Nis gara për kreun e FRESSH. Rama: Pa ndryshuar politikën, asgjë s’do ndryshojë për ju

5 Maj 2012, 21:48Politika TEMA

Rama tha para të rinjve se dëgjon shpesh njerëz që thonë se nuk duan t’ia shohin bojën politikës. “Por sa më pak njerëz të zakonshëm merren me politikë, aq më shumë i vuajnë mbi shpinë mëkatet e saj”, tha Rama. Ai tha se të rinjtë që merren me politikë, nuk e pranojnë realitetin që i rrethon

 

Të rinjtë e FRESSH u mblodhën të shtunën në kodrat e liqenit në Tiranë, nga ku shpallën nisjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri të forumit eurosocialist. Fituesi do të shpallet më 12 qershor, për të përkujtuar edhe themelimin e forumit.

Përpara të rinjve, Rama mbajti një fjalim interesant, duke u kërkuar të rinjve të mos e përbuzin politikën, por të angazhohen në të. Rama tha se asgjë nuk ndryshon pa ndryshuar politikën.

“Fatkeqësisht, politika nuk ka munguar asnjëherë në gjithë këto vite t’ju japë shembullin e keq, mësimin e gabuar, modelin më të mbrapshtë të të jetuarit e të bashkëjetuarit në kushtet e botës së mundësive të pafundme ku jetojmë pas përmbysjes së diktaturës 22 vjet më parë. Por, pa ndryshuar politikën asgjë tjetër s’do ndryshojë dot për ju e për Shqipërinë e të gjithëve që sot ka mbetur në vend dhe është bërë vend padrejtësish të përditshme. Duke u bërë pjesë e Partisë Socialiste ju keni guxuar ta shihni politikën me sytë e ëndrrave e të shpresave tuaja dhe i keni dhënë Forumit Rinor Eurosocialist një energji të re për të fituar dhe për të rilindur Shqipërinë përmes një politike të re,” tha Rama.

“Unë e dëgjoj shpesh, siç edhe ju dëgjoni shpesh, njerëz që thonë nuk merrem me politikë apo më keq, s’dua t’ia dëgjoj zërin dhe as dua t’ia shoh bojën politikës. Por, harrojnë se sa më pak njerëzit e zakonshëm të merren me politikën, aq më shumë ata janë të dënuar t’i vuajnë në kurrizin e tyre mëkatet e gabimet e saj,” vijoi Rama.

Kreu i PS tha se të rinjtë që merren me politikë, nuk e pranojnë realitetin që i rrethon.

“Politika ka lindur për t’u dhënë njerëzve mundësinë që të bëjnë të mundura gjëra të cilat të vetëm njerëzit nuk i bëjnë dot. Të merresh me politikë si njeri i zakonshëm do të thotë të dëgjohesh si qytetar i barabartë me ata që të përfaqësojnë. E drejta e fjalës është shprehje e një lirie jetike, por është e mangët pa të drejtën për t’u dëgjuar. Sepse mund të flasësh e të flasësh, por kur askush nuk të dëgjon jo vetëm asgjë nuk ndryshon, po dëshpërohesh. Të merresh me politikë sot në moshën tuaj, do të thotë të mos e pranosh realitetin përreth ashtu siç ta imponojnë, po të kontribuosh për të imponuar me zërin e shumicës ndryshimin që njësoj si ty shumica dëshiron dhe meriton. Të merresh me politikë s’do të thotë medoemos të bëhesh një ditë politikan, por të bëhesh një qytetar i dobishëm për vendin e për familjen tënde. Sot dhe nesër. Kjo është të merresh me politikë, e në rast se ka një rrugë për të arritur ndryshimin që duam kjo rrugë është që të bëhemi sa më shumë. Që sa më shumë si ju dhe bashkë me ju të përfshihen në këtë rrugë duke mos e pritur ndryshimin që të vijë një ditë në shtëpi, të trokasë dhe t’ju zgjojë nga gjumi, sepse kjo nuk ndodh. E, në fund të fundit të merresh me politikë do të thotë të jesh më shumë se sa njeri i mirë. Do të thotë të jesh edhe një qytetar i mirë,” tha Rama

 

 

Kandidatët për kreun e FRESSH dhe qëndrimet e tyre

 

Artur Micko

Kjo Shqipëri e përbaltur nga pushtetarët makutë, nga politikanët miopë e mendjeshkurtër, nga tarafet e dallaveret, mashtrimet e trillimet, vjedhjet dhe vrasjet, nuk mund të jetë Shqipëria ime dhe e as Shqipëria jonë! Prandaj jam sot këtu, për tu bërë pjesë e kësaj gare, teksa jam krenar që një proces i tillë transparent garimi nuk ka ndodhur ndonjëherë në skenën politike Shqiptare! Por kujdes! Unë nuk jam në garë me kolegët e mi! E as ata me mua! Ne Jemi në një garë shumë më të madhe. Jemi në garën për zemrën, mendjen, idetë, shpresat dhe vizionet e gjithë të rinjve e të rejave shqiptare.

Elisa Spiropali

Ne kemi të gjitha arsyet për tu marrë me politikë. Të rinjtë shqiptarë përballen në çdo hap, çdo ditë dhe kudo me një sistem ekonomik, arsimor dhe social të mbrapshtë. S’ka punë, s’ka perspektive, s’ka meritokraci, s’ka konkurrencë të lirë, servilizmi ka zënë vendin e ndershmërisë, nepotizmi vendin e meritës, mediokriteti vendin e talentit, kokëulja vendin e krenarisë, konformizimi vendin e qëndresës. Qytetet, qytezat dhe fshatrat tona janë mbushur më lojëra fati dhe bingo ku kalojnë kohën dhe humbin veten të rinjtë shqiptarë të dëshpëruar nga mungesa e perspektivës. Le të bëhemi bashkë për t’i thënë ndal këtij modeli dhe për të krijuar një model të ri për Rilindjen Shqiptare.

Erlis Hoxha

Qëllimi ynë i përbashkët është që NE të rinjtë, të bashkojmë të gjitha energjitë për të  ndalur  keq qeverisjen e vendit dhe për të sjellë Partinë Socialiste në krye të punëve të këtij vendi.

Gara elektorale është afër. Ne do ta mundim PD-në. Socialistët do të fitojnë. Ndaj, të gjithë të rinjtë, të gjithë ata që e duan dhe përkushtohen për vendin e tyre, të gjithë  ata që besojnë se Shqipëria meriton të qeveriset më mire, duhet të bashkohen sa më parë. Nuk kemi kohë për të vonuar më ëndrrën tonë për një Shqipëri Evropiane.

Joleza Koka

Dua të falenderoj të gjithë të rinjtë e mbledhur sot këtu nga e gjithë Shqipëria për kohën qe po na kushtoni.  Të gjashtë në do tua kthejmë së shpejti vizitën duke ardhur në qytetet tuaja, do të vijmë në të 36 qytetet për të përjetuar një muaj të paharrueshëm. Një muaj që do të tregojë që ne të gjithë së bashku mund të arrijmë gjithçka. Është e padiskutueshme që në 2013 kryeministër i Shqipërisë do të jetë një artist. Unë jam Joleza Koka, një artiste, kandidate për kryetare FRESSH-i.

Juxhin Çela

Unë nuk dua të drejtoj FRESSH-in për të bërë para, për tu bërë i njohur apo për 1001 arsye që shumë njerëz mund ti mendojnë gjatë këtyre ditëve, unë kërkoj ta drejtoj FRESSH-in, atë FRESSH i cili në të shkuarën ka ndërmarr pafund aksione për ndryshimin e këtij realiteti, me qëllim e vetëm që të përballem me këtë realitet dhe ta ndryshoj, këtë realiteti që po na e bën të pamundur një jetesë normale. Mua s’më ka pëlqyer asnjëherë politika por sot kam vendosur ta drejtoj FRESSH-in për tu përballur me këtë realitet dhe ato forca që po e shkatërrojnë këtë vend. Unë kam lindur në mes të Europës dhe nuk mund të pranoj që asnjë forcë të më dhe me mbështetjen tuaj ne mund tja dalim.

Maria Myridinas

Do të më pëlqente jashtëzakonisht shumë ta merrja përsipër këtë detyrë për të treguar se çfarë unë dhe ju mund të arrijmë.

Tani, do të doja t‘ju bëja një pyetje dhe do të dëshiroja që të më përgjigjeshit të gjithë njëzëri:”Pavarësisht se kush e fiton këtë gare, a jeni gati ju që në zgjedhjet e ardhshme ta nxjerrim Sali Berishën në pension?”

“A jeni gati ju, që ti kthejmë Shqipërisë vlerat e munguara për një Shqipëri ashtu siç e meriton me të vërtetë të jetë?”

Sepse unë jam gati për një Rilindje Shqiptare!!

16 komente në “Nis gara për kreun e FRESSH. Rama: Pa ndryshuar politikën, asgjë s’do ndryshojë për ju”

  1. Fiqiri Xibri says:

    Per kandidaten M.Myridinas
    Pjesa e dyte e pyetjes se nxjerrjes ne pension te saliut, nuk do duhej te mungonte: «A jeni ju gati qe te ndertojme nje shtet dhe nje drejtesi, qe do njohin dhe zbatojne detyrimin per te çuar ne banken e akuzes pergjegjesit e vertete te 21 janarit, te gerdecit, te shitjes se detit, te konçensioneve korruptive, etj. ?
    Nuk mund te kete Rilindje Shqiptare ne bashkejetese me pandeshkueshmerine e boseve te politikes, ekonomise dhe mafias.

  2. Faslliu says:

    Me i pote,dhe me i kuptueshem mua me duket Erlis Hoxha,urime per fitore.

  3. ani says:

    Elisa Spiropali eshte si nata me diten ne krahasim me keta “kandidatet”. Keta s’kane asnje kontribut, as njihen kush jane. Pervec Erlisit qe ka qene ne Fressh.

  4. bledi says:

    Keta te gjithe bashke se bejne nje Spiropal hahahaha

  5. War & Peace says:

    Kjo gare me ngjason me garen per kryetar te Tiranes , ku dihej shume mire se kush do ta fitonte , por per te bere nje show mediatik per popullin u zhvillua gara. Spiropali ka rreth 2 – 3 vjet qe ka qene e komanduar ne krye te Fressh , pra gjithcka eshte parapregatitur thjesht tani duhen nje pale zgjedhje qe te behet zyrtare dhe disa te tjere qe gjoja po konkurojne , por qe jane te djegur qe ne hyrje. Demokraci e kulluar ashtu sic ben Saliu zgjedhjet brenda PD-s.

  6. andi says:

    Kujt i sherben nje shw me emra qe askush nuk e di kush jane pervec Spiropalit?Kjo eshte me demek politika e re?Kenaquni me luge bosh.Spiropali do fitoj dhe duhet te fitoj?

    1. Tani says:

      Ne demokraci ka gare dhe fitues te vete percaktuar para kohe apo me hamendje se i madhi me mbeshtet, NUK MUND TE KETE. Le te lihen te rinjte te lire te zgjedhin vete. Zonjush Spiropali nuk eshte e vetmja dhe e fundit. Me ka bere pershtypje edhe Kandidati Erlis Hoxha, me shum kontribute ne PS, dhe i sa degjova ne TV fjalimin e tij ishte rritur ne PS. Mos kjo tregon qe me te vertet eshte dikush qe eshte pretedenti real??

  7. anticensurë says:

    përveç Artur Micko të tjerët e kanë bërë prezntimmin me të njëjtën shprehje!
    “tralala zura një galë”!

  8. gerton says:

    Fjalimi i Spiropalit perle, por kujdes Spiropali mos bini ne hipokrizi si parti se dhe ca nga kandidatet qe kane vene aty nga rrjetat ne nepotike vijne…Respekte per ju!

  9. Ina25 says:

    Cfare komentesh koti qe lexova ketu.Mbase per njerez qe s’kane lidhje me te majtet keta te rinj jane emra te padegjuar,po per ata qe e njohin PS dhe FRESSH,keta te rinj jane aktiviste te rregullt.
    Uroj mos te fitoje kryetarja e tanishme,per vete faktin qe FRESSH ka qene ne hije dhe s’i eshte ndjere zeri fare keto vite.

  10. endrit says:

    Spiropali eshte me e mira! Jo vetem nga ky grup, por nga te gjithe politikanet e rinj te PS nuk krahasohet. E meriton plotesisht, ajo ja ka ngritur peshen Freshit dhe i ka dhene fytyren qe ka sot. Forca Spiropali!!!

  11. artan says:

    Suksese kandidateve,

    kudh thote se nuk i njeh, do te thote se nuk e ka haberin per cfare po flet, sepes aty shoh te rinj me kontribute nder vite ne FRESSH!
    mendoj se gara eshte e pabarabarte, sepse e deleguara duhet qe per etike te mos kandidonte. mgjt gara SAPO KA FILLUAR…

  12. besnik shahu says:

    Urime te gjithe kandidateve,
    por me shume i uroj freshisteev te vertete, te cilet kane vite aty,
    jane dhe keta te deleguarit, qe dje i gjuanin me llastiqe PS-se, sot duan ta drejtojne!!!!

  13. Bardhi says:

    Pik se Pari Spiropali eshte e Deleguar jo e zgjedhur dhe kandidimi i saj eshte kundra Statuti mo Ju FRESSH te 2013.Mesazh do e merni shum shpejt se kush eshte kush,FRESSH ka vlera dhe cilesi te cilat i mbartin njerzit qe e perbejn dhe luftojn per te dhe jo njerez qe deri dje kane hedhur Balte mbi PS dhe FRESSH si ELISA juaj e MJAFTIT bejani kete pyetje dhe do ta kuptoni. Vlerat e Nje drejtuesi Fitohen dhe jo te Falen.Respekte

  14. Matilda tirane says:

    Ka ardhur koha qe FRESSHit ti ndihet zeri,sepse fundja eshte nje organizate E MAJTE!!Jo si deri tani qe rralle e kemi degjuar,sikur te ishte duke fjetur gjume!
    Dy emra njoh nga kandidatet: Maria Myridinas,qe ka qene gjithmone aktive si te Rrjeti Rinor,ashtu dhe te PS,te akademia politike etj.
    Dhe Juxhin Cela,qe njihet si i majte.Por kete te fundit me shume e kam njohur nga interneti.

    1. Bardhi says:

      Dhe Erlis Hoxha eshte aktivist me pervoje pavaresisht se rethanat he situata te ndryshme jane krijuar per te anatemuar dhe perjashtuar,eshte nga te paktit qe ka ngritur zerin per keto qe po thau ti tani. Matilda tirane .Respekte e vleresoj mendimin tend dhe qendron

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje