Italia në telashe, Barzalji rrezikon Europianin

4 Qershor 2012, 17:20Sport TEMA

Lajmë të këqija për Italinë dhe trajnerin Çezare Prandeli. Mbrojtësi titullar i përfaqësueses italiane, Andrea Barzalji, rrezikon të mos marrë pjesë në Euro 2012, pasi ka pësuar një tërheqje të shkallës së parë në pulpën e këmbës së majtë që do të thotë se mund të jetë i detyruar që të qëndrojë pushim për rreth 20 ditë.

Lajmin e ka bërë publik vetë mjeku i kombëtares italiane, Enriko Kastelaçi. Tani italianët do të zgjedhin nëse lojtari do të vazhdojë riaftësimin me shpresën për të qenë i gatshëm në pjesën e dytë të turneut, apo nëse do ta ndërrojnë atë një ditë para debutimit të kombëtares italiane, siç shkruhet në rregullore.

Për momentin, është e sigurt që Barzalji nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjet e fazës së grupeve. Shpresa e stafit mjekësor italian është që ta kenë në dispozicion të paktën për fazën e dytë, atë të eliminimit direkt, të Euro 2012.

“Do të bëjmë maksimumin për ta riaftësuar, pasi ia vlen. Nëse nuk do të jetë e mundur ta riaftësojmë për fazën e parë, do të shohim çfarë mund të bëjmë për vazhdimin e turneut”, tha Kastelaçi. Barzalji cilësohet si shtylla e mbrojtjes së Italisë dhe ka qenë elementi më i përdorur nga Prandeli në prapavijën e kësaj kombëtareje gjatë ndeshjeve të fundit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje