Kreditë e individëve, vetëm 3 % rritje në dy vjet

21 Qershor 2012, 11:58Blog TEMA
Kreditë e individëve, vetëm 3 % rritje në dy vjet

Nga Ilir Beqja

 

Të dhënat që raportohen nga sistemi bankar vazhdojnë të jenë shqetësuese. Madje sa më shqetësuese bëhen, aq më vonë publikohen dhe aq më të vështira bëhen për t’u lexuar e interpretuar

Shoqata e bankave raporton se në fund të muajit prill kreditë me probleme të dhëna nga sistemi bankar kanë arritur në 20,6 % të portofolit të kredive. Nëse përqindja mund të mos jetë një tregues i thjeshtë për lexuesin, po shpjegojmë se kjo shumë është e barabartë me 1,064 milionë dollarë (pra më shumë se 1 miliardë). Në të gjitha llogaritjet e këtij shënimi është përdorur kursi i këmbimit 1 USD = 110 LEK.

Përkeqësimi i portofolit të kredive është kthyer në fenomen shumë shqetësues dhe nuk duket se ka gjasë të stopojë. Nuk ka gjasa të ndalet pasi shumë kredimarrës vazhdojnë të jenë në vështirësisë reale për të shlyer detyrimet mujore, por edhe sepse në prill 2012, për herë të parë pas shumë muajsh, kemi një zvogëlim të portofolit të kredive. Në grafikun 1  jepet një ilustrim i ecurisë së këtij treguesi për një periudhë 24 mujore nga prill 2010 në prill 2012. Para dy vjetësh norma e kredive me probleme ka qenë nën 12 % e portofolit, ndërsa për dy vjet është gati 21 %. Me ritëm të tillë rritje deri në fund të këtij viti kreditë me probleme do të jenë afër 10 % të Produktit të Brendshëm Bruto.

Nëse norma e kredive me probleme ndaj portofolit rritet, rendi i rritjes së vlerës së këtyre kredive është edhe më i madh. Për periudhën dy vjeçare që po analizojmë, kreditë me probleme u rritën nga 491 milionë dollarë në 1,064 milionë dollarë apo me 217 %. Brenda grupimit të kredive me probleme janë edhe ato të humbura përfundimisht që në fund të prillit 2012 kanë arritur në 311 milionë dollarë nga 140 milionë që ishin në prill 2010, pra janë rritur me 222 %.

 

Individët

Të dhënat e analizuara më lart tregojnë edhe ngadalësim të kredive të individëve. Nëse portofoli i përgjithshëm i kredive ka një rritje jo të keqe për 24 muajt e fundit, për individët rritja në dy vjet është minimale. Rritja e kredive të marra nga individët me vetëm 3 % në dy vjet, tregon për vështirësi të mëdha të buxheteve familjare dhe ky është thelbi i krizës ekonomike në Shqipërinë e sotme: Rënia e kërkesës së familjeve shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje