Gjerësi gjeografike dhe thellësi kulturore

22 Shkurt 2012, 21:50Blog TEMA

Nga Ardian Klosi

„Duke udhëtuar si gazetar në qytete shumë të ftohta të Europës kur banorët dalin rrallë nga shtëpitë e tyre kam pyetur vehten: përse në këto qytete kaq të ftohta, ku nuk kanë shumë nevojë për hapësirën publike, për sheshe e parqe mbuluar nga ngrica dhe bora kujdesen aq shumë për to. Ndërsa tek ne në Mesdhe, në Tiranë dhe në Athinë i keqpërdorim, jemi indiferentë për to, i bëjmë pis, i thyejmë, i mbushim edhe ato me beton.“

Nuk di pse më bëri përshtypje ky konstatim i shkrimtarit dhe gazetarit Gazmend Kapllani të cilin e lexova para disa javësh në Shekulli. Ndoshta pse është një pyetje për të cilën e kam vrarë mendjen gjatë: a ka të bëjë gjerësia gjeografike me problemet tona të shumta, e shprehur ndryshe mos është klima e nxehtë e një numri muajsh të vitit ajo që i ka bërë të nxehta edhe kokat e shumë shqiptarëve, çka shprehet në veprime të papeshuara, në shkatërrim të bashkëjetesës sociale dhe të mjedisit? Kujtojmë këtu thënien e historianit austriak J. Ph. Fallmerayer: „Shqipëria është vendi i vullnetit të fortë dhe i mendjes së shkurtër“.

Teza është shumë tunduese, sepse vërtet, po të vazhdojmë zbritjen më poshtë në gjerësi gjeografike, do të gjejmë vende edhe më të varfra, edhe më anarkike, pre të vazhdueshme të luftërave civile siç ndodh me një numër vendesh p.sh. të Afrikës.

Tani që po shkruaj ndodhem në Berlin, në një fshat periferik anë liqenit Wannsee, i cili ka ngrirë prej javësh dhe bora që ka filluar sot përsëri të bjerë po e mbulon edhe një herë liqenin me një cipë të trashë të bardhë e po e bën të ngjajë me një pllajë malore siç mund ta shohim edhe në vendin tonë në dimër pranë Korçës ose Vermoshit. Qytetarët dalin vërtet shumë rrallë në natyrë tani, ashtu sikurse thotë Kapllani, e shumta dolën nja dy ditë kur cipa e ngrirë e liqenit u kthye në shtresë të trashë e mbi të mund të shkitej me patina e me slita: një lumturi e vërtetë për fëmijët.

Por ata do të dalin gjithmonë e më shpesh në javët që do të vijnë. Sapo të shkrijë liqeni, sidomos në ditët me erë, mbi të do nisin lundrimet e varkave të shumta me vela që presin sot buzë tij të kapura në çarqet e akullit. Pylli Grynevald që e lidh këtë zonë me qytetin e Berlinit do nisë të përshkohet kryq e tërthor nga shëtitësit, nxënësit, botanistët, biçiklistët e shumtë të këtij qyteti. Lisat, ahet e bliret do të lidhin gjethe, pranvera në këto anë ka ngjyra të mahnitshme, ndaj dhe ka aq poezi të bukura për të gjermanishtja, nga Gëteja te Shileri, nga Hajneja te Brehti. Ashtu siç të gjitha pyjet, parqet natyrore, alpet e Gjermanisë ose të Austrisë e Zvicrës, edhe pyjet e këtushme janë të shoqëruara me harta, ndaj në to nuk mund të humbasë kurrë asnjë fëmijë, ndërsa të rriturit gjejnë aty ekuilibrin pas streseve të zgjatura të shpirtit që e jeton pjesën më të madhe të vitit mes betonit, strukturave metalike ose prej qelqi, në luftën e përditshme mes shifrave për t’i nxjerrë këto në favorin e vet, gjithsesi në një mjedis jonatyror.

Në këto gjerësi gjeografike jo vetëm që ka parqe të shumta qytetase, pyje e parqe kombëtare, zona alpine ku njeriu mundohet të ndërhyjë sa më pak dhe të gjejë harmoninë me natyrën, por ka edhe një vetëdije mjaft të ngritur mjedisore dhe partinë politike të gjelbër më të fuqishme në Europë: të gjelbërtit kanë arritur sot të marrin dhe kryesimin e landit nr. 1 të Gjermanisë përsa i takon rritjes ekonomike dhe eksporteve: atë të Baden-Vyrtenmbergut, ku prodhohet në kryeqytetin e tij, Shtutgart, Mercedes-Benzi. Mjafton të zbresësh pak më në jug, në Francë dhe do gjesh një vend që i prodhon 3/4 e nevojës së vet për energji nëpërmjet centraleve bërthamore, një vend ku banorët ende nuk i ndajnë mbeturinat e ekonomive familjare ashtu siç bëjnë në Gjermani: letër, qelq, plastikë… Zbrit edhe më poshtë në jug dhe do takosh sapo që kalon gjerësinë gjeografike të Romës konglomerate betoni në vendet më të bukura, qytete të rritura pa shije estetike, sikurse në gjirin e Napolit, landifille të stërngopura me plehra, kamorra, mafia e ndrangheta.

Veç këtu duhet të ndalojmë dhe të kujtohemi se ka shembuj të shumtë, në prerje historike dhe në rrafsh bashkëkohës që e rrëzojnë tezën e një raporti të drejtë midis gjerësisë gjeografike dhe degradimit social/mjedisor.

Kujtojmë që në anët e Greqisë dhe tonat dy mijëvjeçarë e gjysmë më parë lindi qytetërimi i parë i kontinentit, ai që i dha frymëzimin qytetërimeve të mëvonshme e që u quajt djep për filozofinë, poezinë, shkencat e natyrës, për vetë organizimin shoqëror të njeriut, që mori emrin demokraci; dymijë vjet më parë Perandoria romake me organizimin e vet ushtarak – edhe më parë saj drejt Lindjes Aleksandri i madh me ushtritë e veta – arriti që ta shpërndajë këtë qytetërim në gjithë kontinentin europian e për nga jugu e lindja deri aty ku u ndesh me qytetërime të tjera, të lartësive gjeografike shumë më të ulta. Në ato kohë barbarët ishin paraardhësit e kampionëve të sotëm të qytetërimit, galët, gotët, vikingët e të tjerë popuj që jetonin në pyje dhe kasolle, kurse kampionët e zhvillimit ishin parardhësit e grekëve, italianëve të Mezzogiornos, ndoshta dhe të shqiptarëve. Apo mos ka qenë tjetër klimë, mos ndoshta Greqia e Sokratit dhe Perikliut jetonte muaj të tërë në ngrica e borë, stinë ideale për meditim, eksperimentime, kthjelltësi të trurit? Nuk e besoj, edhe veç duke përdorur objeksionin e famshëm të avokatit Ngjela ndaj rrezikut të ngrohjes globale: „ngrohje globale ka patur edhe në kohën e Perandorisë romake: keni parë ndonjë legjionar romak me kapotë dhe çizme? të gjithë zhveshur me funde, sandale, me kërcijtë përjashtë“.

Kundërshtimet e tezës në rrafshin aktual do të ishin edhe ato të shumta. Barcelona është një qytet që e njoh pak a shumë mirë, është në gjerësitë tona gjeografike dhe nuk mbetet pas prej asnjërit nga qytetet e zhvilluara të Europës qendrore dhe veriore, madje ky qytet i Pikasos dhe Gaudisë është shumë më tërheqës, më i gjallë e më i ngjyrshëm sesa shumica e tyre. Po kështu janë edhe qytete të tjera të mëdha të Spanjës; nuk them se ky vend s’ka ndërtimet e veta abuzive, ka madje qytete të tëra betoni pjella të viteve ’70 në brigjet e Mesdheut, por sot nuk ndërtojnë më ashtu dhe në tërësi është një shtet që s’mund të quhet i gërryer nga strukturat paralele, ekonomia formale dhe kriminaliteti sikurse ndodh në vendet tona.

Ose marrim Rusinë në gjerësitë gjeografike të vendeve skandinave ose Gjermanisë etj., vend gjithashtu i gërryer nga struktura paralele dhe kriminaliteti, vend ku shfrytëzimi i resurseve natyrore kryhet po aq pa skrupuj ndaj natyrës dhe brezave të mëvonshëm njerëzorë.

Mendoj se i gjithi duhej të ishte në të vërtetë një diskutim kulturor por që gabimisht ka kaluar në diskutim gjeografik. Vetëm se jo një kulturë e ditës, e djeshme ose e nesërme, por një kulturë e kuptuar si madhësi shekullore. Vendet tona janë pasardhëse të Perandorisë osmane, e cila jo vetëm që nuk e njihte arsimin, shtypshkronjat, universitetet, akademitë, por edhe i luftonte këto (shtypshkronja ose gjoja akademi si të Voskopojës janë vetëm përjashtime që vërtetojnë rregullin). Shtetit shqipar të vitit 1912 nuk i parapriu ndonjë zhvillim kulturor, ashtu siç nuk i kishte paraprirë as shtetit grek të vitit 1828. Vende si Anglia ose Gjermania janë pasardhëse perandorish që filluan si kryqtare por dalëngadalë u zbutën drejt qytetërimit. Edhe të krishterët kanë qenë dikur barbarët e antikitetit, edhe ata kanë djegur Aleksandrinë, edhe kisha e parë dhe kisha e Mesjetës ka mbytur kulturën e lashtë dhe ka ngopur trutë e njerëzimit me lloj-lloj përrallash, ka djegur madje bartësit e rinj të kulturës mbi turra drush. Është dashur protestantizmi i Luterit e Kalvinit që punët e Zotit të ndaheshin nga punët e përditshme të njeriut e që kështu të lulëzonte shkenca, arti, ekonomia, të fitonte tek e fundit demokracia si sistem ndaj qeverimeve absolute.

Ne me grekët kemi ngjashmëri të shumta, ndoshta edhe pse popullatat tona janë përzier kaq shumë. Pyesni një grek ndër dy po nuk ju tha se ka paraardhës arvanitë, krahina të tëra sikurse Epiri i jugut ose Peloponezi kanë jetuar në simbiozë etnike. Sot gjen një numër cilësish si gjallërinë, humorin, energjitë sipërmarrëse, deri dhe këngët, proverbat sharjet e përbashkëta; por gjen të përbashkët edhe mosbesimin deri-deri urrejtjen ndaj shtetit të vet, ndaj njerëzve që tekefundit i kanë zgjedhur vetë. Kjo urrejtje i bën që të krijojnë sisteme paralele, të mos paguajnë taksa, ta mashtrojnë e korruptojnë shtetin a bashkinë e tyre me sa të munden. Dhe gjithë të këqijat e tjera që tani dolën në dritë dhe s’është nevoja t’i rendisim.

 

http://respublica.al/opinion/2012/2/22/gjeresi-gjeografike-dhe-thellesi-kulturore

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje