Punojnë e fitojnë në Kosovë, por s’paguajnë tatim

23 Prill 2012, 10:30Rajoni TEMA

Drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës, që mburren se kanë ulur në më pak se 30 për qind evazionin fiskal, kanë zgjedhur të mos flasin shumë kur janë në pyetje tatimet që duhen paguar edhe nga organizatat ndërkombëtare që punojnë e fitojnë në Kosovë. Madje, edhe duke e ditur mirë sesa është numri i tyre dhe cilat janë ato.

Në një dokument zyrtar të ATK-së, të cilin e posedon “Koha Ditore” shkruan se në Kosovë janë 698 organizata ndërkombëtare, të cilat janë jodeklarues tatimesh.

Ky institucion, bazuar në letrat e veta zyrtare, është në dijeni se ato janë në mesin e gati  dhjetë mijë bizneseve të identifikuara, të cilat s’kanë paguar kurrë asnjë cent tatim për shtetin. Ato janë “makineri” e evazionit fiskal, të cilin kreu i ATK-së, Behxhet Haliti, e quan “hendek tatimor”, duke thënë se është zvogëluar në masën më të madhe të mundshme, madje edhe më shumë se sa vendet e rajonit.

Duke iu referuar rezultateve që ATK-ja dhe Doganat kanë treguar gjatë gjithë vitit të shkuar në mbledhjen e të hyrave, Haliti ka pohuar se “me vetë faktin se ATK-ja dhe Doganat vitin e kaluar kanë grumbulluar 20 për qind mjete më shumë se vitin paraprak, kjo tregon se ne kemi arritur të zvogëlojmë rreth 10 për qind hendekun tatimor”.

E nga ky hendek tatimor-evazion fiskal, që sipas tij “është vështirë të matet”, sillet rreth 30 për qind në vendet e rajonit, e ku përjashtim nuk bën as Kosova.

“Por, edhe pse është kështu, sipas analizave që janë bërë brenda ATK-së, Kosova vjet ka shënuar evazion fiskal nën 30 për qind, që është një sukses”, është shprehur Haliti.

Duke mohuar deklarimet publike, se ky evazion arrin në 40 për qind, kreu i institucionit të taksave pohon se deri tani në Kosovë nuk ka pasur ndonjë studim të plotë në këtë drejtim.

“Ka pasur tentativa për të matur drejt evazionin fiskal, por nuk janë marrë të gjithë indikatorët e mundshëm që do të reflektonin gjendjen reale të tij, kështu që ne në bazë të matjeve tona kemi konstatuar se ai ka zbritur vjet nën 30 për qind”, ka pohuar Haliti. “Ne nuk e mohojmë se ka evazion dhe se mund të mblidhen më shumë tatime”.

Por, kur është pyetur se si u bë që ATK-ja të jetë në dijeni se pjesë e këtij evazioni fiskal janë bërë edhe qindra organizata ndërkombëtare dhe për këtë është në dijeni edhe ATK-ja, duke i identifikuar ato, Haliti nuk i ka mohuar këto të dhëna, por përgjigjet se çdo vit po rritet numri i deklaruesve individualë për të paguar taksat ndaj shtetit.

“Në ATK deri në 2011 janë të regjistruar 13 mijë persona fizikë, që deklarojnë dhe paguajë tatimet në faza të caktuara, dhe ne, në mars të vitit të shkuar për herë të parë ua kemi dhënë numrat fiskalë të gjithë të punësuarve në Zyrën Amerikane dhe në USAID,  për të paguar tatimet”, ka thënë Haliti .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje