një vistër takimesh me personalitete shqiptare të jetës politike në Tetovë e Shkup, ka shprehur keqardhjen për shkak se në Maqedoni, sikurse është shprehur ai, “ka ende mbeturina nostalgjike të së kaluarës ish-jugosllave, që i shohin shqiptarët dhe rolin e tyre me negativitet.”

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup është lënë të kuptohet se ambasadori shqiptar do të thirret për të dhënë shpjegime për vërtetësinë e deklaratave të tij kritike lidhur me tekstet shkollore.

Karshi kësaj, politikëbërësit maqedonas të cilët e kanë pranuar formulën e Marrëveshjes së Ohrit për Maqedoninë si shtet shumetnik, shumëkulturor e shumëkonfesional, të thuash nuk lënë muaj pa bërë ndonjë veprim që mund të kualifikohet si “për inatin e shqiptarëve”. Rasti më i freskët është një deklaratë e ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska, për Rusinë, si për “mikun më të madh të Maqedonisë mes popujve ortodoksë sllavë”, apo edhe hezitimi që një marrëveshje për kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftime të bëhet si me Serbinë, edhe me Shqipërinë. “Ta lëmë Kosovën se ajo nuk paska ‘letërnjoftime biometrike’”…

Burime shqiptare në Tetovë, këto ditë, ndërsa regjistrimi i popullsisë është në njëfarë ngërçi politik ndëretnik, si kundërpërgjigje ndaj akuzave maqedonase se regjistruesit shqiptarë po shënojnë edhe të gjithë mërgimtarët me punë të përkohshme, “duke shkelur kështu ligjin”, shtrojnë pyetjen se përse nuk hapet çështja e “disa dhjetëra mijëra dokumenteve të shtetësisë” të lëshuara për shtetas shqiptarë apo dhe kosovarë në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Lube Boshkovski, në fund të viteve nëntëdhjetë?!

Prandaj, pritet me interes vizita e planifikuar për në fund të këtij muaji e kryeministrit Sali Berisha. S’do mend, me mikpritësin e tij, kryeministrin Nikola Gruevski, do të ketë se çka të flasë, si për procesin e integrimit euroatlantik, për zvarritjen e përfundimit të Korridorit të Tetë, ashtu dhe për temat e nxehta që nga të dyja palët mund të vendosen në kategorinë e “qëndrimeve paternaliste”./ Koha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje