Policia manipulon me statistikat

25 Janar 2012, 11:59Rajoni TEMA

Zyrtarët e Policisë së Kosovës janë treguar të shkathët në kapjen e kontrabandës, krimit të organizuar, shqiptimit të gjobave në trafik…, por janë treguar shumë të dobët në “aritmetikë”. Ata nuk kanë “ditur” t‘i mbledhin rezultatet që kanë korrur brenda një viti, duke sjellë shifra tmerrësisht të larta, deri në 7000 raste dallim në dy raporte që përfshijnë punën njëvjeçare të Policisë.

Kjo situatë ka “skuqur” drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, të cilët gjatë një mbledhje të mbyllur për medie para disa ditëve, ku drejtori është “rrëfyer” për punën dhe mospunën e policisë, e kanë pyetur atë për mospërputhjen e statistikave të ndryshme.

Statistikat e Policisë së Kosovës janë publikuar në dy dokumente, njëri është botuar për gazetarët në fund të vitit të kaluar, dhe tjetri raport zyrtar që është dërguar në Kuvend të Kosovës.

 

Dallime ekstreme për çështje të njëjta

Sipas statistikave të publikuara në të dy raportet, të cilat i ka siguruar “Zëri”, të dhënat që ka prezantuar policia para gazetarëve në fund të vitit të kaluar dhe ato që ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës dallojnë “tmerrësisht” shumë.

Ndërsa në faqen tre të “raportit për gazetarë” figurojnë 35.228 raste të veprave penale që policia ka trajtuar në gjashtë rajone (Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj), ndërkaq në raportin e prezantuar në Komision, kjo shifër ngrihet në 42.208.

Prej këtyre shifrave që ndryshojnë për rreth 7000 raste, sipas raportit për medie, janë zbuluar 20.085 ndërsa në zbulim e sipër janë 15.143 të tjera. Kurse në raportin që Maxhuni ua ka prezantuar ligjvënëse 27.863 raste janë zbuluar, ndërsa 14.345 kanë mbetur të pazbuluara.

Situatë e ngjashme është edhe te pika që përshkruan “Sigurinë në Trafik” gjatë vitit të kaluar. Asnjë e dhënë e detajuar në këtë kapitull nuk përputhet në mes të dy raporteve…/zeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje