Zoti e bekoftë Amerikën

8 Nëntor 2011, 11:46Politika TEMA

Nga Dritan Prifti

Këto ditë po lexoj librin e ish-zv.presidentit amerikan Dick Cheney, titulluar “Në kohën time” (In my Time). Më bëri përshtypje përshkrimi që Dick Cheney i bën takimit me Shenjtërinë e Tij, Papa Gjon Pali II, në Vatikan, në janar 2004. Dick Cheney po bënte një turne ndërkombëtar për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare për SHBA për luftën në Irak.  Gjatë takimit, Papa Gjon Pali II ishte kritik për veprimet e amerikanëve, kritik për luftën dhe mënyrën si po menaxhohej situata atje. Pasi mbaroi takimi zyrtar, Shenjtëria e Tij dhe z. Cheney kishin një audiencë private kokë më kokë për disa minuta. Në një moment, Papa Gjon Pali II mori dorën e Dick Cheney, e futi mes dy duarve të tij dhe tha: “God Bless America” (Zoti e bekoftë Amerikën). Për mua ky moment ishte i jashtëzakonshëm. Pavarësisht ndonjë diference në mendim, pavarësisht ndonjë episodi pakënaqësie mes Vatikanit zyrtar dhe Amerikës, Papa Gjon Pali II njihte vlerën e jashtëzakonshme, kontributin e madh të Amerikës për lirinë, demokracinë dhe të drejtat njerëzore në botë, përfshirë Irakun.

Për të qenë politikisht korrekt, në kontekstin shqiptar, duke parë jashtë vetës si shqiptarë, neve na takon të themi “Zoti bekoftë Amerikën dhe Europën”. Ka shumë njerëz që ndjehen turbull kur shohin ambasadorin amerikan, ambasadorin e BE-së, ambasadorin gjerman, francez, italian, anglez apo holandez, që merren çdo ditë me punët tona. Ata i shohim të shkojnë në qendrat e numërimit të votave, të përveshin mëngët dhe të imponojnë me prezencën e tyre të numërohen sa më shpejt votat dhe të nxirret një rezultat përfundimtar. I shohim ambasadorët të shkojnë të përurojnë një baxho qumështi në Lushnjë për të dhënë mesazhin se vetëm me punë do arrijmë t’i shpëtojmë varfërisë dhe të zhvillohemi. I shohim të shkojnë të marrin pjesë në intervista televizive apo të bëjnë humor në ndonjë emision satiriko-humoristik. I shohim të promovojnë Shqipërinë turistike. I shohim të inkurajojnë klasën politike t’i shërbejë vendit, përtej interesave të ngushta partiake. I shohim të shoqërojnë investitorë në zyra qeveritarësh për të ndihmuar sado pak ekonominë tonë. I shohim të mbështesin shoqërinë civile të forcohet, të mësojë të monitorojë qeverinë dhe qeveritarët.  I shohim të financojnë udhëtime studimore të gazetarëve dhe njerëzve të mediave. I shohim të mbështesin policinë, institucionet e pavarura kushtetuese, prokurorinë dhe gjykatat. I shohim sipas rastit në krah të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të kryetarit të opozitës, të prokurores së Përgjithshme, të Policisë së Shtetit, të gazetarëve apo intelektualëve të ndryshëm.

Pavarësisht se nuk na vjen mirë që nuk jemi të zotët t’i zgjidhim vetë punët tona dhe akoma na duhen ambasadorët të na tregojnë rrugën, përsëri shumë prej nesh ndjehen mirë kur ambasadorët janë aty.  Ambasadorët e SHBA-ve apo BE-së i duam akoma të na ndihmojnë. Unë kam vënë re që Shqipëria kohët e fundit po ecën mbrapa. Për shkak të kohës që e kam më të lirë se më parë, për shkak të pozicionimit politik në opozitë dhe për shkak të lëvizjeve më të shumta nëpër Shqipëri, kam kuptuar që Shqipëria po rrëshqet çdo ditë e më shumë në një diktaturë klanore.

Personalisht shoh që miq të mi prej vitesh kanë frikë të më takojnë në publik. Ata hapin numra telefoni në emra të tjerë për t’u lidhur me mua, apo hapin adresa e-mail-i anonime. Kemi frikë, thonë, se na heqin nga puna. Kemi frike se na sulmojnë bizneset me tatimet. Kemi frike se fillojnë e na përgjojnë edhe ne. Kjo gjë, kam vënë re ndodh me shumë njerëz që janë të punësuar në institucione apo ndërmarrje shtetërore. Kanë frikë mësuesit që kanë mbi 20 vjet eksperiencë pune se i heqin nga puna pa asnjë arsye legjitime, por vetëm se u takuan për kafe me një “opozitar”. Kanë frikë mjekët t’i shohin me opozitarë. Kanë frikë edhe njerëzit e thjeshtë, se diku regjimi qeveritar do t’i godasë, nëse i shohin në shoqërinë e opozitarëve. Ky është një rikthim në luftën e klasave, shumë i dhimbshëm dhe çnjerëzor në një shoqëri që quhet demokratike. Në fakt, pushteti të godet pa mëshirë. Çdo pushtetar, nga qendra në bazë, të godet pa pasur asnjë frikë nga ligji. Askush nuk mban përgjegjësi për mijëra gjyqe që shteti humb me të shkarkuarit padrejtësisht nga puna.

Frika e madhe që është përhapur në popull për pushtetin diktatorial që godet është e bazuar në fakte. Unë deri një vit më parë isha ministër Ekonomie në qeverinë Berisha. Sapo u largova nga kjo detyrë, dhe sidomos pasi kalova në opozitë, filloi goditja ndaj meje. Të gjithë personat që unë kisha futur në punë gjatë një viti si ministër, deri edhe ndonjë roje dere apo pastrues, u shkarkuan nga puna pa asnjë shkak. Bashkëshortes sime iu bë një kontroll tatimor për shitjen e aksioneve në një fabrikë dhe iu vu një gjobë prej 25 milionë lekësh të rinj, sigurisht e jashtëligjshme. Kontrolli normal nga Tatimet Fier nxori gjithçka në rregull, kurse kontrolli i porositur nga Tirana, sajoi një gjobë gjigande. Gjoba u ankimua në Gjykatë dhe sigurisht që Gjykata e quajti gjobën të padrejtë. Shteti vazhdoi pa hezitim të gërmonte nëse ndonjë kushëri imi i largët ishte akoma në punë dhe ta hiqte atë urgjent nga puna. Vazhduan gërmimin nëse ndonjë mik a shok kishte ndonjë biznes, ku mund të vihej sërish gjobë. Kur u sollën me mua në këtë mënyrë, me mua që i pari i dhashë maxhorancën në Parlament, këta nuk pyesin as për një njeri tjetër të thjeshtë, që s’ka asnjë fuqi t’i përballojë.

Stili i goditjes së çdo kundërshtari politik, i heqjes nga puna, i shkatërrimit të gjithë familjes e fisit, i gjobave tatimore, i denigrimit me polici, i baltosjes me media, deri dhe i arrestimit për qejf e mbajtjes disa ditë në burg, është kulturë politike e Berishës dhe Metës. Të gjithë e dinë që këta janë hakmarrës.

Përveç dhunës, diktaturës, presionit dhe baltosjes, maxhoranca e sotme e pasuruar shpejt dhe lehtësisht, ka filluar të përdorë në stil të gjerë joshjen me para dhe vende pune. Aty ku nuk funksionon presioni, ofrohen para dhe vende pune për të blerë dhe asgjësuar kundërshtarët.

Kam ndjekur me vëmendje zgjedhjet e Këshillit të Qarkut Fier. Para disa javësh u bënë zgjedhjet dhe fitoi kandidati i Partisë Socialiste, sepse kjo parti kishte mbi 20 këshilltarë më shumë se koalicioni i djathtë. Pas votimit, PD gjeti një arsye të çonte çështjen në Gjykatë, dhe pezulloi fillimin e punës nga kandidati fitues i PS-së. U gjend lehtësisht nga ish-ministri i Drejtësisë, z. Alibeaj, një gjyqtare që të pezullonte çdo gjë, deri sa PD-ja të kishte mundësi të blinte mbi 20 këshilltarë të majtë për të ribërë votimet për Kryetarin e Këshillit të Qarkut. Ka rreth 1 muaj që z. Alibeaj i PD-së, një prefekt i LSI-së dhe disa drejtorucë të tjerë, kanë kapur çdo këshilltar qarku të PS-së dhe i kanë ofruar nga një vend pune dhe 5 milionë lekë në dorë për votën e tyre në votimin e radhës. Kam parë me sytë e mi një sms që Albert Sanxhaku, ish-kryetari humbës i Bashkisë Lushnje, i dërgonte një kushëriri të një këshilltari socialist të një komune në Lushnje. Ai ofronte një vend pune dhe 5 milionë lekë në këmbim të votës për kryetarin e Qarkut. Presionet dhe ofertat janë të tmerrshme. Një këshilltar tjetër ka vëllanë në burg dhe ish-ministri Alibeaj e kërcënon se nëse nuk i jep votën PD-së, vëllait në burg do t’i vështirësohet jeta. Këta pushtetarë të PD-LSI po fusin çdo ditë në punëra provizore gra të këshilltarëve të majtë apo të afërm të tyre, me qëllim që të jepet vota për PD. Në disa komuna dhe bashki të qarkut Fier, pasi ofertat dhe presionet ndaj këshilltarëve të majtë nuk kanë bërë punë, janë ribërë mbledhjet e këshillave për të zgjedhur anëtarët e Qarkut sërish. Dhunë, presione, joshje, blerje, kërcënime është fjala e ditës për gjithë ata që komuniteti i ka zgjedhur nga e majta të jenë përfaqësues në Këshillin e Qarkut. Çdo gjë bëhet në mes të ditës. Çdo gjë bëhet pa frikë nga ligji. Çdo gjë që bëhet na kujton se po shkojmë me shpejtësi drejt një diktature kleptokratike, që merr zemër pas çdo vjedhje që i bëhen zgjedhjeve të radhës. Një pushtet i ngritur mbi vjedhjen e votës, ka detyrim të mbrojë së pari hajdutët e votës.  Në Berat u ble Qarku dhe dihet se nga kush. Në Vlorë u ble Qarku dhe dihet se nga kush. Po tentohet që kjo lojë të bëhet edhe në Fier, dhe dihet se nga kush.

Në drejtim të mbrojtjes së votës së lirë dhe garantimit të rregullave të ndershme të konkurrimit elektoral do ishte, për mua, ndihma më e madhe që mund të na jepnin partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE. Zoti i Bekoftë SHBA dhe BE, nëse na ndihmojnë të bëjmë një reformë zgjedhore që të na garantojë për herë të parë në historinë tonë një votim të ndershëm. Njerëzit kanë humbur besimin te vota e lirë, sepse ata gjithmonë kanë votuar, por gjithmonë votat s’janë numëruar ndershmërisht. Janë me mijëra njerëz që pyesin: “Ç’bën bota demokratike kur sheh si vidhen votat në këtë vend?”. Janë mijëra njerëz që mendojnë se nuk mjaftojnë deklaratat diplomatike për të bërë Berishën dhe Metën t’i rikthehen drejtësisë dhe ndershmërisë. Duhen vënë kushte. Duhet folur hapur. Duhet reaguar me veprime.

Shqipëria mund të jetë mbase nga vendet e rralla, ku 95% e popullit thotë me plot gojë: “Zoti e bekoftë Amerikën dhe BE”. Kohët e fundit kjo përqindje ka rënë, por përsëri është shumë e lartë. Unë ndiej që populli në dominancë kërkon që miqtë tanë ndërkombëtarë të jenë më energjikë, më të vendosur dhe më të kuptueshëm, për të ndaluar një rrëshqitje të mundshme të Shqipërisë drejt një diktature kleptokratike me pasoja katastrofale për vendin. Kontributi për lirinë, demokracinë dhe të drejtat themelore nuk shkon kurrë kot. Edhe pse Papa Gjon Pali II nuk është gjallë për të dhënë bekimet e Tij për këtë kontribut në Shqipëri, unë kam bindjen që miliona shqiptarë luten dhe presin me padurim një dorë të fortë ndërkombëtare të ndërhyjë, të paktën që njerëzit mos të jetojnë me frikë, mos të kenë frikë të flasin, mos të kërcënohen me bukën e fëmijëve të tyre. Miliona shqiptarë sot kanë frikë nga regjimi. Kemi ecur shumë përpara në 20 vjet demokraci, por kemi disa vjet që kemi filluar të ecim mbrapsht. Në këtë drejtim, ndërkombëtarët në Shqipëri mund të bëjnë akoma më shumë.

Dick Cheney në librin e tij bën një mbyllje perfekte, që kërkon të justifikojë dhe t’i përgjigjet shumë kritikave që i janë bërë Presidentit Bush dhe atij, kryesisht për luftën në Irak dhe politikën ndërkombëtare. Ai thotë: “Instead of seeking empire, we have sought freedom for others”. D.m.th.: “Në vend që të përpiqeshim për të ndërtuar një perandori, ne u përpoqëm për liritë e të tjerëve”.

Ah, sikur të kishte edhe pak më shumë përpjekje për ne!/panorama

14 komente në “Zoti e bekoftë Amerikën”

  1. Ana says:

    Dritani ka shkruar shume mire,sa te kemi sale berishen dhe ilir meten ne pushtet Shqiperia do te eci mbrapa sic po ecen.per votat e 8 majit ishin ambasadoret e huaj por bene nje vere ne uje.Votat u vodhen sy ne sy.Prandaj mos prisni nga te huajt t`ju zgjidhin problemet se punet behen me lemsh. Izoti e nxjerr gomarin nga balta.Hiqini nga pushteti sali dabaduben me ilir qafderrin me ane te protestave demokratike.Zgjidhini vete problemet tuja.Nderkombetaret i korrupton sala qei jep detin e token e Shqiperise

    me respekt Ana

  2. popolo di Tirana says:

    Ej, se mos i merr Zoti mendjen Dritanit dhe fillon edhe ky te shkruaje libra…

  3. Claus says:

    Nje gje nuk kuptoj, perse ne hyrje te ketij artikulli duhet te merret si shembull vizita e Dick Cheney tek Papa?
    Hyrja me duket se eshte komplet trup i huaj ne kete shkrim, jo per thenien “God bless America”, por me shume ne lidhje me thelbin e artikullit te Dritan Priftit i cili merr si shkas librin e nje personazhi te “ciniko-qesharak” si Dick Cheney.
    Po hyj ne pjesen e tij “qesharake” te ketij personazhi luftenxites sic e kane vleresuar shume media te botes.
    Per paranteze se si mu kujtua personazhi “Flamur” i Antenes se Meros i cili nxjerr nga goja vetem fjalen “ai burri tha ketedhe ai burri telefonoi ate”. Edhe Shtepine e Bardhe e paska infektuar Flamuri me bemat e tij.

    Ja c`fare shkruan nje magazine informative e njohur ne Europe:

    “ Ai e permend Bushin gjithmone “ai burri”. Ai burri do kete, ai burri mendon ate.
    Dicku punon mire, tha nje dite Bushi per te, sepse me tha, qe ai nuk mendon per tu bere President! (Hej, a nuk eshte per te qeshur?)
    Kjo eshte ana qesharake e ketij personazhi por te pakten me e parrezikshmja, por te shikosh anen tjeter te anetarit te Grupit “Cheney, Rumsfeld, Wolfowitz” te iken e qeshura njehere e mire.
    Cinizmi i tij kalonte cdo kufi.
    Ja c`fare ka thene per Water-boarding dhe burgun e Guantanamos ne memorien e tij qe paska lexuar Dritan Prifti:

    “Teknikat e tortures funksionuan mire prandaj nuk pati me atentate gjate presidences se Bushit.”
    “Guantanamo eshte nje institucion shembullor, i sigurte, human dhe mbrojtes. Atje te burgosurit mund te shikojne TV, filma, te lexojne libra, gazeta bile mund te merren dhe me sport dhe disponojne nje ushqim i shendetshem”

    Po e mbyll kete replike se nuk dua te sjell gjera te tjera mbi kete aktor te politikes qe dhe sinonimet qe mori “Lordi i zi dhe simboli i genjeshtres” i kishte per nder.

    Faleminderit Dritan qe na paske sjelle vetem thenien e Papa Gjon Palit te II. Heren tjeter do te ishte mire te na sillje ndonje personazh me human, me te ndershem dhe me me dinjitet. Megjithate te pershendes, per ato qe ke bere koheve te fundit.

    1. Koka says:

      Mos na bej te qeshim ore claus me keto pallavra. Se sa qesharak eshte Dick Cheney ate mund ta enderrojne disa palla qe vec gervishtin brockulla neper gazeta. Te kishte shqiperia nje Dick Cheney sot ishte trefishu ne territor e kishte shkuar aty ku i takojne kufijte normalisht, po ku merr vesh ti.

      Dritan Prifti ka folur shume bukur, por nuk di me sa autoritet kane nderkombetaret te nderhyjne. Ai Danezi mbeti duke fol, Arvizuja e ai paraardhesi dilnin ne cdo cep. Fundia te gjithe jane te ftuar ne Shqiperi, dhe nuk e pengon kush Saliun ti thote hikni tani se po lidhem me shokun tim Putin.

      1. plaku says:

        Koka,
        Ti thua :
        “Te kishte shqiperia nje Dick Cheney sot ishte trefishu ne territor e kishte shkuar aty ku i takojne kufijte normalisht, po ku merr vesh ti.”
        Kuptohet se eshte e drejta jote te thuash cfare te duash, por mendoj se thenja jote tingellon pak si lufte me fqinjet. Me cfare do ta besh ti luften me fqinjet, me mora. Hej mik, bota dhe EU jane te interesuar per statukuo ne Ballkan dhe ti do lufte. Nuk e di ne se do ishe dakord qe djali yt te shkoje dhe te vritet ne kete lufte budallaqe qe do ti. Hej mik mos fluturo me enderat e tua nacjonaliste dhe shif realitin.Sa qindra familje shqiptare, greke, serbe, maqedonase dhe shtepira do shkateroheshin per te permbushur enderen tende budallaqe per trefish territori. Une nuk kam lexuar shkrimin e Priftit siper por di qe Dick Cheney ishte parfaqesuesi i lobit te naftes dhe interesave te oligarakise financjare ne qeverine amerikane. Ishte nje luftenxites i ndyre se bashku me ministrin e mbrojtjes Ramsfeld. Keta horra e cuan Ameriken ne lufte ne Irak dhe tani ambicjet e tyre i pagoi populli irakjan dhe amerikan. Ti na ngre ne pjedestal nje njeri pa vlera qellimi i jetes se tij ishte vetem pushteti dhe leket.
        Pershendetje.

        1. Kalorsi i zi says:

          pershendetje Plaku, ketu foli urtesia. urime

          1. plaku says:

            Kaloresi i zi,
            Faleminderit. Pershendetje

        2. Claus says:

          Faleminderit i nderuar “plaku”.
          Pergjigje me te mire nuk mund te kisha dhene.
          Ne pak rreshta ke treguar logjike dhe inteligjence per tu admiruar.
          Pershendetje dhe urime per ty dhe familjen tuaj.

          1. plaku says:

            Claus,
            Po te tregoj nje sekret te vogel. Une shpesh enderoj qe te vi edhe une ne ligen tende. Problem eshte se jam plak dhe ti i ri.
            Pershendetje ty dhe familjes mik.

        3. Koka says:

          Po ti o plak je bere zedhenesi i “Ballkanit” keshtu ? Rri ore burr se nuk merr aspak vesh nga politika ti. Po flitet per Cheneyn. Sigurisht qe nese shqiperia do kishte mundesi te prodhonte nje njeri e tille, do te thote qe do kishte dhe aftesit e duhura per ti ven nen kontroll territoret qe i kane grabitur. Pra sic e the dhe vete, dhe sic qendron dhe vete me keto ide, me tipa si puna juaj une jo vetem qe nuk e coj femijen tim ne lufte, por e mar nga ai vend, dhe e sjell tek nje vend qe ka mundesi dhe aftesi politike e intelektuale ta shkruaj vete te ardhmen e tij, dhe rrjedhimisht mos te ja diktoj askush. Kshu ti plak. Rri atje derisa t’ju hedhin ne det tek merreni me rrockelleqet se kush qe Cheney.

          1. plaku says:

            Koka,
            Ti thua : “Sigurisht qe nese shqiperia do kishte mundesi te prodhonte nje njeri e tille, do te thote qe do kishte dhe aftesit e duhura per ti ven nen kontroll territoret qe i kane grabitur.”

            Populli yne i zgjuar thote : ” Po te kishte halla koqe do te therisnim daje.”
            Edhe puna jote, i gjithe shkrimi po….n.q.s……ne se….do te….
            Pershendetje.

            1. Koka says:

              Shume i kulturuar je Plak, por kemi dhe nje shprehje tjeter ne te popullit, qe thoe “i buti si muti”. Kshu qe ti plak, boll na u hoqe si kopetent dhe krenar se je askushi te percaktosh se kush eshte Cheney e cfare rroli ka ai ne politikat globale. Merru me ceshtjet e Shqiperise ate be, ose mos u merr as me ato, meqe sipas teje ne nuk kemi mundesi te merremi, jemi njerez paqedashes pa asnje pike vullneti per te vendosur te ardhmen tone.
              Mesazhi yt eshte nje mesazh dorezimi qe shitet si qytetari, por duke qene se shumica e qyetetareve te vertete Shqiptare kane care ferren ketu e 20 vjet me pare, mesazhi juaj paqedashes i kamufluar ngjan pak sa grotesk, per te mos thene keqdashes.
              Pershendetje plakush. Ik futi i domino tashti e flit per Cheneyn.

  4. Thana says:

    Ta tha vete. “Une i dhash maxhorancen ne parlament”. Koka e falur nuk pritet more zoteri.
    Filmimi qe i ka bere mafjes, i shlyen te gjitha gjynahet e tija. Ai ka bere shume, por me nje sepate nuk pritet lisi. Jane kusuret tona qe nuk jemi ne gjendje ti tregojme vendin Ilirit dhe ushtait te tije.Nje palo gjykatese ne sjell verdalle.
    Ky lloj lisi,qe kemi ne eshte gjithe gdhenj me gjemba te helmuar.

  5. Gezim says:

    Ke shume te drejte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje