Edi Rama: SHBA, e interesuar për vizionin e opozitës për të ardhmen e vendit

22 Mars 2012, 23:02Politika TEMA

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, komenton gjatë një interviste në Top Story vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke theksuar se në SHBA ishin të interesuar për programin dhe vizionin e opozitës për demokratizimin e vendit. Rama tha se Berisha ka përdorur lobingjet për të dëmtuar imazhin e kreut të PS. Sipas Ramës, opozita nuk paguan askënd për lobim, por përdor kontaktet e drejtpërdrejta. Ai tha se ambasadori Arvizu ishte katalizatori i përshpejtimit të kësaj vizite në SHBA. Më poshtë pjesë nga intervista.

 

Për festimet e 22 marsit

Nuk e di si janë ndjerë ata pensionistë që kanë ditë të tëra pa marrë pensionet kur kanë dëgjuar fishekzjarret. Është një ndjenjë negative që Shqipëria e 100 vjetorit të pavarësisë bën një festë përçarëse, si ato festa që bëhen aty ku partia në pushtet qëndron e palëvizshme në pushtet.

 

Për përdorimin e Twitter

Twitteri është një mjet komunikimi që e ka sjellë koha e re. Është efikas, pa kosto, që të jep mundësi të përcjellësh në kohë reale mesazhet që ke ndërmend të përcjellësh dhe që falët interesimit të medias përcillesh në gjithë kanalet e komunikimit.

Ky mjet komunikimi përdoret nga politikanë shumë më të mëdhenj nga unë si presidenti i SHBA, presidenti i Francës. Unë mendoj se kryeministrit do i duhet Twitter.

 

Për takimet në Uashington

Në Uashington u takuam me zv/asistentin e Sekretarit të Shtetit ambasadorin Riker dhe stafin e tij si dhe me një grup kongresmenësh, me të cilët këmbyem mendime dhe opinione të rëndësishme për gjendjen në Shqipëri dhe për programin tonë, që konstatova me kënaqësi që ka ngjallur interes dhe dëgjohet më vëmendje.

 

Për ftesën ndaj kryetarit të opozitës

Nuk është anormale që të ftohet kryetari i opozitës. Është një dëshirë e mirë për të dëgjuar opozitën se si e shikon ajo të sotmen, por sidomos të nesërmen e vendit. Cili është vizioni ynë për Shqipërinë, rajonin, partneritetin me SHBA, të gjitha këto në funksion të integrimit të shpejtë të Shqipërisë në BE.

Për atë që u diskutua në Uashington

Pa dyshim në Uashington dhe në DASH vështirë që të ketë gjëra që nuk i dinë për zhvillimet në Shqipëri. Por takimi ishte i një rëndësie të dorës së parë pikërisht se na u dha mundësia që të shpalosim vizionin tonë për një Rilindje Shqiptare dhe të tregojmë hapat që kemi vullnetin e plotë të ndjekim në funksion të përshpejtimit të integrimit.

 

Për faktin se a është tani opozita më pranë pushtetit

Pa dyshim që është moment i rëndësishëm për opozitën kontakti i drejtpërdrejtë me zyrtarët e lartë të qeverisë amerikane që janë përgjegjës për rajonin dhe Shqipërinë. Prandaj them se ishte një takim shumë frymëzues për ne.

Gjetëm një klimë të shkëlqyer, një pritje dhe një dëshirë shumë e lexueshme për të na dëgjuar deri në fund për të gjitha aspektet e rëndësishme të jetës së vendit, sidomos me mënyrën se si ne e shohim të ardhmen dhe se si mendojmë ta projektojmë atë bazuar në programin e vullnetin tonë.

 

Për qëndrimet që mban SHBA e opozita për 21 janarin

Unë mendoj që takimi që patëm në DASH nuk patëm asnjë diferencë qëndrimesh, nëse mund të them diçka nga ai takim, është fakti se viti 2011 nuk duhet të përsëritet më si një vit që ishte traumatik duke nisur nga 21 janari e duke vazhduar me zgjedhjet shumë të kontestuaka dhe njëkohësisht shumë të diskutuara në 8 maj.

Nuk kemi folur për asnjë detaj të 21 janarit. Karakteristika themelore e këtij takimi ka qenë vullneti ynë për të parë përpara si dhe interesi i partnerëve tanë strategjikë që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur. Është fakt që pas anëtarësimit në NATO gjërat nuk kanë shkuar në drejtimin e duhur.

 

Për qëndrimin e SHBA dhe të opozitës për rajonin

SHBA kanë mbajtur rolin e një fuqie madhore të interesuar në radhë të parë për stabilitetin në këtë rajon dhe për gjetjen e rrugëve të arsyeve për të dalë nga këto kriza që shpesh herë e kanë ndryrë Shqipërinë.

SHBA dhe Shqipëria janë një. Edhe po të shohim historinë e këtyre viteve, së paku në aspektin e politikës rajonale, me ndonjë deviacion në lidhje me opozitën e mëparshme për luftën e Kosovës, politika shqiptare ka pasur një unison me politikën amerikane që do të vazhdojë. Kishte qëndrime të papëlqyeshme për qëndrimin e mbajtur nga Berisha për marrëveshjen e Rambujesë dhe periudhën e formimit të UÇK-së.

 

Për disa dyshime se SHBA është skeptike ndaj Edi Ramës

Më lejoni t’ju them se në partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe me përfaqësuesit e tyre këtu unë jam ndjerë mirë për shkak se gjërat janë thënë hapur, drejtpërdrejt dhe me mirëbesim. Mënyra se si SHBA-të i janë qasur Shqipërisë dhe palëve këtu është e vetmja mënyra që mund të ketë një fuqi madhore që ka luajtur një rol historik për Shqipërinë. Pa SHBA rajoni ynë nuk do ishte ky që është sot, nuk do kishte Kosovë të lirë dhe të pavarur, nuk do kishte një Serbi demokratike, që është pranuar si kandidate e BE, pa SHBA nuk do kishte më shumë të drejta për shqiptarët në Maqedoni. Pa SHBA edhe vetë demokracia në Shqipëri, pavarësisht problematikave, nuk do ishte kjo që është, pavarësisht se është krahasuar me vitet e tmerrshme 1992, 1996, 1997.

 

Për qëndrimin e SHBA për zgjedhjen e presidentit

Qëndrimi amerikan është ai që është bërë publik nga ambasadori Arvizu dhe është një qëndrim që flet qartë për dëshirën që Shqipëria të kapërcejë procesin e zgjedhjes së presidentit si një provë pjekurie, që mund t’i japë vendit një figurë të unitetit kombëtar. Edhe sa i përket BE-së zgjedhja e presidentit do jetë moment vendimtar për të gjykuar nivelin e pjekurisë së klasës politike. Është e qartë se një president i zgjedhur nga qeveria nuk do ishte shprehje e një pjekurie politike.

 

Për faktin se a u fol për Berishën në Uashington

Ne nuk folëm për kryeministrin Berisha, ne folëm për programin tonë, për vizionin tonë për të ardhmen, për mënyrën se si ne e shohim të mundshme që Shqipëria të ringrihet dhe të rikthehet në rrugën e atyre parimeve që mishërojnë Shtetet e Bashkuara. Ne konfirmuam vullnetin tonë për të qenë aleatë të palëkundur dhe një qeveri që do mishërojë vlerat e parimet e SHBA në funksion të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, në funksion të një politike e cila të mbyllë kapitullin e ndasisë së gjatë dhe këtij mllefi të pafundëm që gjeneron energji negative në pafundësi dhe për t’i hapë rrugën një politike të re.

As unë dhe as PS nuk kemi rënë përgjithësisht në batakun e vulgaritetit dhe shpifjeve e sharjeve që turpërojnë politikën dhe neverisin qytetarët dhe që besoj se nuk janë as në traditën shqiptare, por janë zgjatim i kulturës komuniste për armikun e brendshëm.

 

Për frikën se Rama mund të mos pritej mirë

Si të mos ketë paragjykime kur në mënyrë konstante e të përditshme investohet para e influencë për propagandë kundër opozitës dhe kundër meje personalisht e duke bërë një përpjekje titanike për të krijuar idenë tek shqiptarët se janë të gjithë njësoj. Sot Berisha nuk del përpara shqiptarëve me duar të pastra. Sot kjo qeveri i ka duart e zhytura deri në rrëzë në batakun e llumin e korrupsionit. Ajo që i ka mbetur të thotë është se djalli që njihni është më i mirë se djalli që nuk njihni.

Për tu kthyer tek takimi i Universitetit të Nju Jorkut do them se ishte mbresëlënës. Për mua ishte befasi se për rreth dy orë, ku u bënë rreth 50 pyetje, bënë pyetje që lidheshin drejtpërdrejt me zgjidhje. Kërkuan të dinë deri në detaje se cili është programi ynë për Rilindjen Shqiptare.

 

Për programin e sportit

Ne takuam një kongresmen të famshëm si ish- yll i futbollit amerikan, që ishte i pasionuar për politikat e sportit, për sportin ashtu siç e kuptojmë ne për tu dhënë mundësi fëmijëve që të përfshihen në të, për sportin si instrument për të luftuar të gjitha ato vese, por edhe si instrument për të ulur kostot e shërbimit publik në shëndetësi.

 

Për zgjedhjet parlamentare

Për këtë arsye pika themelore për aktualitetin ka qenë reforma zgjedhore. Edhe partnerët amerikanë e konsiderojnë reformën zgjedhore si një moment kyç ku duhet të jepen garanci se vota e shqiptarëve është e sigurt.

 

Për rolin e Arvizu në këtë vizitë

PS nuk ka asnjë kontratë lobimi sepse i besojmë kontaktit të drejtpërdrejtë dhe na mjaftojnë lidhjet me një numër kongresmenësh e senatorësh që janë të interesuar për rajonin e Shqipërinë. Arvizu ishte katalizatori i zhvillimit të shpejtë të kësaj vizite. Nuk u takuam fizikisht pasi i duhej të ishte pranë familjes, por kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe ishte i kujdesshëm që gjërat të shkonin mirë dhe shkuan shumë mirë.

 

Për qëndrimet e Withers

Ambasadori Withers është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është për të ardhur keq që një pjesë e vogël e atyre që jetojnë në Shqipëri, sepse unë jam i bindur se shumë nga ata që votojnë PD e respektojnë atë. Me shumë vullnet ai ka shtrirë dorën ndaj të gjitha palëve pa dallim.

 

Për vizitën e Bashës dhe Spahiut në Uashington

Do kisha bërë komente nëse do kishte shkuar kryeministri në Uashington. Sa u përket të tjerëve, janë të lirë të shkojnë ku i ftojnë ose janë të paftuar. Për këtë çështje nuk kam dëshirë të spekuloj.

 

Për faktin se a ka Gramoz Ruçi mbështetjen e Edi Ramës

Ka një sulm të vazhdueshëm ndaj meje dhe ndaj Gramozit dhe ndaj kujtdo që bëhet problematik për qeverinë. Ajo që dua të them është kjo: Gramoz Ruçi është i vetmi ministër i Brendshëm i republikës së Shqipërisë që mund t’u thotë shqiptarëve se ka garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Presidenti Ramiz Alia ka humbur zgjedhjet në mes të Tiranës dhe po të ishte Gramozi ai i njëqind të zezave, nuk mund të shpëtonte fytyrën e Ramiz Alisë dhe të përmbyste rezultatin në mes të Tiranës? Ndërkohë që Gramoz Ruçi pas atij momenti në karrierë nuk ka mbuluar asnjë post në qeveri, por ka qenë një qeveri në radhët e grupit të PS, gjithmonë i votuar nga populli.

6 komente në “Edi Rama: SHBA, e interesuar për vizionin e opozitës për të ardhmen e vendit”

  1. Va..Ka. says:

    Edi bej kujdes se ne qe mbeshtesim forcat progresiste ne Shqiperi dmth edhe ty,nuk jemi as nga Bathorja dhe as shpellare qe te genjehemi kollaj, e cpaske takuar zv\asistentin e eeee vari leshin sukses i madh,nejse Shqiperi hesapi sa nje lagje e Nju Yorkut eshte nuk ja var njeri .

  2. CIU-CIU-CRRRRRRRR says:

    EDHE UNE JAM ME JU OR EDI SE SHBA-TE JANE TE INTERESUAR CE PARTIA PUNES TE SHQIPERIS TA MARRE PUSHTETIN NE SHQIPERI KRYEMINISTER TE JENI JU

    1. byth-byth-bythththth says:

      Maje veten to or cuni dylberes, mos i jep shum sumes, se ska manall qe tve masnej, mylle pak turren boju i ngusht se tu cicrru po na cicrrro ne nga posht. Boj pregatitjet per paraden se erdhi dita.

  3. buni says:

    Akoma me rotacionet e bijave te partise se punes do te ecim akoma ne o njerez, dhe ju o gazetare qe, jeni me shume bashkefajtore se keta politikane qe, asnje shprese te vertete nuk po i afroni ketij vendi.
    Pd-PS jane e njejta gje, nese se kemi kuptuar deri tani, eshte fatkeqsia jone si popull qe te vazhdoje akoma e njejta melodi. Deri tani asgje e mire nuk duket ne horizont qe te kemi nje levizje e cila mos te jete bishti apo zgjatimi i dy te parave.

  4. Dea Dermeni says:

    Rama: Shqipëria nevojë për ndryshim të qeverisjes

    nga.R.M.

    Ditën e premte, 16 Mars 2012, komuniteti shqiptaro-amerikan në Diasporë, me pjesëmarrjen e mbi 200 vetave, pati një bashkëbisedim interesant për gati tre orë, me liderin e opozitës shqiptare, Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në një nga sallat e Universitetit të NewYork-ut, Manhatten, sallë që ishte e mbushur me energji pozitive për nga vizioni, inteligjenca dhe qytetaria që karakterizonte bashkëbiseduesit. Edi Rama në këtë takim shoqërohej nga Erion Veliaj dhe në sallë gjithashtu ndodhej edhe Anastas Angjeli. Takimi filloi me pak vonesë për shkak të axhendës së ngarkuar të Z. Rama, i cili më parë kishte takuar drejtuesit e Këshillit Shqiptaro-Amerikan NAAC dhe Përfaqësuesin e FMN për Shqipërinë. Takimi ishte i hapur, ku nuk mungonin figura të njohura për oponencën e fortë ndaj qeverisë aktuale, si Gary Kokalari, juristë, ekonomistë, studentë, të persekutuar politikë, gazetarë e të tjerë, të cilët kishin konfirmuar pjesëmarrjen para disa ditësh nëpërmjet Mr. Chris Boëman.
    Takimi i Ramës në NewYork

    Shumë pjesëmarrës kishin udhëtuar nga Connecticut, NewJersey, Filadelfia dhe Tree State Area! Veçmas ajo që binte në sy ishte; përqindja më e madhe e pjesëmarrësve ishin të rinj e studentë, të ardhur shumë të rinj në moshë, apo brezi i dytë në Amerikë, që kanë studiuar e studiojnë në Amerikë, por që aspirojnë e shpresojnë që pasi të diplomohen të vijnë e kontribuojnë në Shqipëri. Me një hyrje të qeshur, modeste e të përzemërt z.Rama hyri në sallë dhe takoi duart me bashkëkombasit. Mbas prezantimit të figurës së Rama, audiencës, nga një studente e huaj e universiteti respektiv,-fjalën do e merrte vetë z. Edi Rama i cili bëri një requiem homazh të viktimave të Gërdecit , për drejtësinë e munguar e të korruptuar që nuk dha drejtësi për viktimat. Tregoi për vizitën e tij në familjen Durda dhe dhimbjes të shumëfishuar që gjeti në atë familje. Më pas Edi Rama bëri një paraqitje të shkurtër të realitetit shqiptar të ngërthyer keqas nga korrupsioni e babëzia e partisë në pushtet dhe shpalosi programin e forcës që ai drejton, vizionin e tij për ndryshimin e qeverisjes në vend. Me një audiencë mjaft të përshtatshme në formë e përmbajtje, takimi do të dominohej nga një debat i gjallë, i lirshëm e i komunikueshëm, me shumë pyetje rreth programit për një Rilindje shqiptare e dëshirë për ndryshim. Një i burgosur politik për njëzet e pesë vjet në burgjet e diktaturës, vëllai i Sadik Premtes, Z.Lepenica, i kërkoi liderit opozitar, Rama, që të garantojë demokracinë në Shqipëri dhe në zgjedhjet e ardhshme duhet të sjellin ndryshimin; Gary Kokalari i mëshoi pyetjes se si do të veproni ju personalisht z Rama, si Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë për të zhdukur këtë korrupsion që ka zaptuar vendin; juristi Gentian Mullaj, tha se kontratat koncesionare janë të papranueshme dhe se PS duhet t’i rishohë ato patjetër. Shkrimtarja dhe gazetarja e pavarur Raimonda Moisiu bëri pyetje në lidhje me krimin që ka ngërthyer keqas vendin në shoqëri, familje e veçmas ndaj grave, shteti aktualisht është spektator e dhuna shtohet nga dita në ditë, dhe dëshironte të dinte se cilat janë masat që do të marrë qeveria e ardhshme socialiste për të zbutur sado pak krimin.

    Bashkëbisedimi

    Një studente nga Shkodra theksoi se Shqipëria ka nevojë për një program të ri zhvillimi dhe për një qeveri që të mos prekë institucionet e pavarura, ndërsa një i ri që punon në një studio investimesh theksoi domosdoshmërinë e arsimit profesional, s’do ketë forca të kualifikuara për investime prodhuese në Shqipëri. Një vajzë shqiptare e cila u prezantua se ishte brezi i dytë shqiptar e lindur në Amerikë, aktiviste e fushatës të Presidentit Obama, shprehu shqetësimin e saj se sistemi shëndetësor tek ne duhet të rithemelohet nga e para. Pyetje bënë z. Endri Bida, se çfarë do të bëhet konkretisht e aktualisht, ku ;votat vidhen, gjyqësori i kompromentuar, vriten gjyqtarë, pronat, parlamenti shkel kushtetutën, qeveria aktuale po ashtu etj. Pyetje bënë studentja Ilirian Sana, Astrit Hysa, Vasil Gjika, gazetari Alban Dega etj. Komunikimi lejohej vetëm në gjuhën angleze, jo vetëm se ashtu e kërkonte policia e NewYork University, por siç e theksova më lart, përqindja më e madhe e bashkëbiseduesve ishin të rinj e studentë që studiojnë e punojnë në SHBA. Pyetjet ishin vërtet interesante, po ashtu edhe përgjigjet e z. Edi Rama, me një anglishte të rrjedhshme e të admirueshme ku në cdo përgjigje parashtroi vizionin për ndryshim dhe domosdoshmërinë për Rilindjen Shqiptare!Mbas tubimit, z.Edi Rama, Kryetari i Partisë Socialiste bëri foto të shumta me pjesëmarrësit, shtrëngim duarsh dhe nënshkroi autografë në librin “Kurban”, që disa studentë i patën blerë në Shqipëri, por nuk kishin patur fatin të merrnin një autograf nga autori. Jashtë ambientit të NewYork University, Edi Ramën e pritën shumë bashkëkombës, ku u dëgjuan thirrje emocionuese “God bless Edi Rama!-apo -Edi Rama –Ti je shpresa e shqiptarëve që Shqipëria të rilindë. Dje Edi Rama dhe ata që e shoqërojnë u nisën drejt Uashingtonit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje