Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparks nuk do ta ketë problem qarkullimin në veri të Kosovës pasi autokolona e tij duket se nuk do të pengohet më nga serbët e veriut, njëjtë siç ndodhi në tetor të vitit të kaluar. Lëvizjen e lirë të Sparksit dhe EULEX-it në përgjithësi e ka siguruar UNMIK-u, edhe pse për këtë nuk ka pasur asnjë informim zyrtar.
Të njohur me këtë risi nuk janë as zyrtarët e misionit evropian, të cilët sipas burimeve të “Zërit” janë të shqetësuar pasi nuk e dinë si e arriti UNMIK-i këtë gjë kur ata ka kohë që e kërkojnë.
“Ka disa ditë që nga 10 përpjekje të ekipeve të EULEX-it për të shkuar nga Mitrovica në pikat kufitare të veriut, 9 raste kanë pasur sukses. Ata nuk e dinë pse ka ndryshuar qëndrimi i serbëve për këtë gjë, por dyshojnë që fjala është për një marrëveshje, të cilën UNMIK-u e përmend sipërfaqësisht në raportin e fundit të Ban Ki Moonit. Mirëpo, ajo që i shqetëson më shumë ata në EULEX është mënyra apo kushtet se si e arriti këtë gjë UNMIK-u”, thotë një zyrtar i një prej misioneve diplomatike të Quintit.
Në përgjigjen e shkurtër që EULEX-i i ka kthyer “Zërit” e pranon se situata në terren ka ndryshuar për të mirë, por e hedh poshtë që ata kanë qenë të përfshirë në çfarëdo negociate…/zeri