Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, mendon se Spanja dhe Gjermania do të vihen përsëri përballë njëra-tjetrës në finalen e Kampionatit Evropian, ashtu si katër vite më parë. 56 vjeçari mendon se si spanjollët, ashtu edhe gjermanët, kanë diçka më shumë se 14 skuadrat e tjera rivale që do të përpiqen të shkojnë drejt kësaj finaleje.
“Kur flasim për favoritë, unë gjithmonë ndaj ata që mund të fitojnë dhe ata që janë të vështirë për t’u mundur”, tha ish-lojtari i Francës, i cili mban ende rekordin e golave të shënuar në një edicion të vetëm të Kampionatit Evropian, 9 të tillë, të shënuar në vitin 1984, kur ishte kapiteni i kombëtares që fitoi këtë turne.
“Do të vendosja Gjermaninë dhe Spanjën në kategorinë e parë dhe në kategorinë e dytë praktikisht të gjitha skuadrat e tjera, pasi të luash kundër Danimarkës, Portugalisë, Italisë dhe Francës do të jetë e vështirë. Nuk duhet të harrojmë se Greqia fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2004”.
“Spanja ka një eksperiencë të madhe, Gjermania është më e re dhe është e uritur për sukses. Spanjollët do të dëshironin të mbronin titullin me një gjeneratë të jashtëzakonshme lojtarësh. Do të shohim ndeshje të shkëlqyera me skuadra që kaluan kualifikueset pa humbur asnjë pikë dhe me lojtarë që janë shumë të fortë. Nuk është rastësi që ata e kanë fituar një herë këtë turne. Në Kupën e Botës të dy viteve më parë, Gjermania la një përshtypje të mirë por u vu përballë një ekipi të mirë spanjoll në gjysmëfinale dhe prandaj u mund. Duket qartë që këto dy skuadra kanë diçka më shumë”.
Platini më pas theksoi se pas këtyre dy skuadrave vinte menjëherë Holanda, por shtoi se “tulipanët” duhej të hiqnin etiketën e “pretendentëve të pasuksesshëm” që kanë fituar në vitet e fundit. Ai nuk ngurroi të cilësonte Uejn Runin si një prej futbollistëve më të mirë dhe se mungesa e tij në dy ndeshjet e para do të dëmtonte më shumë Anglinë sesa largimi i trajnerit Fabio Kapelo pak muaj para fillimit të turneut.