Nuk ka konsensus për reformën zgjedhore. Gjiknuri: Negociatat vazhdojnë

15 Maj 2012, 19:34Politika TEMA

(E PERDITESUAR)- Mazhoranca dhe opozita në komisionin e reformës zgjedhore nuk arrijnë konsensusin për miratimin e të gjitha amendimeve dhe rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Në këtë mënyrë komisioni s`ka rënë dakord për strukturën e administratës zgjedhore, për procesin ankimor, por edhe për numërimin elektronik, duke iu referuar këtu rekomandimeve të fundit të ODHIR për këtë çështje. Në këto kushte do të ndiqet rruga parlamentare, që i jep zgjidhje këtij ngërçi në dhjetë ditët në vijim, raporton Ora News.

Përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri tha se palët kanë divergjenca në çështjet e administratës zgjedhore dhe ankimimit. Gjiknuri tha se shpreson që të gjendet një zgjidhje deri më 24 maj, afat ky i artikuluar sot nga komisionari Stefan Fyle, ndërsa shtoi se negociatat do të vazhdojnë.

PS-ja propozon që gjashtë anëtarë të KQZ-së të zgjidhen në rastin aktual tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita. Ndërsa i shtati të jetë një kandidat i Gjyqësorit. Sipas opozitës, KLD-ja, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit dhe Dhoma e Avokatëve të propozojnë nga dy kandidatë. Parlamenti, nga tetë emra që do t`i vijnë, të zgjedhë dy prej tyre dhe ata t`i hedhë në votim.

Varianti i dytë, sipas PS-së, është zgjedhja e kryetarit nga Presidenti. Por maxhoranca shprehet se ky propozim nuk është në përputhje me rekomandimin e ODIHR-it, i cili flet për një KQZ të pavarur dhe të paanshme. PD-ja nga ana e saj nuk ka një propozim konkret. PD është e gatshme për një formulë që të gëzojë konsensus sa më të gjerë.

Në kapitullin e KQZ-së ka edhe një pikë e cila ndan dy palët. PS-ja propozon që KQZ-ja e re të nisë punën menjëherë sapo të miratohet në Parlament. Por, demokratët kujtojnë faktin se shtatë anëtarët aktualë të KQZ-së kanë mandat deri në dhjetor dhe nëse atyre u ndërpritet mandati më përpara, kjo është një shkelje e Kushtetutës.

Një tjetër pike tjetër e nxehtë është edhe ankimimi dhe të drejtat e palëve. PS kërkon që të hapen kutitë pas kërkesës të bërë nga 2 anëtarë të KQZ-së, ndërsa PD kërkon që hapja e kutive të bëhet pas fakteve dhe provave të mbledhura për shkelje.

Përfaqësuesit e dy partive të mëdha kanë shkëmbyer replika edhe lidhur me numërimin elektronik.

Deputetët e PS kanë akuzuar mazhorancën se ka ndërhyrë në kod duke hequr kapituj të caktuar për numërimin elektronik dhe verifikimin e kartave dhe kërkon që nenet për numërimin elektronik të “rikthehen” në kod dhe të jenë të zbatueshme në gjithë vendin.

Sipas deputetëve të PD nuk ka heqje kapitujsh, por amendime të tyre pas rekomandimeve të misionit të ODIHR dhe për ta kjo teknologji duhet të testohet fillimisht në 10% të territorit.

Mbledhja e komisionit të reformës zgjedhore ka zgjatur rreth 5 orë, ndërsa konsensusi nuk është arritur mes palëve për këto pika, që janë konsideruar që në fillim si me të nxehtat në këtë reformë. E marta ishte dita e fundit kur do të përfundonte afati i komisionit të reformës zgjedhore.

1 komente në “Nuk ka konsensus për reformën zgjedhore. Gjiknuri: Negociatat vazhdojnë”

  1. fule says:

    Permendini Salicit rregulla per zgjedhje te lira, eshte sikur ti kesh permendur litarin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje