Revista “Time” shpall protestuesin si njeriun e vitit për vitin 2011. Një nga ato pak herë kur kapërcehet mbi individin si shprehje e një ideali, në idealin vetë, që mbulon një mënyrë të jetuari të vitit prej një shumice përfaqësuese individësh. Dhe vendoset kështu të vlerësohet një koncept, aksion njerëzor, praktikë shoqërore që ka qenë shkak për ndryshimin disa herë të formave se si lidhemi me njëri-tjetrin në këtë planet, dhe masa e njerëzve prapa tyre pa mbetur tek individi prijës apo iniciator. Nuk merrem me faktin se cilët kanë qenë “burrat” e vitit (e më pas, politikisht më korrekt, “personat” e vitit), ose se sa e kanë merituar ata këtë nder, por mbetem tek fakti se protestuesi, mendoj të jetë ndoshta zgjedhja më demokratike dhe e merituar e kryer ndonjëherë nga “Time”. Ndoshta një tjetër koncept për mua i një niveli të lëvdueshëm, sido që jo kaq revolucionar sa ‘protestuesi’, do ishte ai i vitit 2006: “Ti”- që Time ta kushtonte TY, si projektues dhe krijues i lirë i përmbajtjes në Internet: ‘mediat sot janë ti vetë’, sado e thjeshtëzuar dhe utopike qoftë kjo ide. Më pas, në të njëjtën linjë ideore, unë do radhitja zgjedhjen e “shumicës së heshtur” ose “Amerikanët e shtresës së mesme” të 1969. Ndoshta do ta radhitja të dytën në zgjedhjet e mia, sikur kjo të mos ishte vetëm për “amerikanët” e mesëm, por për të gjithë të pagojët e botës. Ndër 85 herët kur “Time” ka bërë zgjedhjen e vet, vetëm 5-6 herë zgjedhjet u takojnë grupeve, dhe nja dy herë objekteve jo-njerëzore që në mënyrë rrënjësore lidhen me njerëzit: një numër kushtuar “Tokës në rrezik” dhe një tjetër “kompjuterit”. Mendoj se forca sugjestive e grupeve të zgjedhur, është në shumicën e rasteve më e lartë sesa ajo e individëve. (Ka gjithnjë diçka të rastësishme apo fatlume tek qenia e “heroit” individual, që s’të le mjaft shteg për mobilizim mendor dhe shpresë mbarësociale.) Por, siç thashë që në fillim, asnjë nga grupet nuk ka forcën simbolike të ‘protestuesit’, që në njëjës ka vetëm formën gjuhësore. Duhet të jemi krenarë si njerëz që patëm fatin të jetojmë një vit me lëvizje të tilla madhore nga Shtetet e Bashkuara tek India, nga Spanja tek Rusia, e nga Kanadaja në vendet arabe. Pavarësisht sa problematike mund të jenë veç e veç këto lëvizje, dhe sa jetëgjata do jenë apo çfarë do sjellin ato, ne të gjithë si qytetarë të botës, asistuam një moment përpjekjeje të dukshme e sakrifikuese grupesh gjigante të species sonë për një botë më të mirë, që në fund të fundit na takon edhe neve që s’protestuam.
Po të vërejmë portretin e protestuesit në kopertinën e “Time”, shohim një grua me një kapuç leshi që interpretuar në formë shenje tipike, do i takonte atij lloj kapuçi që vesh një pjesëtar i ri, i shtresave të ulëta, rebel, i pabindur, i egërsuar e protestues kundër ndrydhjes; ose ndoshta edhe një i ri i edukuar e punësuar mirë që i bën eko po atyre idealeve të rebelimit, një njeri ‘cool’ që pëlqen fjalavjen muzikën ‘rap’; nën kapuç vërehen një palë sy të bukur gruaje, do thoja sy tipikë të një gruaje arabe; nën sy shfaqet pjesa e poshtme e nikabit (që përforcon të qenët në atë pjesë të botës) që duket si e shkrirë me kapuçin për të formuar mbulimin tradicional që gratë i bëjnë fytyrës në shumë nga vendet arabe. “Time” kërkon kështu në mënyrë simbolike dhe me shijen e mediave të sotme, të shkrijë në një, protestuesin nga bota Perëndimore (Kanada, USA, Spanjë, Greqi) me atë nga bota arabe ose me përfaqësuesit e “pranverës arabe” (“Pranvera arabe” them se është një nga ato figura gjuhësore që, sa më shumë që përdoret aq më tepër e dëmton idealin e njerëzve që derdhën energji ndërtuese në këto “revolucione” paqësore, dhe i jep vrullit konkret të lëvizjeve, veçantinë absurde, të sheqerosur e të vakët të ‘kadifes’, ‘portokallit’ ‘pishave’ apo ‘pranverës’. Por po e përdor këtu vetëm si term përshkrues, e pa shumë dëshirë.) Protestat në botën e Amerikës Latine, të Azisë e Rusisë, u rrinë diku në mes këtyre pikave më të spikatura të protestave botërore. Por përse grua? Dihet sa e vrullshme (ndoshta, për disa që e shohin botën vetëm me syze, edhe e papritur) ka qenë pjesëmarrja e grave në lëvizjet e 2011 në shumë nga vendet arabe që ngritën krye. Por besoj se zgjedhja e atyre syve shpues, të bukur e të revoltuar, është më tepër një zgjedhje për hir të simbolikës shoqërore ende të gjallë në gjithë planetin, atë të gruas si qenia përjetësisht e shtypur nga shumë shtresa e drejtime, që sot do shpagim. Pa zënë me gojë këtu si shkak, edhe huanë e vjetër ndaj gruas, të bërë baltë për gati një shekull, të vetë revistës “Time”, që e bën një individ grua protagoniste të vitit, vetëm katër herë në 85 herët e veta, dhe e përfshin atë në grupe të lëvduarish, vetëm dy-tri herë të tjera.
Prapa simbolit të personit me impaktin më të madh në botën e 2011-ës rri protestuesi në Tunizi, Egjipt, (Libi), Siri që është në këmbë kundër mungesës së lirisë, brutalitetit të shtetit, vjedhjes së votës e korrupsionit; ai në Indi, Meksikë e Kili, kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë së pasanikëve e pushtetarëve, elitave kroniste; ai në lëvizjet “Pushto” nëpër gjithë botën perëndimore dhe “Të indinjuarit” e Madridit, kundër pabarazisë e padrejtësisë sociale dhe ekonomike, kundër konsumerizmit dhe korporatave të pangopura e pa kontroll; athinasi dhe thesaliasi, kundër korrupsionit, qeverive të papërgjegjshme dhe shtypjes sociale të shumicës që paguan çmimin; Rusia, që dukej deri para pak vjetësh e dashuruar me birin e saj post-komunist Putin, kundër përjetësimit të pushtetit nëpërmjet rikandidimit pafund të së njëjtës fytyrë që kurrë s’ do t’i ikë kontrolli duke u kamufluar herë si president e herë si kryeministër, dhe kundër pseudo-demokracisë lindore që vjedh vota me dhunë e marifete; madje edhe Kina vetë lëvizi këtij viti kundër korrupsionit shtetëror, mungesës së zërit për njerëzit e thjeshtë, varfërisë!
Duhet të ishim në zemër të tij, për vetë bazën materiale e ideologjike të lëvizjeve. Në fund të fundit lëvizjet e këtij viti lidhen nga emëruesi i përbashkët i rrebelimit kundër varfërisë, mungesës së demokracisë së vërtetë dhe korrupsionit të elitave ekonomike e politike. Por, sido që Shqipëria i ulëret pikërisht këto dukuri që e kanë mbërthyer shoqërinë tonë e po i marrin frymën, ne nuk ndajmë aspak atmosferën rrebeluese të botës jashtë nesh. Me keqardhje për jetën e atyre personave që u vranë më 21 janar, mund të them se ne si Shqipëri nuk kemi asnjë lidhje me protestuesin botëror, që rrebelohet pa udhëheqës e natyrshëm si njeri i nëpërkëmbur, që shenjon fytyrën e vitit 2011. Kultura jonë e protestës është e nivelit mesjetar, dhe sistemi ynë politik ushqen ideologjikisht përforcimin e imazhit të protestuesit si figurë qesharake, e çmendur, i papjekur dhe i papërgjegjshëm, e manipuluar nga armiku politik i radhës, rrugaç e kriminel, armik i demokracisë, e, në rastin më të mirë, qenie që s’di ç’kërkon ose që ka harruar të marrë tabletat për kontroll hormonal ditën që i bashkohet protestës. Ne nuk kemi respektin minimal për atë që proteston. “Qytetari” ynë ndien detyrën civile t’i rrëmbejë parullën protestuesit të dobët në grupin e tij të vogël protestues, e t’i thotë: M’u zhduk nga sytë se ta mora shpirtin m’u këtu në mes të rrugës! U bë bytha jote të protestojë!” Pse të mos ketë fuqi fjale dhe aksioni anti-protestuesi? Kush e mbron protestuesin? As kultura e masës dhe as ajo institucionale! Pa dyshim që ligji, kjo mashë që në vende si i yni është krejt amorfe dhe ka fytyrën e qeverisë së radhës, nuk është me të. Disa shqiptarë në Greqi gjatë pikut të protestave të verës, bënin gallatë me protestuesit grekë që “s’dinin ç’kërkonin” e i bënin sehir me nënqeshjen tonë superiore. Në fakt, slogani që bashkon këta protestues sot për sot në botë, dhe që i bëri të lëviznin përpara, ishte pikërisht se ata “s’dinin çfarë donin, por dinin mirë çfarë NUK donin”. Protestuesi botëror sot thotë “Ne jemi 99 përqindëshi!”. Në rastin tone, ne bëhemi 99% në numër, vetëm kur qahemi, por ata shqiptarë që bashkojnë forcat për “çfarë NUK duan” janë gjithnjë shumë më pak se kaq. Në këtë pikë ne jemi të përçarë e të dobët. Ne nuk jemi kurrë 99% për të kryer diçka rrënjësore në dobi të shoqërisë sonë dhe të fëmijëve tanë. Se ne nuk e tradhtojmë as partinë e as prijësin. Përkundrazi: s’lemë kënd të na i prekë! Bëjmë be kokën e djalit për këtë!
Kultura jonë dominante jo vetëm thotë se protestuesi është ose kopil, ose burgaxhi, ose i lajthitur, por ajo edhe mbron atë që dhunon protestuesin dhe përqesh të drejtën për protestë. Tek ne ende nuk ka pasoja për vrasësit e protestuesve të 21 janarit të vitit të celebruar botërisht si vit protestash, dhe hedhje-pritja qesharake që institucionet i bëjnë çështjes, ka krijuar më të keqen e pasojave ndër njerëzit: protesta është një vërë në ujë; këta janë të gjithë njësoj e nuk ia vlen të ngresh krye; po u ngrite, ha plumbin, e të harrojnë; këtu ikën për dhjamë qeni, ndaj më mirë rri në shtëpi e mos bëzaj; institucionet luajnë me njëri-tjetrin se kështu rrisin rrogat e mbajnë punën, e ky vend s’ka drejtësi, por ka vetëm korrupsion e dallavere; fuqinë tek ne e kanë një tufë me hajdutë e vagabondë, e ç’pret tjetër nga ata! Dominanca hegjemonike e kulturës antiprotestuese tek ne asgjëson sukseshëm çfarëdolloj atmosfere protestuese të shfaqur individualisht apo në grup.
Aha! Më duket sikur më sipër po projektoj gjuhësisht ankimet e turmave që ngritën krye nga New Yorku, në Delhi, Kairo e Moskë. Ne ndajmë me ta kokëçarjet, ankimet e ankesat, por jo atmosferën e lëvizjes kundër e as dëshirën për ndryshim. Në fakt të duash të nxjerrësh në rrugë njerëz që jetojnë me këtë filozofinë e kulturën tonë të momentit, është abuzim psikologjik i individit dhe i grupit po ashtu. Si kulturë institucionale, ne jemi ende në Kinën e Tiananmenit të 1989-ës. Si kulturë e njeriut të thjeshtë (atij që do përbënte zemrën e protestuesit), për nga edukata e protestës dhe plogështia e mendjes, ne jemi së paku 20 vjet mbrapa vendeve arabe që ngritën krye. Faza jonë e tanishme është kjo: qahemi shumë, kërkojmë sa për të thënë e mbahemi me pak, durojmë se s’kemi ç’bëjmë, flemë se s’kemi punë, dhe dhjamemi për pasojë… Epo, të na rrojë protestuesi, o byrazer!
respublica.al
Zj.Derhemi ju keni shkelqyer,per mua, ne protest-artikullin tuaj (ne gazeten Shekulli )ndaj vjedhjes transparente te verdiktit te popullit te Tiranes ne zgjedhjet e 8 majit.Ne kete te sotmin ne kuadrin e protestuasit shqiptar,stononi totalisht aq sa duket se analiza juaj con direkt uje ne oborrin e vrasesve te 21 janarit ,te Gerdecit,te 1997-es,te Remzi Hoxhes,te,,,,,,,,, te atyre qe i njohim mire,per 20 vjet, ne Shqiperi si krimi i organizuar politik mbi te tashmen e ardhmerine e Kombit tone.Sikur te jetoje ne Shqiperi,e sikur te vendosje te beheshe pjese e demostratave te papara qe nisin nga 20 nentori 2009 (me 26 nentor 2009 dr.krimi ose kreu i kuseruar i qeverise se tij nxori nga goja turpet me te padegjuara si reaksion cmendurie kunder nje populli te tere qe nuk ja njihte boterisht legjitimitetin) nga demostratat e 20 diteve te majit 2010 nga ajo e 21 janarit e nga ato te qershorit te 2011 ne deren e KQZ-se qe perdhunoi per dy muaj rresht voten e zgjedhjen e qytetarit te Tiranes;atehere nuk do ta ndaje qytetarin shqiptar nga protestuesi e fryma e tij qe pershkoi Boten e 2011-es.
Tung Lora, je ok si kurdohere, te lutem te shtojme edhe dy vrasjet me djegie ne mes te pazarit (me mesazh mafioz te…Mafias ne pushtet) te gjykatesit vlonjat dhe shefit durrsak te anti-Mafias , te dy Qeruar me mesazh mafioz, te kujt? Te Mafies ne pushtet. Nese Nuk permenden me duket se ne I perulemi ketij pushtei mafioz shume me teper s’e 4 vrasjet ne demostraten 21Jan. (qe per hir te se vertetes qe rama qe I coi drejt plumbave, dhe vucidli e ekzekutoi kete deshire). Ne rastn e 2 djegieve mafioze me mesazh mafioz, po ashtu pall opozitare Nuk ndihet, pra edhe kete here ben te Sajen!! e dime qe eshte Teater Kukllash, prandaj, dhe te dy Jane Pupace te pshtire, le ta theksojme gjithnje kete, Nuk do e kemi shpetimin nga KeTA dy pupace , Jane te dy, Jo vetem vucidolsi te dashurit e mi!! ps. Ju lutem ta Kemi mendjen top s’e Vetja do na shpetoje Aspak pupac- perversi ram a tjeter. Pra ta mbyll me nje homazh per te ndjeret Konomi dhe Copa, dhe keshilles(edhe per M. Bazen) qe ta perdorin kete patjeter (kjo lloj vrasje dyfishe eshte nje gist flagrant qe tregon pushtetin mafioz, pushtet qe ka brenda te dy palet. Pse?. Sepse nese Sss…shtetl nuk kap vrasesit e shtetareve, dhe kur edhe opozita Nuk merr frame,, kuptohet qe Jane bashke!! Dhe pra Ky shtet Nuk eshte I qytetareve!!! Mero Baze, une besoj qe eshte qArtesisht e dobishme tashme te ngrihet Ketej e tutje Heshtja dhe Moszbulimi I ketyre dy krimeve mafioze;: Politika e tere eshte e faktume Mafioze.!!! Prandaj as flitet, Jo me te zbulohet!!! Atehere duhet te flasim NE, kesaj I them une : Vetja do na shpetoje!! V. O Ky artikull na meson CFARe do te thote kjo!! Protesta Te thote eshte shpetimi, mos prisni te zgjohet papacRama ju lutem!!! Ndihmoni Veten o Miq!! Mos bejme tifozllik per njerin nga dy pupacet!!! Eshte Jo e lehte por DuHET!!, Tung Plaku