Juventus ka hedhur një hap të sigurt drejt finales së Kupës së Italisë duke fituar 2-1 në shtëpinë e Milanit, rivalit të tij kryesor edhe në garën për titullin kampion. Në një ndeshje të ekuilibruar, juventinët janë shfaqur në fushë me shumë ndryshime në formacion ku binte në sy aktivizimi si titullarë të tre blerjeve të janarit: Borrielo, Padoin dhe Kaceres. Pikërisht ky i fundit është “njeriu i ndeshjes” për bardhezinjtë pasi arrin që të bëhet vendimtar që në takimin e parë. Në minutën e 52-të, pas një aksioni që kalon në këmbët e treshes “debutuese” te Juventus, Kaceres gjen golin e avantazhit. Ndonëse Ibrahimoviç është në fushë si titullar, goli i barazimit të përkohshëm të Milanit vjen nga këmbët e El Sharauit, i cili shfrytëzon më së miri një pasim të Ambrozinit. Por shpresat e Milanit nuk zgjasin shumë, pasi në minutën e 82-të, është përsëri Kaceres që bëhet protagonist me një gjuajtje të zgjuar nga jashtë zonës duke gjetur të papërgatitur Amelian për të shënuar golin e fitores për Juventus.
http://youtu.be/-ZqoMpmnokw