GNK, raport shqetësues për Maqedoninë dhe shqiptarët

17 Maj 2012, 12:28Rajoni TEMA

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK) në një raport të fundit thekson se situata në Maqedoni është shqetësuese dhe nuk ka përparim në zgjidhjen e çështjeve të shqiptarëve.

Raporti akoma është jozyrtar dhe së shpejti pritet të publikohet, informon korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA në Nju Jork.

Raporti i GNK shpreh shqetësim lidhur me tensionet dhe acarimet e fundit ndëretnike, ngecjet e theksuara të mosimplementimit të Marrëveshjes së Ohrit, bllokimin e proceseve euroatlantike dhe rritjen e shkallës së varfërisë, etj.

GNK vlerëson se në Maqedoni ka pakënaqësi nga të dyja palët, që kanë qenë aty që para konfliktit të vitit 2001 dhe kjo situatë acarohet edhe më shumë nga zhgënjimi nga mungesa e përparimit për anëtarësimin në NATO – një proces për të cilin Maqedonia është gati – dhe Bashkimin Evropian për shkak të mosmarrëveshjes qesharake për emrin me Greqinë.

Sipas agjencisë INA, edhe në raportin më të ri të GNK do të bëhen rekomandime të qarta që qeveria në Shkup duhet t’i zbatojë të gjitha klauzolat për gjuhën në Marrëveshjen e Ohrit, të japë fonde shtesë për kulturën dhe gjuhën shqipe, gjëra të thjeshta si emra rrugësh në të dyja gjuhët, emrat e godinave qeveritare në dy gjuhë në Shkup, etj.

Marko Prelec, Drejtor i Projektit të Ballkanit pranë GNK një muaj më parë deklaroi për Zërin e Amerikës shqetësimet mbi zhvillimet në Maqedoni.

“Unë do të shkoja edhe më tej, do të thosha që ka pasur përpjekje për çintegrim. Mendoj se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e qeverisë në Shkup për ta bërë Shkupin, kryeqytetin e një vendi dygjuhësh, një kryeqytet dygjuhësh që të krijonte idenë se i takonte të dyja komuniteteve dhe në fakt ka pasur përpjekje për ta bërë që të dukej si etnikisht maqedonas, me projektin Shkupi 2014, ndërtimin e shpenzueshëm e monumenteve që kanë lidhje me etninë maqedonase. Nga ana tjetër përfaqësuesit e komunitetit shqiptar e kanë pranuar statusin jo si partnerë në projektin kombëtar por më shumë si udhëheqës të një pakice. Kjo nuk ka ndihmuar. Megjithatë duhet thënë që Maqedonia po bën diçka vërtet të vështirë”, ka theksuar Prelec. (INA)

1 komente në “GNK, raport shqetësues për Maqedoninë dhe shqiptarët”

  1. armand says:

    Boll e perdoret ballkanin si parcele eksperimentale.Krijimi i shteteve artificiale ka per te sjelle vetem dhunim te lirise dhe te drejtave me elementare te njeriut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje