Legalizimet, një dështim spektakolar. KLSH padit 14 punonjës të ALUIZNI-t. Berisha firmosi dosjet me shkelje

22 Shkurt 2012, 10:33Sociale TEMA

Banka Botërore ka shprehur shqetësimin e saj në raportin e fundit mbi pronat, duke evidentuar shumë probleme me sektorin, veçanërisht te legalizimet.

Në gazetën ‘Shqip’ publikohet se sipas ekspertëve të BB-së, deri tani kanë mundur të marrin tapitë e legalizimeve vetëm 4504 pronarë, kur, nga ana tjetër, kanë aplikuar 270 mijë vetë. Raporti vëren se Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale ose ALUIZNI, ka marrë burime të bollshme financiare që paguhen nga taksapaguesit, por procesi ka ecur tejet ngadalë në raport me koston e kësaj ngrehine institucionale.

Njëra anë e dështimit i dedikohet mungesës së parave. Kur dikush premton tokë falas, vështirë se kjo mund të rezultojë e vërtetë. Por një pjesë tjetër e dështimit duket se nuk ka lidhje me paratë. Rreth një e treta e ndërtimeve pa leje, sipas raportit të Bankës Botërore, janë ndërtime pa leje në pronë të vet dhe në një rast të tillë, nuk ka kosto kompensimi.

Megjithatë, procesi nuk ecën. “Procesi i legalizimit ka ecur ngadalë përkundër burimeve që i janë kushtuar. ALUIZNI është një organizatë e madhe dhe e pajisur mirë me burime, kostot operative të së cilës i mbulon buxheti i shtetit”, thotë raporti. Megjithatë, vetëm 4500 subjekte në 270 mijë të tilla ose vetëm 1.7 për qind e aplikantëve kanë mbaruar punë.

Ndërkohë, një kontroll i imtësishëm i KLSH-së, i kryer për 5 muaj rresht, në periudhën maj-shtator 2011, ka zbuluar mekanizimin e mashtrimit dhe abuzimit me ligjin nga ana e punonjësve dhe zyrtarëve të lartë të Agjencisë së Legalizimeve, si në drejtorinë qendrore, ashtu edhe në degët e rajonit të Tiranës, Durrësit dhe Fierit.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se hetimi nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit është shtrirë për veprimtarinë e ALUIZNI-t, nga data 1 janar 2009, deri më 30 prill të 2011-s, gati 2 vjet e gjysmë, duke përbërë ndoshta edhe rastin e parë të një inspektimi kaq të gjatë në kohë, nga ku u zbuluan mjaft shkelje.

Skandali me procesin e legalizimeve arrin deri në atë pikë sa edhe vetë Kryeministri, pa qenë i informuar saktësisht, ka lejuar miratimin e dosjeve pa dokumentacionin e duhur dhe me shumë shkelje. Përveç abuzimeve të shumta ligjore, ndaj shtetit janë kryer edhe dëme financiare, me vlerë afro 450 mijë dollarë, ndërsa masat e kërkuara nga KLSH-ja arrijnë deri në kallëzimin penal të punonjësve dhe shefave të tyre, për rajonet e agjencisë në Tiranë dhe Durrës.

“Për 14 punonjës, drejtues dhe specialistë të ALUIZNI-t që nuk kanë zbatuar kërkesat e ligjit, KLSH-ja ka bërë dy kallëzime penale, respektivisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe asaj të Durrësit, për konsumin e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal”, thonë për “Shqip”, burime zyrtare të KLSH-së, duke shtuar se kallëzimet i janë dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme.

3 komente në “Legalizimet, një dështim spektakolar. KLSH padit 14 punonjës të ALUIZNI-t. Berisha firmosi dosjet me shkelje”

  1. fule says:

    Iiii gzofshiiiii pronat tuuuuuuja – Sali Rumpalla

  2. shqiptar says:

    smund te ece procesi me nepunes rryshfetcinj.Edhe ne hipoteke po nuk pagove rryshfet nuk ta regjistron njeri pronen.KLSH DUHRT ME URGJENCE TE BEJE TE NJEJTEN GJE EDHE NE HIPOTEKAT SE ATY ESHTE SHUME ME ALARMANTE.Dhe mendoj se gjithcka behet me orientim nga lart.

  3. saluku says:

    si dhe ne cdo fushe tjeter, ketu qeveria jo vetem i ka mbajtur premtimet e dhana por dhe i ka tejkaluar.
    Ndaj njerezve su ngelet gje tjeter vecse ti japin voten koalicionit te integrimit te pakten deri ne 40% se pjesen tjeter e vjedh vete koalicioni pd-lsi.
    RROFTE E QOFTE KOALICIONI YNE I SUKSESSHEM E RROFTE MIQESIA SHQIPTARO-KINEZE!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje