2012 - A do të mbijetojë euro?

1 Janar 2012, 17:10Blog TEMA
2012 - A do të mbijetojë euro?

Viti i ardhshëm mund të jetë një moment vendimtar për Eurozonën tashmë të dobësuar.

Do të jetë viti kur plani i shpëtimit të euros, i projektuar nga Gjermania dhe Franca, gjatë dhjetorit në Bruksel, ose do të marrë krahë në frymën e re të Bashkimit Evropian, ose do të tretet në mesin e grindjeve nacionaliste.

Varësisht nga suksesi apo dështimi i planit – i cili do të zyrtarizohet si një traktat i ri ndërqeveritar në muajin mars – Evropës do t’i duhet të zgjedhë drejtimin: ose të vazhdojë rrugën për integrim më të madh politik dhe ekonomik, ose t’i kthehet të kaluarës së saj tradicionale, me grindjet e shpeshta të shteteve rivale.

Një gjë e tillë mund të tingëllojë si një vlerësim i tmerrshëm. Por, pas tre vjetësh euro-krizë, askush, përfshirë dhe udhëheqësit e Evropës, nuk i nënvlerëson aksionet.

Prejse liderët e BE-së bënë publik planin më 9 dhjetor, ata kanë punuar shumë për ta portretizuar atë si të vetmen rrugë përpara – jo vetëm për 17 vendet e Eurozonës, por për të 27 anëtarët e bllokut evropian.
​​“Kjo nuk është një marrëveshje në 17-plus, por një marrëveshje në 27-minus. Shumica e krerëve shtetërorë apo qeveritarë kanë treguar gatishmërinë e tyre për të ecur përpara me integrimin evropian drejt stabilitetit fiskal. Ata kanë treguar se duan më shumë Evropë, jo më pak”, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, para Parlamentit Evropian në Strasburg.

Plani i ri do që të rikthejë besimin e investitorëve në euro, duke u kërkuar vendeve jo vetëm të kursejnë më shumë, por, për herë të parë, duke vendosur sanksione ndaj atyre që dështojnë t’i përmbushin objektivat e kursimit. Në fakt, ai kërkon të shpëtojë Eurozonën me transferimin e një mase të paparë të sovranitetit të vendeve të BE-së në Bruksel.

Por, nuk duhet mohuar se disa vende evropiane – sidomos Britania, e cila ka kursyer mbështetjen – e shohin paktin e ri të propozuar si një hap shumë të largët në drejtim të integrimit evropian. Rezervat e tilla mund ta bëjnë atë sfidë për disa nga qeveritë që miratuan planin në Bruksel, e që kërkojnë aprovimin e brendshëm për “më shumë Evropë, e jo më pak”.

Dalibor Rohak, ekonomist në Institutin Legatum me seli në Londër, e shpjegon sfidën në këtë mënyrë:

“Mendoj se problemi më i madh është t’i kemi qeveritë në periferinë e Evropës dakord me këtë marrëveshje. Vendet si Greqia, Italia ose Portugalia kanë bërë përpjekje vërtet të vështira për të kthyer rregullin e tyre fiskal. Unë mund të imagjinoj se, nëse qeveritë e tyre përpiqen të detyrojnë qytetarët për më shumë kursime, për shkak të këtij traktati, dhe nëse përpiqen të heqin dorë nga sovraniteti fiskal mbi buxhetet e tyre, kjo mund të çojë në pakënaqësi dhe reagim të ashpër popullor. Ne tashmë jemi duke parë një reagim të ashpër në vendet si Greqia”.

Njëra nga arsyet e pakënaqësisë, që mund të kalojë në tone nacionaliste, është se pakti shihet gjerësisht si një strategji e imponuar nga Gjermania, për të rregulluar problemet e kontinentit.

Berlini, i cili ka paguar pjesën e ndihmës për Eurozonën, përballet me një rezistencë të madhe të vetë qytetarëve të tij ndaj çdo marrëveshjeje që do të parashihte transferimin e fondeve në vendet e prekura.

Sipas formulës gjermane, vendet periferike duhet të zbatojnë kursime më të mëdha, derisa Gjermania – motori ekonomik i Bashkimit Evropian – përdor industritë e tij të eksportit për të forcuar rritjen ekonomike dhe për të kthyer “shëndetin e euros”.

Se si do të funksionojë ky model, mbetet pikëpyetje. Rohak thotë:

“Vendet në periferi janë duke humbur konkurrencën dhe Gjermania mund të jetë në gjendje të eksportojë. Por, nëse ekonomia botërore dhe pjesa tjetër e Evropës bien në depresion, ajo nuk do të ketë shumë vende për të eksportuar. Andaj, unë nuk mund ta shoh këtë si një model që do të bëjë punë”.

Dyshimet rreth paktit të ri nuk shprehen vetëm brenda vendeve të Eurozonës. Pasiguri ka edhe në disa vende të BE-së, që nuk e përdorin monedhën euro.

Kryeministri i Republikës Çeke, Peter Necas, thotë se personalisht kundërshton thirrjen e traktatit që secili vend i Bashkimit Evropian të kontribuojë në inxheksionin 200 miliardë dollarësh për Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të mbështetur vendet me ngarkesa të larta borxhesh.

Në Poloni, mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e Varshavës, për të protestuar kundër thirrjeve për integrim më të thellë me Bashkimin Evropian. Një gjë e tillë ka ndodhur pavarësisht mbështetjes së fuqishme të qeverisë për paktin e propozuar.

Të gjitha këto mund të jenë shenjat e para të vështirësive që mund t’i ketë marrëveshja e re.

Në vitin 1997, shumë kohë para se euroja të shfaqej në rrugët e Evropës, euro-skeptiku Martin Feldstein, ekonomist në Universitetin Harvard, dyshonte se monedha mund të ketë sukses pa një bashkim politik dhe fiskal.

Feldestin parashikoi edhe diçka tjetër: Nëse Evropa integrohet gjithnjë e më shumë për të mbështetur monedhën e përbashkët, streset e këtyre përpjekjeve ka shumë gjasë të çojnë në rritjen e tensioneve, e madje edhe në konflikte brenda vetë Evropës.

​​Muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse tensionet do të rriten për shkak të rrugës së re të Eurozonës drejt bashkimit fiskal, ose nëse euros do t’i kthehet shëndeti i saj.

Nëse pakti nuk e shpëton euron, është e paqartë nëse Berlini është i përgatitur të hedhë në qarkullim propozime të tjera. Gjermania dhe vendet e tjera të pasura besohet se janë të gatshme të konsiderojnë krijimin e një zone më të vogël të monedhës së përbashkët, me nivel të lartë të koordinimit fiskal dhe të qetë nga anëtarët e dobët të Eurozonës.

Kjo do të ishte shpërbërja e Eurozonës dhe fillimi i një udhëtimi të ri të Evropës drejt një të ardhmeje të paeksploruar./rel

8 komente në “2012 – A do të mbijetojë euro?”

  1. net says:

    absolutisht qe nuk do te mbijetoj, nese nuk besoni vetem se prisni, prisni.

  2. norton says:

    NA CANE TRAPIN ME KETE EURON , QE KUR ESHTE FUTE EURO CDO GJE ESHTE SHTRENJTUR . LE TE VEJE NE TE SEMES KUSH PLASI PER TE

  3. panajoti says:

    Euro do te mbijetoje.Te kunderten mendojne euroskeptiket.

  4. Agim Anastasi says:

    Pyetja se a do te mbijetoje euro, une mendoj qe nuk ka dyshim qe kjo monelle do te mbijetoje nga goditjet nacionaliste qe i imponohen ekonomise nga politikane te pa afte per drejtimin e ekonomise. Ata duhet te kuptojne se nuk jemi ne nje teste per te ekspozuar receta te gatimeve te vendeve te europes, por na duhet te gatuajme pikerishte ate recete qe eshte me efektivja, e qe nuk ka dyshim ajo eshte receta Gjermane, metodologjia ne drejtim te ekonomise me te sukseshme. Me duket e pakuptushme kur ndonje ekonomist flet per imponim te Gjermanise. Jo nuk duhet te jemi tendecioz e nacionaliste. Le te mos trembemi , euro do te mbetet monella e vetme e atyre qe aspirojne nje Europe te bashkuar. Mundet qe disa vende te terhiqen nga monella, si rezultat i ” seleksionimit” fiskal , por shpejt a vone ato perseri do ti futen ” garimit” per te pasur perseri euron si monelle per te bere nje kembim real dhe realizimin e nje kapitali te ” besueshem” . Euro do te mbijetoi, sikur dhe ne nje vend te vetem, por koha do ti imponoi drejtuesit nacionalist te moderohen te pranojne jo imponimin e Gjermanise por imponimin e suksesit, te asaj qe bije efektivitetin dhe trasparencen ne ekonomi. 2

  5. Kanina says:

    Veshtire do ta kete Euro ta kaloje klasen. Europa nuk behet dot vend “unitar” si Amerika, prandaj dhe Euro nuk mund ta kete te gjate…Po te kishte siguri dhe te ishte njelloj e pershtatshme per te gjitha vendet e Europes, Euron do ta kishte perqafuar edhe Perandoria Britanike. Fakti qe nuk e ben…..le shume per te dyshuar…Pastaj u be dhe nje monedhe shume e shtrenjte, jashte mundesive te disa vendeve te Europes…Mendoni vetem nje gje: cfaredo gjeje qe kushtonte 1 DM, tashti kushton 1Euro. Pastaj dhe nje gje te fundit, ne bursat e botes, mallrat kryesore, nafta, matalet, dritherat, sheqeri, kafeja orizi etj., kuotohen me USD….kaq mjafton.

  6. presheva says:

    me kushté qé nuk do té mbijetoi

  7. Adi says:

    Euro ka falimentuar: Te gjithe e dine kete. Vetem Italise do ti duhen mbi 1trilarde te paguaje borxhet e saj dhe askush nuk po e fut doren ne xhep(e kam fjalen per Gjermanine). Gjermania ka merakun se edhe me levrimin e lekeve, serish monedha do te jete e pasigurte dhe do te humbasin gjithcka, por dhe po nuk nderhyren serisht Gjermania do te dale e humbur me falimentimin e euros. Eshte si thike me dy presa. Por une mendoj se problemi ishte qe ne krijim, si ndertimi i nje shtepie pa themel e cila do te bjere pertoke me termetin me te vogel.

    RIP Euro

  8. drini says:

    Shume zhurme per asgje!Shume flitet e premtohet e se fundi jane popujt qe do te vendosin !E ç’fare te thuash me shume kur Europen e drjtojne Barozot me Rompyate,qe te dy vegla qe perdoren si masha e qe paaftesia e tyre lexojet qartazi ne ball.Kjo eshte Europa qe perpiqet te haje ne kurrizin e vendeve te sapofutura duke amplifikuar kriza te herepashereshme fale paaftesise se atyre qe drejtojne e perqendrimit te Euros ne duart e disa individeve qe ç’do dite lirojne rrypin e tyre e japin receta per te shtrenguar rrypat popujt!Kjo eshte nje kohe qe kerkon zgjidhje te reja me njerez te rinj ne mentalitet ,pasi te gjithe e dime se Europa plake eshte me e perçare se kurr,me formale se kurr e me e piset se kurre!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje