Me tetë punëtorë e pesë vetura dhe asnjë punë

20 Prill 2012, 10:41Rajoni TEMA

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten raportin e punës së Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) për vitin 2011, ani që ai ka dëshmuar një performancë dukshëm më të dobët vjet, krahasuar me atë të një viti më parë, kur kanë qenë të përfshira edhe tri vendimet e mëdha në drejtim të ndalimit të veprimeve që çrregullojnë konkurrencën në tregun e vendit. Vitin e kaluar raporti pak më i mirë se i këtij viti nuk qe miratuar nga Kuvendi.

Mosmarrja e vendimeve për gjoba përmendet edhe në raportin e punës për vitin 2011 të këtij institucioni, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta. Te pika gjashtë e këtij raporti, ku flitet mbi zhvillimet kryesore të aktivitetit të konkurrencës, shkruan se “viti 2011 ka shënuar një rritje të aktivitetit tek Autoriteti i Konkurrencës për sa i përket numrit të rasteve dhe kompleksivitetit të analizave të hetuara, por masa të ndëshkimeve nuk kemi shqiptuar”.

Si punë e mirë, është përmendur draftimi i akteve nënligjore dhe arritja e memorandumeve të bashkëpunimit me institucione vendore dhe jashtë vendit, si dhe disa rekomandime që u janë drejtuar disa bizneseve.

Komisioni ka ushtruar veprimtarinë pa dy anëtarë të Bordit, të cilëve u ka skaduar mandati trevjeçar dhe ata ende nuk janë riemëruar, apo zëvendësuar me të tjerët.

Në anën tjetër, aty janë të punësuar edhe pesë anëtarë të tjerë, si staf mbështetës civil, që ndryshe është emërtuar si “sekretariati”.

Ndërkaq, shpenzimet e bëra nga ky grup punëtorësh arrijnë në afro 200 mijë euro në vit. Më së shumti shpenzime janë bërë për paga dhe mëditje,  për çka është shpenzuar pothuajse gjysma e kësaj shume.

“Mbi 90 mijë euro të buxhetit janë shpenzuar për paga dhe mëditje që u janë dhënë tetë punonjësve të këtij institucioni”, shkruan në raport.

Të tjerat janë shpenzuar për mallra dhe shërbime. Kjo pasi që këta tetë punëtorë kanë pasur në dispozicion pesë vetura zyrtare, të cilat janë blerë secila nga afro 25 mijë euro. E për karburante të tyre u harxhuan mbi 20 mijë euro gjatë vitit, ndërsa për regjistrimin, sigurimit dhe mirëmbajtjen e tyre u shpenzuan edhe afro 6 mijë euro të tjetra të buxhetit. Kurse për udhëtimet zyrtare jashtë vendit, duke përfshirë këtu edhe biletat, bazuar në raport, janë shpenzuar mbi 35 mijë euro gjatë vitit.

Gazeta, pas një hulumtimi që ka bërë kohë më parë, pati raportuar se anëtarët e AKK-së  i kanë pasur në shfrytëzim 24 orë veturat zyrtare, secili nga një për vete. Për çdo rast aty e kanë edhe një shofer. Pagat e këtyre zyrtarëve janë mbi 800 euro. Me gjithë këto lukse gjatë tërë vitit ata nuk kanë nxjerrë asnjë vendim për gjoba, siç obligohen me ligj. Për tre vjet sa funksionon Autoriteti i Konkurrencës, vetëm gjatë vitit 2010 i ka sjellë tri vendime për gjoba, kurse më 2011 asnjë, sepse siç kanë thënë zyrtarët e këtij organi të Kuvendit s’kemi pasur staf ndihmës administrativ i cili duhet të bëjë hulumtime dhe të hartojë draftvendime./KD

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje