Mevlude Kozhani nga Lipjani ka bërë një hap të pazakonshëm si nënë. Ajo e ka denoncuar djalin e saj të hënën në polici për vepër hajni. Por dy ditë pas këtij hapi Mevludja ka “zbutur” akuzën ndaj të birit. Ditën kur raportoi në polici deklaroi se i biri kishte shpërdoruar dhe vjedhur 80 mijë euro pasuri të familjes, por ajo tashti e ka zbritur këtë shifër në 2 mijë euro.
“Ankuesja femër ka raportuar se djali i saj i dyshuar, i cili jeton në të njëjtën ndërtesë, dyshohet të ketë kryer vjedhje dhe shpërdorim të pronës familjare në shumë të përgjithshme rreth 80.000 €. Njësitet policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në paraburgim”, thuhet në raportin policor lidhur me këtë rast. Mirëpo Mevludja ka sqaruar për gazetën se në momentin kur ajo ka dhënë deklaratën në polici, ka qenë e “shqetësuar” dhe ka mundur të gabonte lidhur me shifrat.
“Jam detyruar që ta denoncoj djalin në polici vetëm për një arsye. Jam frikësuar se djali mund të hyjë në rrugë të këqija, dhe kam dashur që ta di pse e ka bërë këtë. Ai nuk e pranon ende që i ka vjedhur gjërat”, ka thënë ajo.
Mevludja ka treguar se djali i saj Q.Kozhani më 4 maj, përderisa ajo gjendej në shtëpinë e vajzërisë, kishte realizuar vjedhjen. “Ai i ka marrë disa goma të kerreve dhe karrige, të cilat janë të djalit tjetër që jeton në Zvicër. E kemi pasur një kafe e tash e kemi mshel e unë i kom rujt sendet e djalit në bodrum”, ka shpjeguar ajo.
Mevludja tregon se burrin e ka të sëmurë, ndërkaq katër djemtë e tjerë jetojnë jashtë vendit. Q.Kozhani jeton në një banesë shumë afër prindërve të tij, së bashku me gruan dhe katër fëmijët e tij. Ai ia kishte “çelë muhabetin” e shitjes së pajisjeve nënës së tij kohë më parë. Por e ëma nuk kishte pranuar, ngase “ ato ishin të djalit tjetër dhe nuk bën të preken”.
Ky fakt e kishte bërë Mevluden që dyshimin kryesor për mungesën e gjësendeve ta ketë në të birin. “Më ka vu në pozitë shumë të keqe. Nuk kam ditur se ku të kërkoj ndihmë pasi që djemtë e tjerë s’i kam këtu. Është shumë e rëndë që një nënë të detyrohet të shkojë në polici për fëmijën e saj. Por kam thënë më mirë në polici e ndoshta nuk e përsërit më e mbushet mend. Nuk e di çka i kanë vyer ato para”, ka thënë ajo.
Druajtja më e madhe e Mevludes është fakti që ajo nuk e di se me çfarë merret djali i saj. “Ishalla nuk ka hi në rrugë të këqija” përsërit ajo vazhdimisht, duke hamendësuar se shokët e tij mund ta kenë detyruar të ndërmerrte një hap të tillë.
Përderisa Q. Kozhani vazhdon ta mohojë para nënës së tij se ai ka kryer një vepër të tillë, para policisë e ka pranuar.
Bajram Ademi, komandant i Policisë në Lipjan, ka bërë të ditur se familja Kozhani përmes deklaratave të dhëna në polici kishte dyshuar se familjari i tyre të cilin e kanë denoncuar merret me bixhoz, andaj dyshohet se paratë e fituara nga shitja e gjësendeve i ka përdorur për këtë arsye.
“Ai ka dhënë arsyetim se paratë i ka përdorur për biznesin e përbashkët familjar, dhe ka mohuar t’i ketë shpenzuar paratë në bixhoz ashtu siç familjarët e tij kanë dyshuar”, ka thënë Ademi.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se prokurori e ka lëshuar të dyshuarin në procedurë të rregullt dhe se familja ka të drejtë të heqë dorë nga ndjekja e tij penale. /KD