Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së dënojnë ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Ne nuk jemi të befasuar nga këto gjëra që i bën Serbia sepse ajo ka qenë, është dhe siç po shihet, do të mbetet edhe për një kohë të gjatë, shtet kriminal. Serbia ende iu ka borxh shqiptarëve tokat që i mban nën okupim. Përcaktimi i Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së do të jetë gjithnjë i orientuar drejt bashkimit të shqiptarëve në një shtet”, thuhet në një reagim të Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së.
Kjo Organizatë kërkon nga përgjegjësit e sigurisë, KFOR-i dhe Qeveria, që të rrisin kapacitetet e veprimit në pikat kufitare, me qëllim që ato të jenë sa më funksionale dhe të mos lejohen në asnjë mënyrë veprime të tilla poshtëruese.
“Kërkojmë nga spektri politik shqiptar, të jetë i matur dhe të angazhohet bashkërisht në tejkalimin e situatës, e jo të bëj lojëra fjalësh, për të krijuar situata që do t’i shkojnë për shtati vetëm Serbisë dhe politikës së saj dinake e armiqësore”, thuhet më tej në reagim.
“Duke qenë në gatishmëri gjithherë për mbrojtjen e interesave kombëtare, ne shpresojmë se policët do të lirohen dhe urojmë që incidente të tilla të mos përsëriten”, thuhet në fund të reagimit. /Zëri/