Jo vetëm që Ilir Meta synon që të merret parasysh një vendim i Gjykatës së Apelit, që nuk e ka zgjidhur çështjen në themel, duke treguar kështu një shpërfillje të gjyqësorit, por deklaron se do ndërhyjë pranë Gjykatës së Lartë personalisht. Kjo është pjesa e pretencës së prokurorisë për rastin e ryshfetit 700 mijë euro, që Ilir Meta synonte të merrte nga ndërmjetësi Agim Rrapaj, i njohur sidomos për mazhorancën si i dënuar për korrupsion. Dhe mbi të gjitha, telefonatat e Metës me Rrapajn faktojnë se video e regjistruar nga Prifti është origjinale. Lexoni më poshtë pse
Të gjithë e kanë të fiksuar në mendje momentin kur Ilir Meta përmend 700 mijëshen gjatë videos së regjistruar nga Dritan Prifti. Jo pak, plot 700 mijë euro ryshfet dhe 7 përqind të aksioneve në hidrocentralet Egnatia- Shushicë. Dritan Prifti e pohon shifrën në prokurori, kurse Ilir Meta thotë se ajo është shifra e investimeve. Në fakt investimi është gjigant, rreth 65 milion euro, dhe Meta do fusë në xhep një dorë të mirë. Sikur të mos ishte video, ndoshta do e kishte marrë këtë dorë. Por siç thotë prokuroria, pasi Meta u informua për ekzistencën e videos, nuk guxoi të jepte koncesionin.
Por si është historia e këtij ryshfeti?
Prokuroria thotë se fakti që Ilir Meta kërkon të marrë parasysh një vendim të Gjykatës së Apelit, që nuk e ka shqyrtuar çështjen në themel, tregon se nuk e ka merakun tek investimi, por tek ryshfeti. Një shkelje ligji për një shkelje ligji.
Për më tepër, telefonata e Metës me Agim Rrapajn, bërë gjatë regjistrimit të videos, fakton origjinalitetin e saj. Sepse Meta dhe Prifti bisedojnë me Rrapajn fiks aq sa zgjat biseda në video. Dhe prokuroria e di mirë këtë se ka tabulatet në dorë.
Agim Rrapaj, një person i njohur për mazhorancën, është akuzuar e dënuar për korrupsion. Madje ishte mazhoranca e Berishës që e vuri përpara Rrapajn, që tani iu kthye sërish në prehër si sekser.
Gjeni më poshtë pjesën e plotë të pretencës për rastin e hidrocentraleve.
Përmbajtja e kësaj videoje mbështet plotësisht deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti edhe në lidhje me natyrën e bisedës, problematikën e saj, interesimin e të pandehurit për ankandin e shitjes së 30 mijë ton naftë bruto si dhe në garën koncensionare të ndërtimit të hec-eve Egnatia- Shushicë. Ashtu siç shpjegon edhe dëshmitari, kjo video vërteton komunikimin në telefon me përfaqësuesin e shoqërive Bashkimi i përkohshëm “Vëllezërit Tola” SHPK, shtetasin Agim Rrapaj dhe kalimin e telefonatës dëshmitarit Dritan Prifti nga vetë i pandehuri Ilir Meta.
Kjo rrethanë fakti mbështetet plotësisht nga analiza e tablateve telefonike të shtetasit Agim Rrapaj, që është administruar si provë, e cila paraqet komunikimin me telefon ndërmjet tij dhe Ilir Metës më datën 01.03.2010, në orën 13.28, gjatë kohës që ai ishte në takim në zyrën e dëshmitarit Dritan Prifti.
Kjo është një provë e pakundërshtueshme, që siç u tha, mbështet vërtetësinë e dëshmisë së Dritan Priftit, dhe tregon gjithashtu për interesimin e të pandehurit për këtë koncesion dhe ndërhyrjen e tij në favor të kompanisë që përfaqësohej nga Agim Rrapaj.
Vetë fakti që në këtë pjesë të bisedës, i pandehuri Ilir Meta insiston për të marrë në konsideratë një vendim të Gjykatës së Apelit që nuk kishte zgjidhur çështjen në themel, por kishte të bënte me heqjen e një mase provizore, siç është pezullimi i procedurës, vlefshmërinë e të cilit ai e dinte shumë mirë sepse dëshmitari Agim Rrapaj ia kishte vënë në dispozicion vendimin, tregon se nuk ka pasur asnjë arsye për të përmendur vlera financiare apo përqindje aksionesh përveçse për qëllimin që shpjegon dëshmitari Dritan Prifti.
Gjithashtu edhe marrja përsipër prej të pandehurit për tu interesuar deri në Gjykatën e Lartë për zgjidhjen e konfliktit gjyqësor të shoqërisë “Vëllezërit Tola” me Agjencinë e Prokurimit Publik, sipas dëshmisë së Dritan Priftit, që konfirmohet edhe nga video, është tregues i qartë për natyrën jo të ligjshme të ndërhyrjes së tij, për të favorizuar në kundërshtim me ligjin këtë shoqëri në garën koncensionare. Kjo ndërhyrje tregon gjithashtu shkakun për të cilin dëshmitarit po i ofrohej ky përfitim i paligjshëm.
Dëshmia e dhënë para gjykatës në seancën e datës 05.12.2011 nga shtetasi Agim Rrapaj, po ashtu vërtetoi pjesëmarrjen në këtë garë koncensionare të shoqërisë “Vëllezërit Tola”. Kjo dëshmi vërteton takimin dhe bërjen prezent prej tij tek i pandehuri Ilir Meta të problemeve të hasura në garën koncensionare, objekt i gjykimit. Dëshmia gjithashtu vërteton faktin e bisedës telefonike të zhvilluar me ministrin Dritan Prifti, nëpërmjet telefonit të të pandehurit Ilir Meta, pikërisht gjatë takimit, që ata po zhvillonin, siç del qartë edhe në videoregjistrim. Kohëzgjatja e kësaj bisede telefonike, sipas tabulateve telefonike të përdorur nga ky shtetas, përputhet plotësisht me sekonda me kohëzgjatjen e bisedës sipas kohëmatësit të videoregjistrimit, duke konfirmuar kështu edhe një herë faktin se video është autentike, pra e patjetërsuar.
Të pyetur nga dëshmitarë në gjykatë, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Durim Kraja, Zamir Stefani dhe Ervin Duraj, vërtetojnë faktin e pjesëmarrjes në garën koncensionare për ndërtimin e HEC në lumin Shushicë të shoqërisë “Bashkimit të përkohshëm Vëllezërit Tola”. Këto dëshmi provojnë se përjashtimi i kësaj shoqërie nga gara është bërë për mungesë të kritereve teknike, juridike dhe treguesve ekonomikë të ofertës së tyre.
Kjo ishte një rrethana tjetër që së bashku me faktin se tashmë ai ishte vënë në dijeni të regjistrimit të fshehtë të bisedës, në ato rrethana që përmendi dëshmitari Dritan Prifti në seancë gjyqësore, e penguan të pandehurin Ilir Meta ta realizonte vetë më pas, dhënien e këtij koncesioni në favor të shoqërisë “Vëllezërit Tola” kur u caktua ministër i METE-s.
Mua me del pyetja:
A eshte Ilir Meta perjashtim ne manipulimin e nje tenderi, apo ky eshte nje rast midis vazhdes se manipulimeve te shperdorimit te investimeve prej qeveritareve dhe lidhjeve te fsheheta te tyre, dmth a eshte rast ne morine e rasteve qe denoncohet spontanisht prej ndonje konflikti te brendshem?
Dhe ne se pergjigja do te jete qe nuk ka deshmitare per rastet e tjera qe jane manipuluar me perfitim apo edhe pa perfitim bakshishesh te majme. Bakshishet e majme nuk eshte arritur te perfitohen per shkak se nuk kane pranuar investitoret qe te fusin investimet e tyre nepemjet qeveritaresh te koruptuar. Po te jete keshtu, atehere per tenderat duhet te vendoset nje kontroll shume i rrepte nga ndonje organ fuqiplote dhe i pavarur nga Ekzekutivi, por direkt nga Ligjvenesi
dhe shkeljet te kene procedure te posacme per ndeshkim dhe denim.
Arian Gjika
Do te ishte nje turp i madh per drejtesine shqiptarepafajsia e Ilir Metes.
Ata qe mbrojne I.Meten ne drejtesi do ta paguajne shtrenjt kete mekat.
shqiptari.
Sot edhe mund te shpetoj meta se ka shpresa beçin çere qe i shkon nga mbrapa por DO TE VIJE DITA qe te japin llogari njesoj meta-beçi.