3 milionë euro për vetura luksoze

7 Nëntor 2011, 11:32Rajoni TEMA

Më shumë se tre milionë euro janë paraparë të shpenzohen nga Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2012 për blerjen e qindra veturave luksoze. Po ashtu, para pakë ditësh, përmes një vendimi Qeveria e Kosovës ka bërë rialokim të mjeteve nga kategoria e investimeve kapitale, në kategorinë e mallrave dhe shpenzimeve, po ashtu për blerje të veturave luksoze për zyrtare të lartë të institucioneve të shtetit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila drejtohet nga Mimoza Kusari – Lila, ka ndarë më shumë se 200 mijë euro për blerje të veturave të reja gjatë vitit 2012.

Ministrja Kusari –Lila vazhdon edhe më tej të shpenzojë mjetet e shtetit për luks, edhe pse para pakë kohësh ajo vetë ka kritikuar dukuritë, që tashmë ajo vetë po i aplikon. Administrata Tatimore e Kosovës gjatë vitit që vjen do të shpenzojë hiq më pakë se 212 e 310 euro për blerje të veturave të reja.

Po ashtu, edhe Kuvendi i Kosovës do të shpenzojë më shumë se 130 mijë euro, po ashtu për blerje të veturave luksoze.

Edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Bajram Rexhepi, i janë ndarë për vetura të reja më shumë se 50 mijë euro, ndërkaq Agjencisë Kosovare të Privatizimit 135 mijë euro.

Edhe Ministria e Administrimit për vitin që vjen ka ndarë më shumë se 100 mijë euro për blerje veturash.

Edhe gjykatat e Kosovës kanë filluar ta ndjekin trendin e veturave. Për vitin që vjen Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka në dispozicion 200 mijë euro për blerje të veturave, ndërkaq Prokuroria e Shtetit vetëm për një veturë ka në dispozicion hiq më pakë se 50 mijë euro.

Edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vitin 2012 ka në dispozicion më shumë se 40 mijë euro për blerje të veturave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë 25 mijë euro, Agjencia Kundër Korrupsionit 20 mijë euro, Forca e Sigurisë së Kosovës 50 mijë euro, Ministria e Mjedisit 64 mijë euro si dhe Ministria e Arsimit 200 mijë euro.

Rekordin për blerje të veturave gjatë vitit që vjen, si duket do ta ketë ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ku për blerje të veturave për ministri dhe për ambasadat nëpër vende të ndryshme të botës janë në dispozicion më shumë se 500 mijë euro.

Nga ana tjetër Haki Shatri, ish- ministër i Ekonomisë dhe Financave, ka thënë se Qeveria aktuale po e vë në rrezik Kosovën, në aspektin financiar. Ai thotë se Qeveria Thaçi duhet të heqë benificionet dhe luksin për t’i rritur shpenzimet kapitale, e jo të ndodhë e kundërta, të rritë luksin e të ulë shpenzimet.

“Nëse e kanë bërë këtë veprim marri iu qoftë atyre. Çdo fjalë më shumë dhe çdo koment lidhur më ketë është tepër”, ka thënë ai.

Ai thotë se në aspektin ekonomik Kosovën e presin ditë të vështira, pasi që deri më tash Qeveria ka shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të rezervave shtetërore, kështu që sipas tij, viti 2012 do të fillojë pas asnjë cent në llogari të shtetit.

Edhe Avni Zogiani, nga Organizata për Dinjitet dhe Antikorrupsion “Çohu” ka thënë se Qeveria e tanishme është duke abuzuar rëndë me fondet publike.

Ai thotë se kjo qeveri ka një kosto më të lartë se të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Kosovën nga mbarimi i luftës e deri më tash, por po ashtu në raport me buxhetin është qeveria më shtrenjtë në rajon.

“Kur ka filluar mandatin si kryeministër, Hashim Thaçi ka premtuar se veprim i tij i parë do të jetë shkurtimi i buxhetit për mallra dhe shërbime. Po ashtu ai ka premtuar se veturat e Qeverisë nuk do të merren në shtëpi, por këto premtime tashmë i takojnë së kaluarës, pasi që shpenzimet janë rritur në mënyrë drastike, ndërkaq në mbrëmje asnjë veturë nuk mund ta gjesh në oborr të institucioneve”, ka thënë ai.

38 mijë euro një veturë

 

Përpos Qeverisë edhe një pjesë të drejtueseve të komunave të Kosovës kanë paraparë mjete për blerje të veturave të reja. Komunës së Leposaviqit, vetëm për blerjen e një veture i janë ndarë hiq më pakë se 38 mijë euro, Komunës së Gllogovcit 20 mijë euro, Komunës së Fushë-Kosovës 8 mijë euro, Komunës së Lipjanit 80 mijë euro si dhe Komunës së Prishtinës 100 mijë euro.

Më shumë se 10 mijë euro për blerje të veturave Qeveria e Kosovës i ka ndarë edhe Komunë së Shtimes, Komunës së Graçanicës 125 mijë euro, Dragashit 15 mijë euro, Prizrenit 45 mijë euro, Rahovecit 50 mijë euro, Malishevës 20 mijë euro, Gjakovës 10 mijë euro, Istogut 30 mijë euro, Zubin Potok 40 mijë euro si dhe Zveçanit 120 mijë euro./zeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje