Ilegalët cenojnë sovranitetin

7 Maj 2012, 10:13Rajoni TEMA

Strukturat ilegale serbe cenuan sovranitetin e shtetit të Kosovës. Ato i organizuan zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës dhe planit të ministrit Bajram Rexhepi për pengimin e tyre.

Në komunën e Zubin-Potokut dhe Zveçanit, ashtu siç patën lajmëruar strukturat paralele serbe, janë hapur edhe qendrat e votimit për zgjedhjet lokale. Qytetarët serbë kanë votuar në këto dy komuna të papenguar nga askush.

Por për zyrtarët e Qeverisë së Kosovës këto zgjedhje janë të dështuara. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ndonëse kishte paralajmëruar plan konkret për pengimin e këtyre zgjedhjeve, të dielën ai ka thënë për RTK-në se ka pasur disa tendenca për t’i mbajtur zgjedhjet lokale në Zveçan dhe Zubin-Potok, siç kanë paralajmëruar.

Ai nuk ka folur për planin e famshëm që kishte paralajmëruar tash e sa muaj. “Kanë provuar nëpër objekte private, mirëpo ka qenë një numër shumë i vogël dhe se këto nuk paraqesin kurrfarë legjitimiteti. Procesi ka kaluar shumë mirë, përkundër analizave të ndryshme të cilat kanë parashikuar se do të ketë dhunë dhe probleme”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka ripërsëritur se pavarësisht nga votimi për zgjedhje lokale, ato nuk prodhojnë kurrfarë efekti.

Por Krstimir Pantiq, kryebashkiak ilegal i Mitrovicës, ndryshe nga ministri Rexhepi, thotë se kanë hapur qendrat e votimit në dy komunat për zgjedhjet lokale, Zveçan e Zubin-Potok dhe gjithçka ka shkuar në rregull.

Ai nuk ka treguar vendet, por ka thënë se qytetarët në veri kanë qenë të njoftuar për vendvotimet prej fillimit të procesit. Njësoj ka folur edhe kryetari jolegjitim i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, i cili ka thënë për mediat serbe se pos zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, në këtë komunë është votuar pa problem edhe për ato lokale.

Ndërkohë që “Zëri”, ka kuptuar se zgjedhjet lokale serbe janë zhvilluar në shkollën e mesme në Zveçan, pastaj në vilën e quajtur “Jelen” si dhe në disa shtëpi private.

Kështu, plani operativ i Policisë së Kosovës për të ndalur këto zgjedhje nuk ka funksionuar. Por për dështimin e tyre policia kishte përgatitur edhe një arsyetim…/ZERI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje