Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar t’i hiqen referencat doganore për prodhimet e të dyja vendeve. Marrëveshja ka filluar të zbatohet në pikat doganore. Ky akt është mirëpritur nga bizneset e të dyja vendeve. Ata besojnë se do të shtohet shkëmbimi tregtar.
”Të gjitha prodhimet vendore tashmë nuk do të kenë çmim reference, por ato do të taksohen në bazë të faturave të çmimit të blerjes që paraqet importuesi. Kjo mënyrë taksimi do të aplikohet edhe në Doganën e Kosovës për prodhimet vendore të Shqipërisë”, thotë për “Kohën Ditore”, kryetari i Degës së Doganës së Morinit në Kukës, Ali Tota.
Sipas kreut të Doganës së Morinit, kjo marrëveshje është përshëndetur nga biznesi i të dyja vendeve që është pasuar me shtimin deri në trefish të bilancit të eksport-importeve. Ndërkohë që zyrtarë të Doganës së Morinit theksojnë se mundësitë e abuzimit nga importuesit janë të pamundura, pasi faturat janë të kontrollueshme dhe në sistem. Nëse rezultohet se nga importuesit bëhen abuzime, ato ndëshkohen me gjoba sipas Kodit doganor, ku përfshihet edhe sekuestrimi i mallit.
Ditë më parë gazeta publikoi faktin se autoritetet doganore shqiptare mbanin të fshehur marrëveshjen e firmosur në mes Shqipërisë e Kosovës që bënte fjalë për heqjen e referencave në doganat respektive për prodhimet vendore të të dyja vendeve.
“Marrëveshja vazhdon të mbahet e fshehtë nga Shqipëria për interesa të biznesit vendas të lidhur me politikën, pasi disa biznese në Shqipëri nuk janë të interesuara në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, pasi konkurrohen nga bizneset e Kosovës në shumë artikuj, si në lëngje frutash, miell, patate dhe perime të vona. Një kilogram patate në tregun e Kosovës e gjen me shumicë deri me 8 centë, ndërkohë që referenca për këtë artikull në doganat shqiptare është 18 centë”, deklaronte rreth tri javë më parë një zyrtar i Doganës së Morinit.
Ndërkohë bëhet e ditur se çmimet e blerjes së patates në Kosovë në bazë të faturave të paraqitura nga importuesit nga Shqipëria aktualisht janë 13-15 centë për kilogram dhe jo me 18 centë sa ishte referenca për këtë artikull.
Me këtë marrëveshje, palët kontraktuese kanë synuar të krijojnë gradualisht një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet tyre. /koha
Te hiqen doganat fare —Nuk duhet te kete me dogana midis nesh –tani jemi nje vend , nje popull
biles shum qaki vonue per kit marrveshje ,urime.
Kjo tregon se sa pak qeverite punojne per bashkimin kombetar.Turp per Thacin dhe Berishen qe i bejne gjerat me kaq vonese.