Kroatët kanë aprovuar anëtarësimin e vendit të tyre në BE, pasi shumica i kanë thënë po gjatë një referendumi. 66 përqind e votuesve janë pro që vendi i tyre të anëtarësohet në BE, kurse 33 përqind janë kundër. Pjesëmarrja në referendum ishte 43 përqind.
Balkan Insight njofton se votimi shkoi mirë, pa asnjë problem. Votuesit ishin pyetur thjesht se a duan që vendi i tyre të anëtarësohet në BE, apo jo.
Votimi vjen gjashtë javë pasi Zagrebi nënshkroi traktatin e anëtarësimit në BE. Ky traktat hyn në fuqi pasi ratifikohet nga 27 vendet anëtare. Kroacia shpreson të bëhet vendi i 28-të në korrik të vitit 2013.